Sipas zv/ministrit Ivanaj, nuk do të ndryshojë asgjë për pacientët e paraqitur në spital, deri në implementimin e kartës. Synohet të arrihet në 2010-n
Futja e spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore, nuk do të ndryshojë asnjë procedurë për pacientët që paraqiten në spitale, deri në implementimin e kartës së pacientit. Këtë e pohon për gazetën zëvendësministri i Shëndetësisë, Arban Ivanaj, i cili pohon se futja e spitaleve në skemën e sigurimeve do të bëhet duke u bazuar në një strategji të 2007-2013-s.
Ndërkohë, burime pranë dikasterit të Shëndetësisë, pohojnë se deri në qershor të vitit 2010, pacientët do të mund të marrin shërbim falas në spitale, edhe nëse nuk janë të siguruar. Gjithashtu, specialistët shpjeguan çfarë është karta e pacientit dhe avantazhet që sjell ajo.
Reforma spitalore
Reforma spitalore duket se nuk do të prekë xhepat e pacientët, të paktën edhe për një vit, pasi në fazën e parë të kësaj reforme nuk parashikohet kjo. Kështu, pacientët do të vazhdojnë të frekuentojnë spitalet sipas sistemit aktual, pa ndikuar në ndonjë procedurë të veçantë, apo pa nxjerrë dokumentacione të tjera. “Kjo reformë do t’i japë pacientit cilësinë e shërbimit në çdo moment.
Për momentin nuk do të ndryshoje asgjë për pacientet e paraqitur për vizita, deri në implementimin e kartës së pacientit, ku do të ketë edhe detajet e nevojshme”,- pohon Ivanaj. Sipas specialistëve, në fazën e parë do të lidhen kontratat mes spitaleve dhe Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe do të përcaktohen çmimet e të gjitha shërbimeve që do të ofrohen për pacientët.
Karta e pacientit
Me këtë kartë do të identifikohen qartë përdoruesit e skemës së sigurimeve shëndetësore dhe do të përfitojnë nga kjo e fundit. Madje, në kartën e pacientit do të jenë të dhënat e sëmundjes së tij, mënyrat e kurimit dhe të gjitha medikamentet e marra nga ai.
Sipas specialistëve të shëndetësisë, gjithë të dhënat e personave që do të disponojnë kartën e pacientit, do të hidhen në një soft të përpunimit të të dhënave, pra, do të jenë të kumpjuterizuara. “Me anë të kësaj karte do t’u vihet në ndihmë pacientëve për të marrë një shërbim sa më cilësor dhe, mbi të gjitha falas, për ato shërbime që ofrohen në skemë”,- pohojnë specialistët e shëndetësisë.
Të rejat që sjellin spitalet në skemën e sigurimeve
1. Me hyrjen në fuqi të këtij projektligji do të arrihet akses i plotë i skemës së sigurimeve shëndetësore në të gjithë shërbimet shëndetësore
2. Synohet ndryshimi i statusit ligjor dhe financiar i institucioneve shëndetësore.
3. Synohet rregullim më i plotë ligjor i çështjes së sigurimeve private në Shqipëri.
4. Krijohen mundësi që fondi të jetë selektiv në përzgjedhjen e atyre institucioneve dhënëse të shërbimit shëndetësor, me të cilat do të kontraktojë për blerjen e paketës së shërbimeve
5.Synohet shndërrimi i ISKSH-së në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.