Premte, 12 Mars 2010 12:26:20

Lexoni versionin Print

Gjykata e Lartë rikthen në punë “gjyqtarët” e Delijorgjit

Gjykata e Lartë është shprehur dje kundër Këshillit të Lartë të Drejtësisë duke rikthyer në punë tre gjyqtarët e Apelit Ushtarak të kryeqytetit që akuzoheshin se kishin “falur” Mihal Delijorgjin nga akuza dhe dënimi.

Flamur Vezaj
Enjte, 08 Janar 2009 09:45:00

PROCESI

Ata ishin shkarkuar nga KLD-ja me motivacionin që kishin falur nga akuzat njeriun që më pas u bë shkaktari i Gërdecit

TIRANË- Gjykata e Lartë është shprehur dje kundër Këshillit të Lartë të Drejtësisë duke rikthyer në punë tre gjyqtarët e Apelit Ushtarak të kryeqytetit që akuzoheshin se kishin “falur” Mihal Delijorgjin nga akuza dhe dënimi. Mesditën e djeshme anëtarëve të Kolegjeve të Bashkuara iu deshën tre orë debate gjyqësore me palët në proces për të rikthyer në detyrë tre gjyqtarët Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo.

Shkarkimi i tyre, sipas vendimit të KLD-së, ka ardhur pas inspektimit të dosjes penale me të pandehur Mihal Delijorgji, ku tre gjyqtarët e ushtarakë të Apelit i dhanë pafajësi për dënimin dhe gjobën e marrë nga Shkalla e Parë, duke pushuar njëkohësisht edhe padinë civile të kryer nga Drejtoria e Doganave e cila i kërkonte subjektit që administronte Delijorgji shumën prej 122 milionë lekë.

Sipas këtij vendimi, KLD-ja pas inspektimit të dosjes e ka dërguar relacionin pranë Ministrisë së Drejtësisë e cila ka propozuar pranë anëtarëve të këshillit masën disiplinore të shkarkimit nga detyra të tre gjyqtarëve, me motivacionin e kryerjes së akteve apo sjelljeve që kanë diskredituar rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, me vendimin e datës 17 dhjetor 2007 ndaj të pandehurit Delijorgji, të cilin e lirojnë nga akuzat dhe i pushojnë padinë civile ku kishte për të paguar 122 milionë lekë.

Ndërkohë, anëtarëve të Kolegjeve të Bashkuara iu deshën vetëm një orë kohë që të këshillohen dhe të vendosin anulimin e vendimit të KLD-së të dhënë më 28 tetor 2008, ku shkarkuan nga detyra dhe puna tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Ushtarak, Gradica, Minka e Pejo.

Sipas argumentimit të vendimit të Kolegjeve të Bashkuara, “Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk mund të nisë procedim disiplinor për një dosje të formës së prerë pa u shqyrtuar ai vendim më parë në Gjykatën e Lartë. Kjo çështje është paragjykuar nëpërmjet deklaratave mediatike duke ndikuar tek të gjithë anëtarët e këtij këshilli, të cilët kanë vendosur shkarkimin nga detyra të tre gjyqtarëve.

Shkelja e tretë e kryer nga anëtarët e KLD-së është ajo e mos zbardhjes së vendimit të shkarkimit të tre gjyqtarëve brenda një afati të arsyeshëm, pasi ky vendim është arsyetuar 61 ditë pas marrjes së vendimit, ku ligjërisht duhet brenda 20 ditëve të zbardhet”,- thanë në vendimin e tyre anëtarët e Kolegjeve të Bashkuara. Ata e cilësuan të nxituar vendimin e KLD-së për shkarkimin e tre gjyqtarëvetë Apelit Ushtarak të Tiranës, Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo dhe të pa bazuar në ligj, ku parashikohet arsyeja e shkarkimit të gjyqtarëve nga puna.

Ndërkohë, në fjalën e tyre para anëtarëve të Kolegjeve të Bashkuara vetë gjyqtarët e shkarkuar dhanë argumentet e tyre për arsyen, që sipas tyre janë liruar nga detyra, duke e cilësuar vendimin e KLD-së të pabazuar në ligje por në motive politike. “Shkarkimi ynë nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë është bërë për motive politike dhe jo ligjore siç e parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Procedura e kontrollit të vendimit të dhënë nga ana jonë nuk mund të inspektohet për deri sa nuk është shqyrtuar kjo dosje në shkallën e tretë të gjyqësorit duke e paragjykuar vendimin që Gjykata e Lartë do të marrë për çështjen e lirimit të shtetasit Mihal Delijorgji”,- tha gjyqtari tashmë i rikthyer në punë Shaqir Gradica.

Gjithashtu, gjyqtarët akuzuan edhe zvkryetarin e KLD-së Kreshnik Spahiut për deklaratat e tija në media në lidhje me inspektimin e kryer nga inspektorët e tij, që për disa muaj ky deklarim i Spahiut u bë debat mediatik mes tij dhe Ministrit të Drejtësisë, që e akuzonte nënkryetarin e KLD-së për shkelje të etikës dhe paragjykimit të çështjes.

Pas vendimit të djeshëm pritet që tre gjyqtarët e Apelit Ushtarak Gradica, Minka e Pejo të rikthehen në detyrë nga vetë anëtarët e KLD-së në mbledhjen e radhës, në zbatim të vendimit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

ARGUMENTET:

Nuk mund të procedohet një gjyqtar për dosjen që ende nuk është shqyrtuar në tre shkallët e gjyqësorit

Është paragjykuar çështja me deklarimet e zvkryetarit KLD-së Kreshnik Spahiu për shkeljet e gjyqtarëve

Zbardhja me vonesë e vendimit të arsyetuar, ku gjykata më 5 janar 2009 është njohur me këtë vendim të datës 28 tetor 2008


Gjykata e Lartë duhet të shprehet edhe për një tjetër gjyqtare që është shkarkuar nga KLD-ja

Shtyhet vendimi për Mirela Mishgjonin

TIRANË- Edhe shkarkimi nga detyra i gjyqtares Mirela Mishgjoni u shqyrtua dje pranë Kolegjeve të bashkuara të Gjykatës së Lartë, të cilët pasi relatuan çështjen, dëgjuan pretendimet e palës ankuese të avokatit të gjyqtares së shkarkuar dhe pretendimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të cilët mbrojtën vendimin e anëtarëve të tij.

Sipas pretendimeve të avokatit të ish-gjyqtares Mishgjoni, vendimi i KLD-së është i pabazuar në ligj dhe i paargumentuar, pasi gjyqtarja në asnjë rast nuk ka shkelur ndonjërën nga pikat e parashikuara në Kushtetutë për shkarkimin e saj dhe për këtë arsye kërkuan anulimin e vendimit po të datës 28 tetor 2008 të dhënë nga anëtarët e KLD-së.

Ndërsa, pretendimet e përfaqësuesit të KLD-së ishin të qarta dhe në mbrojtje të vendimit të anëtarëve që ata përfaqësonin, duke e cilësuar vendimin të bazuar në ligj pasi me veprimet dhe mos veprimet e saj ish-gjyqtarja Mishgjoni ka kryer akte a sjellje që kanë diskredituar rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit në sistemin e drejtësisë.

Pas dëgjimit të këtyre pretendimeve dhe për shkak të orarit zyrtar të punës që kishte kaluar 16:00, anëtarët e Kolegjeve të Bashkuara shpalljen e vendimin e shtynë për ditën e sotme në ora 13:00.


Si u procedua penalisht “arkitekti” i Gërdecit dhe vendimi që i dha mundësinë të hynte në marrëdhënie kontraktuale me MEICO

Gjyqtarët liruan Delijorgjin nga akuza e evazionit fiskal

TIRANË- Tre gjyqtarët e Apelit Ushtarak janë shkarkuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë më 28 tetor 2008. KLD-ja i ka deklaruar në atë kohë se tre gjyqtarët Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo kanë liruar padrejtësisht të pandehurin Mihal Delijorgji nga akuza për evazion fiskal. Sipas KLD-së, lirimi i ka hapur Delijorgjit rrugën për të bërë transportin e armëve në Afganistan duke shkaktuar edhe tragjedinë e Gërdecit.

Bëhet fjalë për vendimin e datës 17 dhjetor 2007 të dhënë nga tre gjyqtarët, të cilët liruan Mihal Delijorgjin, (i paditur në procesin gjyqësor si administrator i shoqërisë Përparimi) nga akuza e kontrabandës me mallra të tjerë. Treshja gjykuese vendosi për rrëzimin e padisë civile të doganës së Durrësit, që kërkonte nga administratori i “Përparimi sh.a”, shumën prej 1.2 milionë dollarë që pretendohej se ishte shkaktuar dëm nga kontrabanda e hekurit.

Mihal Delijorgji ishte shpallur fajtor dhe dënuar me gjobë në vlerën 1.2 milionë dollarë nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, për deklarim të rremë të hekurit të importuar me qëllim që tu shmangej detyrimeve doganore. Sipas vendimit të kësaj gjykate, i pandehuri kishte paraqitur para doganës fatura të falsifikuara, për përshkrimin e mallit, dhe çmimin e vendosur. Sipas vendimit, ky veprim kishte qëllim shmangien nga detyrimi doganor.

Nëse vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Durrësit do tëlihej në fuqi, Delijorgji, nuk do të kishte asnjë mundësi që të hynte në kontakte me një kompani shtetërore, ashtu siç bëri me MEICO dhe fitoi kontratën e Gërdecit. Detyra e tij në Gërdec ishte demontimi i predhave të vjetra të ushtrisë por shpërthimi tyre solli katastrofën e 15 marsit ku gjetën vdekjen 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë. Por ishte Gjykata Ushtarake ajo që e rrëzoi këtë vendim dhe Delijorgji rifilloi aktivitetin lirshëm.

Çështja u dërgua në Gjykatën e Lartë por gjatë kësaj kohe Këshilli i Lartë i Drejtësisë nisi procedimin kundër tre gjyqtarëve. Në fund të procesit ata u konsideruan fajtorë dhe u vendos shkarkimi nga detyra. Vetë gjyqtarët nuk e pranuan këtë fakt dhe menjëherë e kundërshtuan shkarkimin në Gjykatën e Lartë, e cila dje iu dha të drejtë.


Tre të arrestuarit për çështjen e Gërdecit rrezikojnë të dënohen deri në burgim të përjetshëm

Kush është “biznesmeni” Mihal Delijorgji

TIRANË- Mihal Delijorgji është cilësuar si nga biznesmenët më të mëdhenj të hekurit në Shqipëri. Ai ka punuar me importim hekuri por edhe me shitje të skrapit, kryesisht duke përfituar nga kontrata shtetërore. Për herë të parë ai është arrestuar në muajin prill të vitit 2004. Në atë kohë biznesmeni i hekurit ishte në kulmin e pushtetit të tij pasi përveç tregtisë fitimprurëse ishte edhe presidenti i klubit sportiv Dinamo, pjesë e Ministrisë së Rendit Publik të asaj kohe.

Arrestimi i tij u krye për llogari të Prokurorisë së Durrësit me akuzënpër shmangie të detyrimeve doganore, evazionit fiskal dhe falsifikimit të dokumenteve. Në atë kohë ai ishte president i firmës “Përparimi” dhe u akuzua se u është shmangur detyrimeve për importimin e hekurit, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 1.2 milionë dollarësh. Pak më vonë ai u lirua nga burgu por edhe nga akuzat. Arrestimi i dytë, tre ditë pas tragjedisë duket se nuk do të jetë kaq i lehtë.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, tre të pandehurit Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe Ylli Pinari akuzohen për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave; në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave të tjerë, që nëse deklarohen fajtorë për këto akuza dënohen me burgim jo më pak se 20 vjet ose me burgim të përjetshëm, ndërsa mbi Pinarin rëndon edhe akuza e “shpërdorimit të detyrës” ndërsa për Minxhollin është shtuar edhe akuza e “armëmbajtjes pa leje”.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML