Shtune, 13 Mars 2010 16:02:56

Lexoni versionin Print

Topi-Sejdiu: Në pranverë nis “Shengeni” shqiptar

“Shqipëria e madhe” do të nisëtë përvijohet prej pranverës së ardhshme me një “shengen” shqiptar, që do të jetë si shembull për një “minishengen ballkanik”.

Nga i dërguari në Prishtinë, Arben Rrozhani
Premte, 09 Janar 2009 09:32:00

Presidenti Topi, takime në Prishtinë. Premtohet lëvizja e lirë mes dy vendeve pas tre muajve

TIRANË- “Shqipëria e madhe” do të nisëtë përvijohet prej pranverës së ardhshme me një “shengen” shqiptar, që do të jetë si shembull për një “minishengen ballkanik”. Presidentët e Shqipërisë dhe të Kosovës, në takimin e tyre të parë zyrtar në Prishtinë, 11 muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, premtuan se brenda tre muajsh, mes dy pjesëve të ndara të trungut shqiptar, do të nisë lëvizja e lirë e njerëzve. “Së shpejti do të ketë një marrëveshje për lëvizje të lirë të njerëzve mes dy shteteve dhe kjo do të ndodhë brenda tre muajve”, - u shpreh Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, gjatë konferencës për shtyp me homologun kosovar, Fatmir Sejdiu.

Ky i fundit u shpreh shumë i kënaqur për zhvillimet e pritshme, duke theksuar se: “Kjo do të shërbejë në lëvizjen e njerëzve pa pasaporta mes dy anëve të kufirit dhe do të jetënjë shembull për vendet e tjera të rajonit, siç është Mali i Zi apo Maqedonia”. Presidenti i Shqipërisë iu rikthye termit shengen ballkanik, i përdorur për herë të parë nga ish-kryeministri Nano në Samitin e Selanikut në 2003-shin dhe që parashikonte që vendet e rajonit të hiqnin barrierat kufitare, duke mundësuar qarkullimin e lirë të njerëzve në vendet e Ballkanit Juglindor.

Për ta bërë sa më të qartë, Presidenti kosovar Sejdiu, përmendi ritualin e përvitshëm të qeverisë së Tiranës për lëvizjen e lirë të shtetasve të Kosovës, gjatë sezonit turistik në Shqipëri, me qëllim inkurajimin e të ashtuquajturit “turizëm patriotik” në bregdetin shqiptar, në periudhën qershor-gusht. “Shengeni ballkanik” dhe lëvizja e lirë mes dy vendeve ishte temë e bisedimeve e Presidentit Topi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas projektit që është ende në duart e ekspertëve, shtetasve të Shqipërisë dhe të Kosovës do t’u duhet një dokument i çfarëdoshëm identifikimi për të kapërcyer kufijtë. Ashtu si dhe në takimin mes dy presidentëve, edhe me takimin me kreun e qeverisë së Prishtinës, u theksua rëndësia e madhe që merr mbarimi i segmentit rrugor Durrës-Kukës-Morinë dhe më pas vijimi i segmentit që do të ndërtohet nga pala kosovare.
 
“Do të bëjmë edhe ne punën tonë për ta ndërtuar sa më shpejt këtë segment rrugor deri në Merdare”, - premtoi Presidenti Sejdiu, ndërsa kryeministri Thaçi u shpreh se, me gjithë vështirësitë, qeveria e Kosovës do të bëjë të pamundurën për të vijuar segmentin rrugor që do të krijojë akses për Kosovën drejt bregdetit Adriatik.

Ndërsa sot është parashikuar një takim i gjerë mes komunitetit të biznesit të të dy vendeve, Topi në takimet e tij me Sejdiun dhe Thaçin theksoi rëndësinë që merr bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, si në tregti, në energjetikë, sigurime, hapja e pikave të reja kufitare dhe doganore, etj., duke lidhur edhe më shumë të dyja vendet dhe duke i dhënë hov zhvillimit.

Diplomacia

Presidenti Bamir Topi ishte dje për herë të dytë në Prishtinë, në harkun kohor të një viti. Vizitën e parë e kreu në fund të janarit 2007, vetëm tri javë para se Kosova të shpallej shtet i pavarur, më 17 shkurt 2007. Duke iu rikthyer asaj vizite, Topi u shpreh: “Vizita ime e parë ishte në të njëjtin ambient si sot dhe pavarësia lexohej te të gjithë, dhe atëherë u shpreha se pavarësia është çështje orësh”. Ai e komentoi nisje të mbarë të vitit 2009 vizitën e parë zyrtare jashtë vendit, me takimet në Kosovë.

Por, ndërsa një vit më parë Shqipëria nuk e kishte ngritur nivelin e përfaqësimit në nivel ambasadorësh, sepse Kosova nuk ishte shpallur ende shtet i pavarur, tani, 11 muaj pas aktit të pavarësisë, në Prishtinë, Tirana zyrtare vijon të përfaqësohet me të ngarkuar me punë, që është z. Arben Çejku. Pak muaj më parë, diplomati Islam Lauka ishte propozuar si ambasadori i Shqipërisë, në Prishtinë, por qeveria ende nuk e ka dërguar emrin e tij në zyrën e Presidentit.

Duke komentuar këtë realitet aspak dinjitoz për Shqipërinë, Topi u shpreh dje se: “Në takimin me Presidentin Sejdiu u bisedua për këtë çështje, ky është një sensibilizim në tavolinën time dhe do të kemi një emër”. Nga ana e tij, Presidenti Sejdiu u përpoq t’i zvogëlojë përmasat e krizës së përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë në Kosovë duke u shpreh: “Shqipëria e ka ambasadën e saj në Kosovë“.


Deri më tani vetëm 53 shtete e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur

Njohja e Kosovës, Shqipëria shpreson te Lidhja Islamike

PRISHTINË- Megjithëse po mbushet gati një vit nga shpallja e pavarësisë, vetëm 53 shtete e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ky fakt është bërë temë bisedimesh dhe akuzash për paaftësinë e qeverisë së Prishtinës, por edhe asaj të Tiranës që të bëjnë lobing pranë shteteve që janë skeptike dhe ngurrojnë ta njohin shtetin më të ri në Ballkan, por edhe të bëjnë diplomaci agresive me shtetet që janë kategorikisht kundër këtij realiteti të ri në Ballkan.

“Njohja e Kosovës është një rrugë pa kthim, sepse është realitet i ri”, - u shpreh Presidenti Topi në konferencën e djeshme për shtyp me kryeministrin Thaçi. Duke komentuar ngecjen e njohjeve të reja, Topi u shpreh i sigurt se do të ketë njohje të Kosovës nga ana e vendeve të Lidhjes Islamike në bllok dhe se shpresonte te një inkursion diplomatik në vendet e Amerikës Latine.

Nga ana tjetër, Presidenti shqiptar siguroi përkrahjen e Tiranës zyrtare për anëtarësimin e Kosovës në organizma të rëndësishëm financiarë, siç janë Banka Botërore apo FMN-ja. Edhe në fjalën e mbajtur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Presidenti Topi u shpreh se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe shpejtimi i procesit të integrimit të saj në BE, do të jetë një ndihmë e madhe për Kosovën, e cila së shpejti do t’u bashkangjitet këtyre proceseve Euroatlantike.

Ai i bëri thirrje qeverisë së Serbisë që të bashkëpunojë me qeverinë e Kosovës për një shtet ku të gjithë shtetasit të ndjehen të barabartë, dhe u shpreh i sigurt se incidentet më të fundit në Mitrovicë nuk do të ndikojnë në situatën e përgjithshme në Kosovë. “Bota nuk do të lejojë që incidentet e dhunshme të pengojnë rrugën integrimit të Kosovës”, - u shpreh Presidenti Topi.


Dhuratat, Topi merr portretin, Thaçi veprat e Kadaresë

TIRANË- Është pak të thuash vëllazërore, për atmosferën e pritjeve dhe takimeve zyrtare mes Presidentit Topi dhe liderëve të Kosovës. Në përfundim të konferencës së shtypit Topi-Thaçi, kryeministri shpalosi para gazetarëve dhuratën për kreun e shtetit të Shqipërisë, dhe ai ishte një portret me përmasa reale, i bërë nga një artist kosovar.

Ndërsa shpalosej portreti, dhe kameramanët kërkonin filmimin e saj të plotë dhe jo të fshehur pas dy foltoreve, Presidenti Topi refuzoi dhe, duke qeshur, u justifikua: ”Unë nuk mund të ngre vetveten”. Nga ana e tij, Presidenti Topi i dhuroi kryeministrit Thaçi kolanën e plotë të botimeve të shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare.

Në kohën që Presidenti zhvillonte agjendën e tij zyrtare në Presidencë, Kryeministri dhe Kuvendin e Kosovës, zonja e Parë, Teuta Topi, e shoqëruar nga Zonja e Parë e Kosovës, zonja Sejdiu, vizitoi një institucion arsimor, “Sos-Kinderdorf” në Prishtinë, ku shpërndanë edhe disa dhurata për fëmijët e qendrës. Dita e dytë dhe e fundit e vizitës zyrtare, sot do të vijojë me vizita në Komunën e Prishtinës, në Ferizaj, ku Topit do t’i jepet titulli “Qytetar Nderi” dhe më pas me takimin e grupeve të biznesit mes dy vendeve.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML