Nisma e re ligjore ka si qëllim ngritjen e një instituti të posaçëm për studimin e fakteve që kanë të bëjnë me periudhën e diktaturës komuniste
TIRANË- Në prag të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare, kreu i qeverisë Sali Berisha, i është rikthyer edhe një herë kartës së antikomunizmit, me të cilën mundi të vijë në pushtet gati 17 vjet më parë. Në zbatim të kësaj filozofie, pasi miratoi me kundërshtimin e ndërkombëtarëve dhe opozitës ligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë, ai, dje ka lançuar një nismë të re ligjore, e cila do të ketë si qëllim ngritjen e një instituti të posaçëm që do të studiojë dhe do të publikojë të gjitha faktet shkresore ose jo, që kanë të bëjnë me periudhën e diktaturës komuniste.
Gjithashtu, po dje, ai ka paralajmëruar dhe një sërë nismash të tjera në funksion të kësaj çështjeje, dhe, më konkretisht, ngritjen e një obelisku në kujtim të viktimave të komunizmit, në vendin ku më parë ngrihej statuja e ish-diktatorit Enver Hoxha, apo edhe hapja e një muzeu të posaçëm për ekspozimin e të gjitha dokumenteve dhe materialeve të tjera që vërtetojnë dhunën e sistemit komunist për 45 vjet me radhë.
Projektligji
Megjithëse nuk e ka miratuar ende, vetë Këshilli i Ministrave ka publikuar dje disa nga pikat e draftit ligjor, i cili do të shërbejë për ngritjen e institutit të studimeve të krimeve dhe pasojave të sistemit komunist në Shqipëri, ku dhe jepen disa nga objektivat, ku dhe do të përqendrohet aktiviteti i tij.
Duke iu referuar nenit 4 të këtij projektligji, vërehet qartë fakti se këtij instituti i jepen atributet e një instituti të historisë, pasi ky institucion mund ta bëjë vetë vlerësimin e gjithanshëm të asaj periudhe, duke filluar që nga ideologjia komuniste, mbartësit e saj, zbatuesit, viktimat, etj. Kështu, puna e tij do të nisë me analizimin e shkaqeve dhe rrugët e vendosjes së regjimit komunist, dokumenteve që vërtetojnë përfshirjen e personave shqiptarë, por edhe të huaj, që mbështetën ardhjen e këtij regjimi dhe të atyre që bënë rezistencë kundër tij.
Në bazë të këtij neni, instituti do të studiojë dhe vlerësojë periudhën e regjimit komunist, duke i dhënë atij gjithashtu kompetencën për të lëvruar të gjithë dokumentacionin që deri më tani është konsideruar sekret, që nga identifikimi i akteve ligjore e nënligjore, sekrete dhe jo sekrete, të përgatitura apo të miratuara nga të gjitha institucionet, organet dhe autoritetet shtetërore dhe kushtetuese, të cilat kanë shërbyer si bazë e organizimit dhe funksionimit të të gjithë aparatit represiv të sistemit komunist.
Gjithashtu, ai do të studiojë dhe vlerësojë ndërtimin dhe organizimin institucional, si dhe veprimtarinë antidemokratike dhe kriminale të strukturave shtetërore të regjimit komunist, veçanërisht të organeve dhe strukturave të sigurisë së shtetit. Por, veprimtaria e këtij institucioni nuk do të bazohet vetëm në faktet shkresore, pasi ai do të ketë të drejtën që, për të bërë vlerësimin e kësaj periudhe, të grumbullojë të dhëna jo vetëm dokumentare, por dhe dëshmi që i shërbejnë ndriçimit të veprimtarisë së organeve e strukturave të sigurisë së shtetit, të formave të persekutimit dhe të rezistencës kundër tyre.
Përplasja
Projektligji në fjalë shënon dhe një handikap të madh sa i përket përplasjes me ligjet e tjera dhe kryesisht atij për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë, i cili u miratua vetëm pak ditë më parë.
Problemi qëndron pikërisht në faktin se, ndërsa ligji i pastërtisë së figurës ndalon publikimin e të dhënave që do të dalin nga kontrolli i dosjeve të personave që do të rezultojnë në konflikt me këtë ligj, drafti i ri parashikon të drejtën që ka instituti që do të krijohet, për të evidentuar personat që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse, përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar direkt ose indirekt në veprime represive në jetën sociale dhe kulturore, përfshirë këtu luftën e klasave, por edhe publikimin e tyre në botime apo në internet.
“Instituti ka për detyrë të informojë publikun mbi krimet e rrjedhojat e tjera të luftës së klasave, të sistemojë dhe botojë kujtime e memorie të të dënuarve politikë në burgje dhe kampet e përqendrimit, të përpunojë në formë elektronike të gjithë dokumentacionin dhe krimet e regjimit komunist”, - thuhet në një nga pikat e nenit katër të kësaj nisme ligjore.
Gjithashtu, ky institut ka për detyrë të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse të arsimit për përfshirjen në planet dhe programet mësimore të shkollave të të gjitha niveleve informacion të mjaftueshëm mbi krimet e komunizmit dhe pasojat e këtij sistemi në Shqipëri.