Për të 37-tën herë seanca gjyqësore ndaj tij ka dështuar. Debate në sallë mes të arrestuarit dhe gjykatësit
TIRANË- Të akuzuarit si anëtarë të bandës së Lulëzim Berishës kanë arritur që të bllokojnë që nga dita e parë gjyqin kundër tyre. Edhe pse kanë kaluar 18 muaj që nga dita e parë e paraqitjes së 16 të pandehurve, në gjykatë është lexuar vetëm kërkesa për gjykim por nuk është dëgjuar asnjë dëshmitar. I gjithë ky bllokim është kryer pasi dëshmitari i parë në listë është i penduari Adriatik Coli. Për të arritur këtë bllokim, avokatët e të pandehurve vazhdojnë të mungojnë në mënyrë sistematike.
Telenovela e mungesës, sëmundjes, zëvendësimit dhe mos paraqitjes së avokatëve në seancën gjyqësore për të mbrojtur interesat e të pandehurve të “bandës” së Durrësit vazhdoi edhe gjatë ditës së djeshme, e cila duhet të ishte seanca e 55-të gjyqësore, nga të cilat janë shtyrë 37.
Shtyrja e këtyre seancave gjyqësore nuk ka kaluar pa debate mes palëve gjyqtarit Gurali Brahimllari, i cili në disa raste ka qenë objekt i kërkesës së të pandehurve dhe avokatëve mbrojtës për përjashtimin e tij nga trupi gjykues, kërkesë e cila nuk është pranuar në asnjë rast nga gjykata si e pabazuar në ligj. Gjykata, jo rrallë herë, është detyruar t’i shkruajë letër proteste Dhomës Kombëtare të Avokatisë e Ministrisë së Drejtësisë për zvarritjen e gjyqit nga avokatët mbrojtës, por nuk ka ndryshuar asgjë.
Kështu, edhe seanca e djeshme gjyqësore nuk i shpëtoi debatit, por këtë radhë mes kryesuesit të trupës gjyqësore, gjyqtari Gurali Brahimllari e të pandehurit të akuzuar nga prokuroria si “koka e bandës” së Durrësit, Lulëzim Berisha, ku në përfundim të këtij debati ky i fundit braktisi seancën gjyqësore. Sërish, shkak për këtë debat u bë mungesa e mbrojtësit ligjor të caktuar nga familja për mbrojtjen e interesave të Lul Berishës, avokat Arben Qeleshi.
Në mungesë të avokat Qeleshit, gjyqtari Brahimllari i caktoi kryesisht të pandehurit Berisha avokatin Agron Gjadia, i cili edhe në disa seanca të tjera gjyqësore i është caktuar si mbrojtës, pasi e njihte dosjen penale të të pandehurve. Por caktimi i tij ka irrituar të pandehurin Berisha, i cili ka reaguar duke kërkuar që ky avokat të mos e përfaqësojë në këtë gjyq, pasi sipas tij kishte probleme familjare me të.
“Kërkoj përjashtimin e avokatit që më keni caktuar si mbrojtës pasi kam konflikte familjare të hershme me familjen e tij. Dua të mbrohem nga avokatët e mi, Ilia Ilia e Arben Qeleshi. Ata e njohin dosjen time dhe dua që të më mbrojnë. Nëse nuk e largoni këtë avokat unë largohem nga seanca gjyqësore”,- tha Berisha në debatin mes tij e gjyqtarit. Pas këtij vendimi të ndërmjetëm të gjykatës, Lul Berisha la sallën e gjyqit, duke i kërkuar avokatit të bëjë të njëjtën gjë. Kjo e detyroi gjykatën të ndërpresë seancën gjyqësore dhe ta shtyjë për me datën 15 janar.
Si nisi konflikti me Sallakun dhe krimet që ndezën luftën e bandave në qytetin bregdetar
Të gjitha krimet e Bandës së Durrësit
TIRANË- Akuzat për vrasjen e tetë personave, rrëmbimin e një femre për 18 muaj, vrasjet e mbetura në tentativë ndaj pesë personave tashmë pritet të vërtetohen në gjykatë. Sipas akt-akuzës, vrasjet nën emrin e bandës së Durrësit kanë filluar më 17 tetor të vitit 1998, kur i pandehuri Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën kanë vrarë me armë zjarri Dritan Sallakun.
Viktima ishte i shoqëruar nga dy shokët e tij, Ilir Nela e Agim Rexhepi të cilët u plagosën rëndë nga të shtënat që vinin nga makina tip “BMW”, teksa po pinin kafe në oborrin e lokalit që ndodhej përballë shkollës “7 Nëntori” në qytetin e Durrësit. Frika se shokët e viktimës do të hakmerreshin detyroi Berishën dhe Saliun të organizonin eliminimin “masiv”.
Pak ditë pas vrasjes së tij, u organizua atentati ndaj tre shokëve të tij. Arjan Paja dhe Viron Curri u vranë ndërsa u plagos Marsel Sotiri, ngjarje kjo e ndodhur më 29 tetor të vitit 1998, në fshatin Rrashbull të Durrësit. Më pas, atentatet nuk kanë reshtur. Më 5 korrik të 1999, Berisha në bashkëpunim me “ushtarët” e tij, vranë Eduart Ongarin, pasi ishte shoku i Marsel Sotirit dhe strehues i autorëve që vranë shokët e tyre, Ilir Xhunga e Arben Paja.
Me datë 22 gusht të 1999, duke përdorur një person tjetër si “karrem”, banda e Lulzim Berishës ekzekutoi Marsel Sotirin në vendin e quajtur zona e Plazhit në qytetin e Durrësit. I ekzekutuari i fundit, para se banda të ndahej më dysh ishte Dritan Disha, i njohur për lidhjet e tij me Sotirin.
Sherri për zonat e trafikut të drogës solli krisjen e pariparueshme mes Lulzim Berishës. Ushtarët e tyre, deri para 2002 “vëllezër nën armë” zgjodhën të ishin armiq të betuar të njëri-tjetrit, duke u pozicionuar kush përkrah Berishës, e kush përkrah Klodian Saliut. “Ndarja mes tyre erdhi për shkak të mos mbajtjes nën kontroll të të gjitha trafiqeve, duke i ndarë në zona, por këtu lindën edhe konfliktet mes tyre”,-thuhet në kërkesën për gjykim.
Tashmë, anëtarët e dy kampeve drejtuan armët kundër njëri-tjetrit, nga përplasja e të cilëve mbeti i vrarë Klodian Saliu dhe i shpëtoi katër atentateve Lulzim Berisha. Banda u shkatërrua vitin e kaluar, në kohën që njeriu që numëronte më shumë vrasje në kurriz, Adriatik Coli, vendosi të dorëzohej, pasi të dyja palët po e kërkonin për ta eliminuar.F.Vezaj
DEBATET:
Mes gjyqtarit Gurali Brahimllari dhe Lulzim Berisha
Berisha: Kërkoj përjashtimin e avokatit që më keni caktuar si mbrojtës?
Gjyqtari: Keni arsye pse kërkoni përjashtimin e tij?
Berisha: Kam konflikte familjare të hershme me familjen e tij.
Gjyqtari: Nuk pranohet kërkesa juaj. Nuk keni ngritur pretendime të mëparshme për avokatin.
Berisha: Dua të mbrohem nga avokatët e mi, Ilia Ilia e Arben Qeleshi. Ata e njohin dosjen time.
Gjyqtari: Ftuesi të shohë nëse avokatët e të pandehurit janë në korridore. (Pasi ftuesi deklaron se nuk ka asnjë nga avokatët e Berishës, reagon gjyqtari). Gjyqi do vazhdojë me avokatin Gjedia derisa në sallë të paraqiten dy avokatët mbrojtës të të pandehurit Berisha.
Berisha: Nuk pranoj të qëndroj më në seancë. Po largohem, më gjykoni në mungesë.
Gjyqtari: Nëse kështu dëshironi, mund të largoheni.