Ramazan Hyka është gjendur pasditen e djeshme në afërsi të liqenit të Farkës. Mister shkaqet e ngjarjes së rëndë
TIRANË- Një tjetër krim i rëndë ka tronditur pasditen e djeshme kryeqytetin. Një taksist, i cili ishte “zhdukur” një natë më parë është gjendur i vrarë dhe më pas i djegur në makinën e tij. Ai është ekzekutuar dhe trupi është vendosur në bagazh por më pas makinës i ishte vënë flaka. Rreth orës 16:00 policia e Tiranës është lajmëruar se buzë liqenit të Farkës, në periferi të kryeqytetit, ndodhet një makinë e djegur.
Vetëm dy orë më pas, policia mundi të identifikonte kufomën, e cili i përkiste taksistit Ramazan Hyka, 43-vjeç, banues në Tiranë. Burime nga policia thanë se nisën hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Provat e pakta në vendin e ngjarjes kanë mbështjellë me më shumë mister këtë vrasje makabre ndërsa policia nuk di të thotë asgjë për motivet e krimit.
Ngjarja
Ramazan Hyka punonte si taksist pranë “Shkollës së Baletit” ku edhe banonte, edhe pse nuk ishte i pajisur me licencë për të ushtruar këtë profesion. Babai i dy fëmijëve, dy net më parë nuk është kthyer në banesën e tij. Vonesa e tepruar e 43-vjeçarit dhe pasi telefoni i tij rezultonte i fikur ka detyruar bashkëshorten e taksistit të alarmohet madje ka lajmëruar edhe policinë. Kjo e fundit nisi hetimet për të zbardhur largimin e Hykës.
E ndërsa Hyka ende nuk ishte bërë i “gjallë” për familjen e tij, policia e Tiranës sinjalizohet për një automjet të djegur në liqenin e Farkës në Tiranë. Oficerët e zyrës së vrasjes pranë policisë së Tiranës si dhe forca të shumta të komisariatit nr.1, mbërritën në vendin e ngjarjes për të bërëkryerjen e provave.
Burime nga policia thanë se automjeti ishte djegur tërësisht dhe në bagazhin e tij ndodhej i djegur një person. Vetëm pas dy orësh policia deklaroi se automjeti i përkiste 43-vjeçarit Ramazan Hyka. Policia mori në pyetje banorët e zonës përreth për të mësuar detaje rreth ndodhjes së automjetit në këtë zonë si dhe nëse kishin parë persona t’i vinin flakën makinës.
Hetimi
Hetimet e para treguan se bëhet fjalë për një vrasje. Oficerët e policisë kriminale të bazuar në dyshime kanë rindërtuar mekanizmin e ngjarjes. Megjithatë shumë detaje ende nuk janë zbardhur për shkak të mungesës së dëshmitarëve në kohën që ndodhi vrasja.
Sipas policisë, persona të panjohur kanë marrë taksistin duke shfrytëzuar edhe punën e tij, dhe e kanë detyruar më pas të shkojnë pranë liqenit të Farkës. Dyshohet se Hyka është goditur nga autorët të cilët më pas e kanë futur në bagazh dhe i kanë vënë flakën automjetit. Taksisti është marrë nga autorët që ditën e mërkurë.
Ndërsa makina e djegur u konstatua vetëm pasditen e djeshme. Ende nuk bëhet e ditur nga policia nëse automjeti është djegur që në momentin kur është rrëmbyer taksisti apo pasditen e djeshme kur dhe ai u gjet. Megjithatë mekanizmi i ngjarjes sipas policisë është në verifikim e sipër.
Hetuesit kanë marrë në pyetje të afërmit e viktimës edhe miqtë e tij taksistë. Kërkohet personi që e ka parë i fundit të gjallë
Policia: Pista kryesore është konflikti personal
TIRANË- Oficerët e seksionit të luftës kundër jetës dhe shëndetit pranë policisë së Tiranës, fill pas sigurimit në vendin e ngjarjes se kishin të bënin me një vrasje nisën hetimet për të zbardhur rrethanat dhe autorët. Policia ka marrë në pyetje disa persona, si banorë të zonës dhe familjarë e të afërm të viktimës. Burime nga policia thanë se nga deklarimet e bashkëshortes së 43-vjeçarit Ramazan Hyka, ai nuk ka pasur konflikte me ndonjë person i cili mund të jetë hakmarrë deri në vrasjen e tij.
Por pavarësisht dëshmisë së gruas së viktimës, policia nuk hedh poshtë pistën e konfliktit madje për ta është edhe pista kryesore. “Dy janë pistat kryesore që po hetojmë për vrasjen e taksistit. E para është ndonjë konflikt personal mes tij dhe personave ende të paidentifikuar, dhe e dyta ndonjë grabitje e mundshme me pasojë vrasjen. Ndërsa pista e tretë është e hapur për çdo motiv të mundshëm” thanë për “Shekullin” burimet policore.
Por pista e grabitjes nuk është shumë bindëse për hetuesit. Kjo pasi vrasësit nuk kanë tentuar në asnjë rast që të marrin makinën e viktimës. Policia tha se do të kërkohen tabulatet telefonike të taksistit, ku do të verifikohen thirrjet hyrëse në telefonin e tij. Gjithashtu policia po përpiqet të gjejë personat e fundit që kanë parë taksistin me qëllim që të zbulojnë të panjohurit që morën nga vendi i punës 43-vjeçarin.
Ende nuk dihet nëse ky i fundit i ka njohur apo jo autorët të cilët e kanë detyrua atë më pas të udhëtojë deri në liqenin e Farkës ku dhe e kanë ekzekutuar. Gjatë orëve të vona të natës, janë marrë në pyetje edhe kolegët e taksistit të rrëmbyer për të mësuar ndonjë detaj më shumë në lidhje me ngjarjen.