MOTI/ Problemet me reshjet e dëborës vazhdojnë të jenë prezente në shumë zona malore të vendit
Zonat e izoluara tashmë po marrin ndihma përmes ajrit, duke qenë se furnizimi i tyre me ushqime nuk është i mundur përmes tokës. Kështu bëhet e ditur se për disa fshatra të izoluar prej 5 ditësh nga dëbora e shumtë e rënë në qarkun e Dibrës, janë dërguar ndihma me helikopterë të ardhur nga Tirana.
Helikopterët me ndihma kanë fluturuar në drejtim të Lurës, Kala e Dodës, Martanesh, Ostren, Macukull e Xibër të Qarkut Dibër. Xhafer Seiti, prefekt i këtij qarku, tha se kryetarët e organeve të qeverisjes vendore janë porositur që ndihmat në ushqime të shpërndahen për familjet më në nevojë, kryesisht për familjet e varfra, që nuk kanë pasur mundësi të sigurojnë rezerva dimërore.
Shkodër
Ushqime e medikamente mjekësore janë dërguar në rrugë ajrore në mesditën e së mërkurës në drejtim të katër fshatrave të komunës së Kelmendit, të cilat janë të izoluar për shkak të dëborës dhe ngricës në këtë zonë. Burime pranë shtabit të emergjencës në prefekturën e qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se një helikopter me ushqime e medikamente është nisur drejt Vermoshit në Kelmend, ku katër fshatra me rreth 2500 banorë janë të izoluar nga bora.
Në bashkëpunim me kryepleqtë e këtyre katër fshatrave dhe drejtuesit e komunës së Kelmendit do të bëhet shpërndarja e ndihmave të ardhura. Aksi rrugor Tamarë- Vermoshrreth 40 km është i bllokuar nga Gropat e Selcës e deri në pikën më veriore të vendit, Vermoshin, rreth 30 km.
Banorë të qendrës së fshatit Vukël, Lëpushës e Vermoshit nuk kanë mundësi komunikimi me qendrën e komunës në Tamarë, për shkak të bllokimit të rrugës .Mësohet se ndonëse gjatë së mërkurës janë dërguar ushqime e medikamente mjekësore për këta banorë, akoma nuk është vënë në dispozicion asnjë mjet për zhbllokimin e rrugës
Tropojë
Ndonëse reshjet e borës kanë pushuar, i ftohti polar mbizotëron në Tropojë. Si rezultat i ngricave dhe temperaturave të ulëta është vështirësuar furnizimi me ushqime në komunën Lekbibaj, në fshatrat e komunës Margegaj, Rrogam, Çerem, Valbonë, disa fshatra të thella të komunës Bytyç, ku trashësia e borës arrin mbi 1 metër.
Sipas përgjegjësit të emergjencave civile pranë nënprefekturës Bajram Curri, Avni Buçpapaj, ndonëse akset rrugore Bajram Curri - Lekbibaj, Bajram Curri - Valbonë nuk janë pastruar nga bora e këta banorë janë të izoluar, me kërkesën tonë janë shpërndarë ndihma emergjente me helikopter të ardhurnga Tirana që në mëngjesin e së mërkurës. Dhe gjatë kësaj dite banorët janë furnizuar me ushqime, duke u mobilizuar administrata e komunave në shpërndarjen e rregullt të tyre.