Kryeministri fitoi 25 milionë lekë vitin e fundit, por nuk pagoi detyrimin prej 70 mijë të vjetrash si taksa vendore
Zyrtarët refuzojnë të përgjigjen ose deklarojnë se kanë paguar, por s’kanë mandat arkëtimet
TIRANË- Zyrtarisht kryeministri Berisha fitoi gjatë vitit të fundit 25 milion lekë të vjetra, por nuk pagoi në zyrën e taksave vendore shumën prej 70 mijë lekësh si çdo qytetar tjetër që mund të fitojë më pak.
Megjithatë shqiptarët do të duhet të presin për një kohë të pacaktuar për të marrë një përgjigje se përse kryeministri i tyre nuk ka paguar. Zyra e shtypit e kryeministrit injoroi për të dytën ditë radhazi kërkesën për të dhënë shpjegime pse titullari i tyre ka dy vjet që figuron borxhli në zyrën e taksave vendore.
Dy ditë më herët, një zëdhënëse i tha “Shekulli”-t se kabineti do të kishte një përgjigje brenda 48 orësh, por edhe pse afati mbaroi, autoritetet vazhdojnë të ruajnë heshtje për shtypin.
Të martën, një investigim i gazetës “Shekulli” zbardhi një listë me emrat e të gjithë zyrtarëve të të gjitha krahëve politikë, të cilët sipas autoriteteve vendore nuk paguanin taksat e pushtetit vendor dhe që rezultonin atje prej vitesh si kreditorë. Në listën me 80 emra, figuron edhe emri i Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Sali Berisha, familja e të cilit nuk ka derdhur kontributet lokale, si për vitin 2007, ashtu edhe për vitin 2008.
Edhe pse taksat vendore në total përbëjnë një shumë fare të papërfillshme dhe tërësisht të përballueshme për të ardhurat e shumicës së zyrtarëve, një numër i madh prej tyre i injorojnë ato.
Sanksionet shtetërore për qytetarët që nuk paguajnë këto taksa nuk merren parasysh për shumë nga zyrtarët e listës në fjalë, pasi shumica e tyre kanë të bëjnë thjesht me mosdhënien e një numri shërbimesh për të cilat është përgjegjës pushteti vendor.
Një qytetar shqiptar i detyrohet pushtet vendor çdo vit rreth 10,5-21,5 lekë për metër katror si taksë për banesën ku jeton. Gjithashtu taksa e pastrim-gjelbërimit llogaritet rreth 4.900 lekë në vit dhe në total detyrimi vjetor shkon mesatarisht rreth 7.000 lekë në vit. Të ardhurat vjetore të një deputeti të zakonshëm në Shqipëri janë mesatarisht 12 deri në 15 milionë lekë të vjetra në vit. Nëse deputeti është edhe ministër, të ardhurat pothuajse dyfishohen.
Në listën emërore të publikuar nga “Shekulli” ministra, deputetë dhe zyrtarë të tjerë të niveleve të larta, qëndronin në krye të hitparejdit për mospagimin e shumave të papërfillshme të taksave vendore. Shumica e tyre refuzuan gjatë dy ditëve rresht insistim, të japin sqarime për këtë mospërfillje.
Një pjesë tjetër thonë se i kanë paguar dhe se ata që kanë publikuar emrat e kanë bërë për inat. Për ironi, në listë figuronte edhe zyrtari më i lartë i çështjeve të pushtetit vendor, Ferdinand Pone, zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe i Çështjeve të Pushtetit Lokal. I kontaktuar nga “Shekulli” në fillim ai pyet se çfarë janë taksat vendore.
Pasi mëson se cilat janë detyrimet që duhet të derdhë në arkën e njësisë bashkiake nr.1 ku është banor, shprehet se, ata që kanë nxjerrë emrin e tij, kanë abuzuar. “Absolutisht, nuk kam asnjë detyrim të prapambetur. Kështu shkruaje”, - të mëson Pone edhe pse gjithçka e lë në suazën e deklaratave pa paraqitur asnjë faturë në të cilën t’i tregojë publikut se i ka shlyer detyrimet e tij si qytetar.
Njësia Nr 5, Fino dhe Malaj kanë paguar taksat
Fill pas publikimit të listës së zyrtarëve, që nuk kanë paguar taksat vendore në dy vitet e fundit, në redaksinë e gazetës “Shekulli” kanë mbërritur edhe reagimet e para nga ana e personave publikë, emrat e të cilëve rezultojnë të jenë debitorë ndaj pushtetit lokal. Në bazë të informacionit të bërë publik nga njësitë bashkiake, në listën e emrave të publikuar ndodhen edhe ato të deputetëve socialistë, Arben Malaj dhe Bashkim Fino.
“Njësia Bashkiake Nr. 5, pas riverifikimit të bërë të mandateve të pagesës, duke kërkuar ndjesë publike ndaj deputetëve të mësipërm për gabimin e kryer, konstaton se deputetët Malaj dhe Fino i kanë paguar detyrimet vendore”,- thnë burimet zyrtare të njësisë bashkiake. Por problemi kishte qëndruar tek regjistruesi i taksave në njësinë vendore, i cili nuk kishte pasqyruar derdhjen e tyre në kompjuter. Kur dy deputetët janë paraqitur në minibashki me mandat-pagesën në dorë, njësia është detyruar të korrigjojë gabimin.
Taksat, shërbimet që nuk përfitohen nga mospagesa
Qytetarët të cilët nuk paguajnë taksat vendore, brenda muajit të nëntë të vitit kalendarik, në mënyrë vullnetare, pas kësaj periudhe pa derdhur kontributet përkatëse, nuk përfitojnë asnjë shërbim nga njësitë bashkiake. Ata nuk mund të marrin certifikatë, nuk mund të regjistrojnë fëmijët e porsalindur, nuk mund të kryejnë celebrimin, nuk mund të regjistrojnë vdekjet si edhe nuk pajisen me vërtetime të ndryshme që lidhen me qenien e tij si banorë të njësive vendore përkatëse.