Gjykata Kushtetuese, ikën Sauli, vjen Thanza
Kreu i shtetit Bamir Topi, ka emëruar Admir Thanzën si anëtarin më të ri të Gjykatës Kushtetuese. Duke zbatuar të drejtën e vet kushtetuese, Presidenti i Republikës ka shpallur dje dekretin për emërimin e Thanzës në Gjykatën e Lartë,
Fejzi Braushi
Enjte, 08 Janar 2009 09:31:00
Presidenti dekreton Admir Thanzën për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Nuk e përfshiu në listën e anëtarëve për Gjykatë të Lartë
TIRANË- Kreu i shtetit Bamir Topi, ka emëruar Admir Thanzën si anëtarin më të ri të Gjykatës Kushtetuese. Duke zbatuar të drejtën e vet kushtetuese, Presidenti i Republikës ka shpallur dje dekretin për emërimin e Thanzës në Gjykatën e Lartë, por me një mandat plotësues të vendit të mbetur vakant pas daljes në pension të gjyqtarit tjetër Gjergj Sauli, i cili më 27 dhjetor mbushi 70 vjeç.
Por, ashtu siç edhe e përcakton Kushtetuta dhe ligji i organizimit të Gjykatës Kushtetuese, shpallja e dekretit nga e kreut të shtetit për këtë emërim shënon vetëm nisjen e procedurës së zgjedhjes së këtij gjyqtari në këtë post të lartë. Kjo pasi gjyqtari Admir Thanza mbetet ende një kandidaturë për anëtar të kësaj gjykate, pasi i mbetet Kuvendit tashmë e drejta për të dhënë pëlqimin, pëlqim, i cili ashtu si dhe në rastin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, do një votim të fshehtë me kuti.
Megjithatë, duket se ndryshe nga precedenti i propozimeve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, emri i Thanzës nuk pritet të shkaktojë ndonjë surprizë në Kuvend nga ana e mazhorancës, votat e së cilës do të mjaftonin për të ezauruar procedurën e dhënies së pëlqimit, për vetë faktin se ai vjen në përputhje me procedurat që ligji i përcakton kreut të shtetit, por edhe se ai do të ketë vetëm një mandat të kufizuar në një vit e gjysmë, aq sa i kishte mbetur edhe ish-Kryetarit të kësaj gjykate, Gjergj Sauli.
Por, procedura e emërimit të tij si anëtar i kësaj gjykate nuk mbaron vetëm me miratimin e Kuvendit, pasi ai duhet të kalojë edhe një fazë tjetër thjesht formale të dekretimit, përsëri nga ana e kreut të shtetit. Emërimi i Thanzës pritet të ndryshojë edhe balancat në Gjykatën Kushtetuese në favor të së djathtës, kjo për shkak të një rrjedhe logjike, e cila ka të bëjë me faktin se vetë mazhoranca qeverisëse nuk do të pranonte që të votonte një propozim të kreut të shtetit, në rast se nuk do të kishte besim tek një kandidaturë e tillë.
Natyrisht, mazhoranca, për shkak të një sërë disfatash që ka pësuar në Gjykatën e Kushtetuese për një sërë ligjesh me peshë, do ta shfrytëzojë këtë rast për të emëruar një gjyqtar që do t’i jepte garanci se do të votonte pro saj në një sërë çështjesh të tjera që gjenden apo që pritet të shkojnë në këtë gjykatë, siç është rasti i ligjit të legalizimeve apo edhe ai dosjeve të ish- bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.
Interesant është fakti se emri i Thanzës ka qenë pjesë e listës prej 100 gjyqtarësh që kërkuan të bëhen pjesë e Gjykatës së Lartë në qershorin e shkuar, por që atëherë kreu i shtetit nuk e mori në konsideratë. Ai ka një përvojë pune si gjyqtar prej 17 vjetësh, është aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në këtë mënyrë, emërimi i tij në Gjykatën Kushtetuese do të krijojë nga ana tjetër një vend vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ai ka gjykuar çështjen e konfliktit mes Byrosë Shqiptare të Sigurimeve dhe familjes së ish-Presidentit Moisiu, objekt i së cilës kanë qenë lekët që kompania e sigurimeve i ka paguar familjes ish-presidenciale për humbjen e jetës së Admir Moisiut gjatë një aksidenti automobilistik në jug të vendit.
|