Dhjetëra policë kanë rrethuar redaksinë e gazetës duke penguar gazetarët që të hyjnë brenda. Sot nis sulmi i dytë
TIRANË- Policia e kryeqytetit tenton të nxjerrë me forcë nga ambientet e saj gazetarët e gazetës “TemA”. Forca të shumta të komisariatit të Ruajtjes së objekteve u dynden mbrëmë në zyrat e redaksisë duke krijuar një situatë të tensionuar. Prej disa ditësh, gazetarëve iu është dashur të përballen vazhdimisht me forcat e rendit të cilët janë urdhëruar të bëjnë lirimin e ambienteve ku ndodhet gazeta. Gazetarët kanë arritur që të hyjnë pothuajse me forcë brenda redaksisë së tyre por kjo ka rrezikuar seriozisht publikimin e gazetës.
“Prej disa orësh, forca të shumta policie mbajtën nën rrethim redaksinë duke mos lejuar hyrjen në ambientet e brendshme të gazetarëve duke krijuar një situatë të tensionuar. Pavarësisht pengesave më në fund disa prej nesh munden të hyjnë. Është ora 20:00 dhe ne ende nuk kemi filluar nga puna për botimin e gazetës”,- u shpreh botuesi Mero Baze.
Veprimin më të fundit të forcave të rendit, Baze e cilësoi si një akt në kundërshtim të plotë me ligjin pasi procesi është ende nën gjykim. Sipas tij, vendimi i qeverisë për lirimin e ambienteve të gazetës është në kundërshtim me vendimin e gjykatës më datë gjashtë janar, e cila ka urdhëruar bllokimin e çdo veprimi nga ana e policisë deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga ana e saj. “Në datën 6 janar ne kemi fituar gjyqin me Ministrinë e Ekonomisë për prishjen e njëanshme të kontratës nga kjo e fundit.
Po në këtë datë, gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin që të mos merret asnjë veprim deri në përfundim të procesit gjyqësor. Deri në përfundim të këtij procesi, askush nuk ka të drejtë të na pengojë për asgjë”,- theksoi Baze. Prej disa muajsh gazeta “TemA” është përfshirë në një konflikt të hapur me qeverinë për shkak të qëndrimit të saj kritik ndaj çështjeve si ajo e Gërdecit, rrugës Durrës-Kukës, çështjes Fazlliç, etj. Duke siguruar se botimi i gazetës nuk do të mund të pengohej asnjëherë, Baze e cilësoi veprimin më të fundit të policisë si një akt të pastër politik. “Vendndodhja e redaksisë është shumë larg nga shtypshkronja e kartave të identitetit dhe nuk ka të bëjë fare me të”,- tha ai.
Por shou i policisë duket se ka zgjatur pak. Sapo kanë mbërritur mediat e tjera të cilat nisën të pasqyronin ngjarjen, forcat e rendit kanë marrë urdhër që të largohen. Por përpara se të iknin ato kanë lëshuar edhe një kërcënim të fundit duke thënë që nga dita e nesërme (e sotme) nuk do të lejonin më hyrjen në redaksi të asnjë gazetari.
“Komandanti i tyre më komunikoi se duke filluar që nesër, asnjë gazetar nuk do të lejohet më të hyjë në redaksi”,- tha dje në mbrëmje botuesi Baze. Më tej, ai deklaroi se ishte kontaktuar edhe nga ambasada amerikane të cilët i kishin shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me ngjarjen. “Ambasada Amerikane bën thirrje për ndjekjen e rrugës ligjore për zgjidhjen e kësaj çështjeje”,- u shpreh ai.
Botuesi i gazetës ka shpjeguar se policia kishte marrë urdhrin e prerë që të mos lejonte botimin e gazetës
Baze: Është një akt me prapavijë politike
Botuesi i gazetës “TemA” ka shpjeguar dje gjithçka që ndodhur në mjediset e redaksisë së tij dhe sulmin e policisë. “Ambientet e redaksisë së gazetës “TemA” janë rrethuar në mesditë nga forcat e policisë së mbrojtjes së objekteve dhe nuk kanë lejuar gazetarët të hyjnë brenda. Që nga koha e rrethimit dhe deri në orën 19:00 mundën të hyjnë vetëm djemtë ndërsa vajzat nuk lejoheshin ende duke e bërë situatën tejet të shëmtuar me anë të së cilës përpiqeshin të shkaktonin incidente.
Pas kësaj skene nervoze, ne arritëm të hyjmë në redaksi, siç e shihni është ora 20:00 dhe ende nuk kemi filluar nga puna për botimin e gazetës. Më pas unë e thirra në zyrën time përgjegjësin e grupit të forcave të rendit, i cili me komunikoi se kishte urdhër të prerë qe të mos lejonte botimin e gazetës për ditën e nesërme (sotme). Unë i thashë ne kemi hyrë dhe nuk dalim dot me forcë nga redaksia, më pas ai kontaktoi me shefat e tij ndoshta me drejtorin e përgjithshëm të policisë dhe ministrin e Brendshëm.
Pas kësaj bisede me eprorët ai më komunikoi se sonte nuk mund t’ ju nxjerrim por duke filluar nga nesër (sot) nuk do t’ ju lejojmë më të hyni në ambientet e gazetës. Pra, sipas policisë, prej nesër ne nuk mund të hyjmë në redaksi, madje dhe hyrja e sotme konsiderohet nga ata si hyrje me dhunë nga ana jonë”,- tha botuesi Baze. Ai theksoi se ky është një akt totalisht me prapavijë politike.
“Ne jemi në një territor që e kemi ndërtuar vetë, ky vend ka qenë thjesht një gërmadhë dhe e kemi marrë për 20 vjet me detyrimin për të investuar. Ne e kemi bërë këtë dhe tani na nxjerrim jashtë për shkak të qëndrimeve politike. Këtu janë edhe dy shtypshkronja të tjera, të cilat nuk kanë lidhje fare me shtypshkronjën e kartave të identitetit, e cila është një km larg nga këtu”,- pohoi Baze.
REAGIMI I SHBA
Menjëherë pas aktit të policisë ka reaguar edhe Ambasada Amerikane në Tiranë. Një zëdhënës i Ambasadës Amerikane, i pyetur në lidhje me aktin e policisë përkundrejt gazetës “TemA”, tha: Me sa dimë, ka një vendim gjyqësor në lidhje me këtë çështje. Nxisim ndjekjen e një procesi të rregullt ligjor.
Justifikimi për prishjen e kontratës
TIRANË- Argumenti ligjor i përdorur për prishjen e kontratës me kompaninë “Mediasoft” është se paraqet rrezik kombëtar, kurse tri të tjerat jo, edhe pse të gjitha janë kompani biznesi. Të paktën këtë lë të kuptojë shkresa e ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, e firmosur më 16 dhjetor të vitit 2008.
Urdhri i ministrit Nishani kërkon largimin e shoqërisë nga ambientet e Tipografisë Ushtarake, duke e argumentuar me faktin se aty do të prodhohen kartat e identitetit, dhe gazeta “TemA” cenon sigurinë e tyre. Por Baze thotë se vendi për kartat e identitetit nuk ka asnjë lidhje, as fizike, as afërsie me vendin ku ndodhet gazeta.
“Duke mos gjetur asnjë pikë të shkelur të kontratës, kryeministri Berisha ka shpikur çështjen e sigurisë kombëtare. Por dhe një gjë e tillë nuk qëndron, për shkak se rrëzohet nga një vendim qeverie, që është marrë në nëntor dhe që lejon të vendosë në këto mjedise dhe një shtypshkronjë tjetër, atë të letrave me vlerë. Kjo tregon se nuk ka rrezik të ketë dhe operatorë të tjerë”.
Investimi 400 mijë euro në një godinë të shkatërruar dhe vendimi i qeverisë për të prishur kontratën ligjore
Kontrata e gazetës ka vlerë për 20 vjet
TIRANË- Kompania që boton gazetën “TemA” ka fituar me ankand për 20 vite të drejtën për të investuar në një sipërfaqe 647 metra katrorë, në një aneks të ish-Tipografisë Ushtarake. Brenda një viti ajo ka investuar mbi 200 mijë euro në punime dhe rikonstruksion të gërmadhave që ishin aty dhe mbi 400 mijë euro makineri shtypshkrimi.
Në tetor të vitit 2008, Ministria e Brendshme kërkon prishjen e kontratës me argumentimin se në ish-ambientet e Tipografisë Ushtarake ka përfunduar Qendra Kombëtare e Prodhimit të Kartave të Identitetit. Në shkresën e ministrit Nishani është kërkuar vetëm largimi ikompanisë “Mediasoft”.
Në asnjë prej shkresave nuk përmendet as edhe një fjalë për tre shoqëri të tjera që ushtrojnë aktivitetin e tyre në të njëjtin vend me Qendrën Kombëtare të Kartave të Identitetit. Kështu në mjediset e Tipografisë Ushtarake gjenden aktualisht katër biznese, së pari, Tipografia e mbetur Ushtarake, Ndërmarrja e Letrave me Vlerë, kompania “Sagem” që ka fituar tenderin e kartave të identitetit dhe kompania që boton gazetën “TemA”. Kompania që boton gazetën “TemA” ka qenë e para që ka fituar një ankand për të shkuar aty. Të tjerat kanë ardhur një vit më pas.