Çmimet e zarzavateve pësuan në dhjetor një rritje 20-50% krahasuar me një muaj më parë. Inflacioni, 2.2%
TIRANË- Edhe pse konsiderohet si një nga periudhat kur bëhen më shumë shpenzime, dhe për pasojë vërehet rritje çmimesh, për muajin dhjetor 2008, ato kanë shënuar një rritje vetëm me 1 për qind në krahasim me muajin e paraardhës. Nga praktika e viteve të mëparshme, dhjetori ka shënuar shifra disi më të larta në krahasim me muajt e tjerë, kjo si pasojë e shpenzimeve të ndryshme që kanë të bëjnë me festat e fundvitit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, rritje të konsiderueshme kanë pësuar zarzavatet.
Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të kastravecave, specave dhe patëllxhanëve, me mbi 50 për qind, lulelakrës me 22.0 për qind, domateve me 20.6 për qind, etj. Gjithashtu, edhe indeksi i nëngrupit “fruta”, shënoi një rritje në total prej 7.5 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të bananeve me 5.7 për qind, dardhave me 4.9 për qind, mollëve me 4.9 për qind, kivit me 3.6 për qind, etj.
Gjatë muajit dhjetor, çmimet janë rritur edhe për artikuj ushqimorë, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet, si mishi me 1.4 për qind, qumështi, djathi e vezët me 0.4 për qind, pije jo alkoolike me 0.1 për qind, etj.
Sipas të dhënave nga INSTAT-i, përveç rritjeve të çmimeve në nëngrupet e mësipërme, treguesit për muajit dhjetor pasqyrojnë edhe ulje në disa nëngrupe të tjera. Janë çmimet e frutave, ato të cilat kanë pësuar rritje në krahasim me muajin paraardhës, duke prishur edhe traditën e përvitshme të rritjes artificiale të çmimeve të këtij nëngrupi në prag të festave.
Kështu, çmimi i portokajve është ulur me 2.8 për qind, limonëve me 1.6 për qind dhe i mandarinave me 0.5 për qind. I ndikuar më së shumti nga faktorët e jashtëm, indeksi i grupit “Transport”, shënoi në total një ulje prej 2.9 për qind në krahasim me nëntorin e vitit 2008. Ne këtë nëngrup, çmimi i naftës u ul me 11.6 për qind dhe ai benzinës me 12.4 për qind.