Drejtori i QKCSA-së, Kalo, shpjegoi të rejat që do të sjellë reforma e futjes së spitaleve në skemën e sigurimeve
Isuf Kalo
Doktorë që japin barna dhe receta të panevojshme për interesat e tyre. Spitalet dhe Ministria që fajësonin gjithnjë njëri-tjetrin për mangësi dhe korrupsion. Madje, edhe shërbimet që u janë dhënë pacientëve, kurrë nuk u është ditur kostoja. Këto janë disa nga anomalitë e sistemit aktual të spitaleve që, sipas profesor Isuf Kalos, drejtor i Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, me futjen e spitaleve në skemë, do të marrin fund.
Por, nga ana tjetër, ai shpjegon se kjo reformë po bëhet në një fazë delikate dhe në kurriz të pacientëve. E ndërsa spitalet dhe ISKSH-ja do t’ua shesin shërbimet e tyre pacientëve, nuk është parashikuar asgjë nëse do të ketë zhdëmtim në rastet kur pacienti dëmtohet nga ndonjë gabim njerëzor i doktorëve.
Tashmë spitalet do të jenë në skemën e sigurimeve shëndetësore. Cilat janë ndryshimet që do të sjellë kjo reformë?
Reforma që po bëhet në sistemin shëndetësor ka të bëjë me disa ndryshime konceptuale. Së pari, kjo lidhet me vetadministrimin e spitaleve në vendimmarrje dhe vetëmenaxhimin e tyre. Deri më sot, spitalet kanë qenë pronë e Ministrisë së Shëndetësisë, të administruara, financuara dhe kontrolluara prej saj.
Ky menaxhim shumë vertikal, ka rezultuar me defekte. Ka bërë që spitalet të jenë të varura për çdo vendim nga Ministria e Shëndetësisë, çka ka sjellë që vetvetiu të mos funksionojë mirë, qoftë nga kapacitetet e Ministrisë së Shëndetësisë, qoftë edhe nga mungesa e përgjegjësive të spitaleve për gjendjen që ndodheshin. Kjo solli një kulturë të fajësimit reciprok, ku Ministria e Shëndetësisë fajësonte spitalet për korrupsion dhe keqmenaxhim të fondeve dhe, spitalet nga ana tjetër, fajësonin Ministrinë se nuk shpërndan fondet si duhet.
Mënyra e financimit ishte e tillë, duke u ndarë, pra, në zëra. Parat ndaheshin në shërbime, duke u bazuar në planifikimet e një viti më parë, por ky planifikim, në këtë mënyrë, nuk mund të ishte ekzakt, pasi jo çdo vit nevojat janë të njëjta. Ky lloj planifikimi ishte një hap prapa teknologjisë së kohës dhe ishte një paralizë e sistemit shëndetësor.
Tashmë Ministria e Shëndetësisë ruan përgjegjësinë për gamën e shërbimeve që duhet t’u japë pacientëve, p.sh., nëse Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, do të kërkojë që të bëjë vetëm shërbimin e kirurgjisë, pasi ky shërbim i sjell më shumë fitime, dikasteri i shëndetësisë nuk do ta lejojë, por do t’i vërë kushte që të ofrojë shërbimet e domosdoshme.
Pra, Ministria do të luajë rolin rregullator dhe kontrollues mbi spitalet, për standardet, sigurinë dhe detyrimet që kanë spitalet ndaj pacientëve. Tashmë spitalet dalin në tregun shëndetësor, në të cilin do të shesin edhe shërbimet e tyre.
Po anomalitë e tjera që ka vuajtur sistemi aktual, cilat janë?
Anomali ka qenë se, personeli shëndetësor shpenzon paratë e spitalit pa qenë asnjëherë koshient se sa harxhojnë. Pra, deri më sot, nuk janë ditur kostot dhe për çudi asnjëherë nuk janë studiuar ato. Nuk dinë se çfarë kostoje ka një analizë, një vizitë, një operacion apo ndonjë shërbim tjetër.
Mjekët shënonin pa arsye 30 medikamente në receta, ndërkohë që mund të shënonin 3. Jemi vendi që përdorim më shumë antibiotikë se vendet e BE-së, ndërkohë që nuk duhej të ndodhë kështu, pasi nuk është e nevojshme. Spitali funksiononte në një mirëbesim të verbër, ndërkohë që disa nga mjekët edhe mund të kishin bërë marrëveshje me firma farmaceutike, apo subjekte të tjera në interes të tyre. Doktorët asnjëherë nuk kanë dhënë llogari për këto shpërdorime, por me futjen e spitaleve në skemë nuk do të ndodhë më.
Deri më sot sistemit i ka munguar ekonomizmi. Spitalet, me autonominë që fitojnë, nuk do të kenë të drejtë t’i ankohen askujt për mangësitë. Nuk do të kenë mundësi të mbajnë një administratë të mbifryrë sa sot, apo personel shëndetësor ta panevojshëm. Mjekët nuk do të mund të mbushin receta të panevojshme apo të bëjnë vizita fiktive dhe shërbime të tjera nëse vërtet pacienti nuk e ka të nevojshme. Si pasojë, kjo reformë do të vendosë mekanizmin e vendosjes së standardeve që do të sjellë garanci për pacientët.
Folët për anët pozitive që sjell reforma, për mënyrën se si do të funksionojnë spitalet. Sa u takon personave që do të kenë nevojë për këto spitale, çfarë do të përfitojnë, përderisa tashmë, duhet të paguajnë nëse nuk janë të siguruar?
Në fakt, duhet të pranojmë se reforma po bëhet në një fazë delikate. Pikërisht në kohën kur kontingjenti, për të cilin bëhet kjo reformë, pra, pacientët dhe qytetarët janë të papërfshirë në këtë proces.
Paradoksi është se, ky kontingjent, janë pikërisht konsumatorët dhe paguesit për shërbimet që do marrin. Ata nuk janë përfshirë në këtë proces, pasi nuk janë mirinformuar dhe të organizuar. Pra, nuk kanë pasur ndonjë përfaqësi që të diskutonin dhe të mbronin interesat e tyre, në kohën kur është hartuar projektligji.
Duke qenë se pacientët tashmë do të blejnë shërbim, pra, do të paguajnë, përjashto kategori të veçanta si fëmijët, invalidët, etj., përse nuk është parashikuar asnjë zhdëmtim financiar në momentet kur pacienti pëson dëmtime për faj të ndonjë mjeku?
Është një problem që e kam ngritur edhe vetë kur diskutuam në Ministrinë e Shëndetësisë. Aspekti tjetër i pasaktë në këtë reformë që po ndërmerret, është çështja e sigurisë së pacientëve, por edhe e personelit shëndetësor. Mund të them se spitalet janë ambiente të rrezikshme, çka do të thotë se ka edhe gabime njerëzore nga mjekët që mund të dëmtojnë shëndetin e pacientëve, madje deri në vdekje.
Por, nga ana tjetër, nuk ka asnjë ligj për zhdëmtimin e pacientëve, por as të mjekëve, kur pësojnë ndonjë dëmtim gjatë punës. ISKSH-ja duhej të parashikonte se, nëse pacienti do të paguajë për shërbimin, atëherë edhe nëse dëmtohet për faj të mjekëve, duhet të zhdëmtohet dhe kjo mund t’i kushtojë spitalit sa i gjithë fondi i një viti.
Pra, nëse shet një mall, duhet edhe të mbash përgjegjësi për cilësinë e tij. Në fakt, ky aspekt nuk parashikohet askund, ndonëse vendet e tjera e kanë. Megjithatë, ne si institucion kemi propozuar që të futet në ligjin e Kujdesit Shëndetësor, të përcaktohet edhe zhdëmtimi i pacientëve për gabimet e mjekëve.
Reforma
Kalo: Spitalet duhet të vendosin çmimet për shërbimet
Blerësi është Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe spitalet do të shesin shërbimet e tyre. Këtu, parësore del që duhet të formulohet urgjent një listë shërbimesh të domosdoshme. Kështu u shpreh Isuf Kalo, duke theksuar se në këtë kontekst, spitalet kanë të drejtë të vendosin çmimet për shërbimet që do të ofrojnë.
Kështu që, spitalet duhet të bëjnë një punë intensive për të përcaktuar kostot reale për çdo shërbim, p.sh., se sa kushton një i sëmurë me diabet, me zemër, etj., dhe pikërisht për këto nevojiten udhëzuesit klinikë. Këto, deri më sot, sipas tij, nuk kanë ekzistuar, duke sjellë që disa shërbime të marrin thelën e luanit e disa të tjera thërrimen e pulës.
“Pra, spitalet tashmë duhet të bëhen industri shërbimesh që i prodhon dhe i shet këto shërbime. Kjo do të sjellë një vlerësim korrekt të punës humane të bluzave të bardha. Kemi dëgjuar shpesh ankesat e tyre se kanë rroga të vogla, por askush nga ata nuk ka thënë se sa duhet ta kenë këtë rrogë”, - pohon Kalo, duke shtuar se futja e spitaleve në skemë, do ta rregullojë edhe këtë mangësi që ekziston në sistemin aktual të shëndetësisë.