OST-ja deklaron se në të gjithë vendin ka pasur defekte, të cilat kanë shkaktuar kufizime në furnizimin me energji
Tirana, Lezha dhe Laçi, kufizime gjatë orëve të mbrëmjes. Dëmtimi i linjës 220 Kv riparohet deri në fund të muajit
TIRANË- Tirana dhe disa qytetet të vendit do të përballen me kufizime të energjisë, deri në fund të janarit. Kufizimet kanë ardhur si pasojë e dëmtimit të linjës së transmetimit 220 Kv, Vau i Dejes-Lezhë, më datën 30 dhjetor. Sipas drejtorit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Ymer Balla, riparimi i linjës pritet të zgjasë deri në fund të janarit.
Dalja jashtë funksionit e kësaj linje, ka bërë të domosdoshëm aplikimin e kufizimeve në momente piku në qytetet, Tiranë, Lezhë, dhe Laç, të cilat pritet të zgjasin deri në fund të këtij muaji, kur është parashikuar edhe riparimi i plotë i saj. “Brigadat e riparimit të avarive të OST-së janë duke punuar në terren për vënien në punë sa më shpejt të kësaj linje, ku, si pasojë e motit të keq janë të dëmtuara nëntë shtylla”, - tha Balla.
Sipas tij, stakimi i nënstacionit të Shkodrës si pasojë e kësaj avarie ka lënë pa energji zonën Tiranë-Lezhë, e cila aktualisht po furnizohet nga nënstacioni i Tiranës. “Mbingarkesa në këtë nënstacion ka bërë që kufizimet në kryeqytet të aplikohen në mënyrë të alternuar nga ora 18:00 deri në 20:00, kur është edhe ngarkesa më e madhe. Ne po bashkëpunojmë me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, për hartimin e një skeme të alternimit të ndërprerjeve, në mënyrë që konsumatorët të mos përballen me kufizime të gjata”, - theksoi ai, duke siguruar se do të ketë ndërprerje vetëm në rast mbingarkese të madhe.
Riparimi brenda afatit të mësipërm i dëmtimit do të varet edhe nga tekat e motit në këto zona. “Sigurisht riparimi në kohë dhe eliminimi i kufizimeve, pavarësisht punës së brigadave të riparimit të avarive, do të varet edhe nga situata atmosferike, pasi defekti ka ndodhur në një zonë mjaft të vështirë për dërgimin e materialeve”, - tha drejtori i OST-së.
Për shkak të defekteve në disa linja, kryesisht në verilindje të vendit, gjatë ditëve të para të vitit pati mbingarkesa edhe në linjat që furnizojnë qytetet e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, të cilat u përballen me kufizime për të evituar dëmtimet e mëtejshme. I pyetur për ecurinë e punimeve në linjën e interkonjeksionit Elbasan-Tiranë-Podgoricë, e cila në përfundim të saj pritet të sjellë një përmirësim të dukshëm të kapaciteteve transmetuese të vendit, Balla siguroi se kjo linjë do të përfundojë brenda vitit 2009.
“Punimet për ndërtimin e kësaj linje kanë ecuri të mirë dhe pritet qe të përfundojë deri në fund të vitit. Konkretisht, janë vendosur 130 shtylla dhe janë ndërtuar 190 bazamente për vendosjen e tyre”, - tha Balla. Eksperienca e viteve të kaluara ka treguar se, pavarësisht blerjes së energjisë në tregjet e huaja, shtetet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë, kanë hasur vështirësi në gjetjen e rrugëve të lira për transmetimin e saj në vend.
Gjetja e këtyre hapësirave ishte dhe qëllimi i ngritjes së një qendre rajonale koordinative me seli në Podgoricë për zhvillimin e ankandeve dhe lehtësimin e procedurave për importin e energjisë, për vendet e Evropës Juglindore, në të cilën bën pjesë edhe Shqipëria.
“Mbingarkesa në këtë nënstacion ka bërë që kufizimet në kryeqytet të aplikohen në mënyrë të alternuar nga ora 18:00 deri në 20:00, kur është edhe ngarkesa më e madhe.”