Bektashinjtë festojnë Ashuren. Kryeministri Berisha i premton Baba Reshatit asfaltimin e rrugës së pelegrinazhit në Malin e Tomorit. 24 orë në selinë e Kryegjyshatës Botërore, nga mbrëmja e gatimit të ëmbëlsirës, deri në ditën e shënuar, midis politikanëve që shijojnë ashure
I pari që provon ashuren, është Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi. Të tjerët vijnë më pas, duke i dhënë jetë festës. Hanë ashure dhe përcjellin urime për besimtarët bektashinj kudo ku ndodhen. Ceremonia festive fillon me fjalën e Kryegjyshit Botëror. Pjesë e festës janë edhe këngët. Pa u ngucur, besimtarët nisin vizitën në selinë e Kryegjyshatës. Të gjithë presin të takojnë Baba Reshatin, të bëjnë fotografi me të dhe të provojnë shijen e ëmbël të ashures.
Gjithsecili respekton radhën. Të rinjtë preferojnë të hyjnë të fundit. Besimtarët janë të shumtë dhe vijnë nga të gjithë qytetet e Shqipërisë. Pas takimit tradicional me krerët e Kryegjyshatës, besimtarët ndalen në tavolinën e mbushur në të gjithë tërësinë e saj nga tasat me ashure, të cilët preferohen të shijohen në ambientet e selisë.
Një djalë i ri, rreth të tridhjetave, i palodhur, sjell gotat me ëmbëlsirën e paqes. Gotat e ashures vijnë fill pas takimit që vizitorët kanë me Baba Reshatin. Ëmbëlsohen me ashure, dhe kënaqësia u duket në sy. Më pas vjen radha e të ftuarve. Krerët fetarë dhe pushtetarët më të lartë bashkohen me besimtarët për të festuar së bashku.
Personalitetet e parë që shkelin selinë e bektashinjve janë krerët e komuniteteve fetare, Haxhi Selim Hoxha, nga komuniteti mysliman, si dhe Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos. Është një ditë që i bashkon të gjithë. Në Shqipëri harmonia fetare ka thyer çdo barrierë keqkuptimi. Radha e të ftuarve është e gjatë. Personalitetet ia lënë vendin njëri-tjetrit, duke kryer urimin e thjeshtë: “Gëzuar festën e Ashures”.
Pas krerëve fetarë, radhën e kanë politikanët. I pari që shtrëngon dorën me Kryegjyshin është Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Kreu i selisë rozë qëndron ulur në një kah me ministrat e djathtë. Atë që nuk e bën dot politika e ditës, e bën festa e Ashures. Diç bisedon me Kryegjyshin dhe ngjyen lugën plastike në ashure. I pëlqen, por koha nuk pret që ta shijojë të gjithën. Dy lugë shpejt e shpejt janë mjaftueshëm.
Rama çohet dhe pak pas tij, në derën e bektashinjve hov kryeministri Berisha. Pasi bën adetet e rastit, kreu i qeverisë nis bisedën me Baba Reshatin. I premtonasfaltimin në kohë të shkurtër të rrugës që të çon në Malin e Tomorit. “Do ta përfundojmë atë rrugë Baba Reshati, sa më shpejt të jetë e mundur”, - buzëqesh kryeministri, ndërsa uron gëzuar me ashure. Mali Tomorit është vendi më i shenjtë i pelegrinazhit.
Kryeministri ka prekur në pikën më të dobët që kanë bektashinjtë shqiptarë. Baba Reshati kënaqet duke pohuar me kokë. “Të shpresojmë”, uron. Rruga për në Malin e shenjtë të Tomorit është kthyer në kalvar për besimtarët bektashinj. Qoftë premtimi i festës së Ashures, pikënisja e fundit të rraskapitjes. Ky është urimi i të gjithë besimtarëve, të cilët shpresojnë se viti i ardhshëm do t’i gjejë edhe më mirë.
Historia e Imam Hysejnit me 72 dëshmorë, dhe lindja e Ashures
Si dita e Ashures, njihet 10-ditëshi i parë i muajit Muharrem në kalendarin arab. E gjithë bota myslimane e kujton këtë ditë si ngjarjen më të dhimbshme në historinë e njerëzimit. Origjina e festës nis nga Iraku. Në fushën e Qerbelasë, 1400 vjet më parë u masakruan nipi i profetit Muhamed, Imam Hyseni, së bashku me 72 shehid (dëshmorë).
Dervish Mikeli rrëfen se dita e Ashures është dita e martirizimit të imam Husejnit, i cili u rrethua në shkretëtirën e Qerbelasë nga një ushtri agresore, së bashku me 72 shokët e tij u martirizua. Dita e Ashures është dita e fundit e Matemit. Festa kremtohet ditën e dhjetë të tij. Kjo periudhë kohore nënkupton për besimtarët bektashinj zi, në kujtim të të rënëve të Qerbelasë.
Në këtë ditë, bota islame ruan disa rregulla, si; ndalohet mishi, qumështi, vezët, ëmbëlsirat. Tri ditët e para nuk përdoren në tryezë lugë, pirunë dhe thikë. Për dhjetë ditë bektashinjtë nuk pinë ujë, nuk japin dorën, nuk futen në një shtëpi të re dhe nuk marrin pjesë në gëzime. Gjatë kësaj kohe lejohen të hahen vetëm prodhime bimore, si fruta, zarzavate dhe vaj ulliri, ndërsa kafeja pihet pa sheqer.
Dervish Mikeli na tregon se gjatë këtyre ditëve, besimtarët mblidhen në faltore, xhami, mezxhide apo teqe, në përkujtim të dëshmorëve të parë të Qerbelasë. Gjatë regjimit komunist, me ndalimin e të gjitha besimeve fetare, besimtarët ishin të ndaluar të festonin Hashuren, qoftë edhe në shtëpi.
Me mjaltë dhe 72 produkte, gjithçka mbi ashuren
Dita e dhjetë është dita e fundit që mbahet zi për dëshmorët e Qerbelasë. Në mbrëmje të saj, pasi është pirë diçka e ëmbël, besimtarët shkojnë dhe hedhin grurin në enë të mëdha, për të përgatitur ashuren. Të gjithë burra e gra dhe fëmijë, mblidhen për të trazuar ëmbëlsirën e festës.
Për të plotësuar obligimin ndaj zotit, ashurja duhet të përbëhet nga 72 lloje produktesh. Në mungesë të tyre, hidhet mjaltë me sasi të mëdha. Ashurja përgatitet ujë, grurë, misër, fasule, thjerrëza, arra, bajame, lajthi, fiq dhe rrush të thatë, shegë, banane, kanellë dhe në fund mjaltë. Çdo besimtar bektashi ka për detyrim të përgatisë ashure në shtëpi.
Pasi përgatitet ashurja, shtrohet një darkë për mysafirët dhe besimtarët. Në ceremoninë e fundit këndohen lutje dhe rite të tjera fetare. Kjo lutje nga besimtarët quhet lutja e bukës, ku këndojnë për hir të familjes profetike. Pas përfundimit të darkës të gjithë shkojnë në kazanët e ashures, e zbrazin atë dhe e hedhin në gota plastike. Ashurja është gatimi me të cilin çelet agjërimi i madh, që merr emrin e kësaj dite. Të nesërmen e kësaj dite bëhet ceremonia dhe ashurja shpërndahet për besimtarët.