Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Cirku i flluskave

Albin Kurti* | 12/01/2009 | Komente | komentet 1 KOMENT | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin



Në vitin 2008 kishim shumë cirk e pak bukë. Shpallja e pavarësisë dhe njohjet e saj nuk sollën më shumë bukë, por më shumë cirk. Para akrobacioneve të politikanëve, qytetarët e kthyer në spektatorë mbeteshin gojëhapur. Jo vetëm sepse të uritur, por edhe sepse të trembur: akrobacionet zhvilloheshin mbi kokat e tyre.

Bëhej fjalë për akrobacione që i rrezikonin spektatorët më parë sesa vetë akrobatët. Krerët politikë të Kosovës mburreshin para qytetarëve të Kosovës, kurse strukturat e Serbisë mburreshin para tyre.

Gjithçka ishte në funksion të ceremonive dhe spektakleve: edhe shpallja e pavarësisë, edhe njohjet e reja, edhe shpallja ilegale në Kosovë e zgjedhjeve të Serbisë të 11 majit, edhe aprovimi i Kushtetutës, edhe konferenca e donatorëve, edhe kundërshtimi i 6 pikëshit nga ana e Sejdiut dhe Thaçit, edhe traktori i Thaçit për bujkun serb, edhe 10.000 eurot e Thaçit për Ali Kadriun, edhe vizitat e politikanëve në veri, edhe vajzat që buzëqeshnin para llojit të ri të patentë-shoferit, edhe përurimi i shkollave pa drita, ujë, ngrohje dhe ushqim për fëmijët, edhe përurimi i rrugëve të gjera milionëshe, që përfundojnë në fytin e ngushtë të Prishtinës, edhe buldozerët e komunës që rrëzonin ndonjë mbindërtim prej teneqes, edhe shkyçjet e KEK-ut nga rrjeti elektrik, edhe akademitë për dëshmorët me politikanët që i kanë braktisur idealet e tyre në saf të parë, edhe urimet për Bajram e Krishtlindje, që VIP-at e pasur ua bëjnë masave të varfra, edhe përkulja te varri i Adem Jasharit çdo herë para e pas kompromiseve, edhe arrestimet e të korruptuarve vendorë dhe të terroristëve ndërkombëtarë, edhe kërcënimet e ministrit të Tregtisë se do të bllokohet tregtia me Serbinë, etj., etj.

Mbase, spektakël nuk ishte vetëm spektakli: ardhja e Richard Holbrooke-ut, arkitektit të ndarjes së Bosnjës, mu në kohën kur dukej qartë se qeveria e Kosovës së pavarur as që e kishte ndërmend, se lëre më të provonte, ta bashkonte territorin e saj (sic.). Po të ishte gjallë Jean Baudrillard-i, gjithsesi do të duhej ta ftonim në Kosovë për ta parë mishërimin e teorisë së tij për "hiper-realitetin".

Shpallja e pavarësisë dhe njohjet e saj në vitin 2008 nuk sollën substancë të re, por edhe më shumë forma të vjetra. Kemi gjendje të luftës pa luftë: nuk jemi në luftë me Serbinë, ndonëse s'kemi marrëveshje të paqes me të.

Kemi gjendje të jashtëzakonshme pa masa të jashtëzakonshme: në çerekun e territorit të kontrolluar nga strukturat paralele të Serbisë nuk ka asgjë të jashtëzakonshme për qeverinë e Kosovës së pavarur.

Kishim trupa mbrojtëse pa mbrojtje: TMK-ja kishte grada, uniforma e kazerma, por jo edhe armatim. Do të kemi forcë të sigurisë pa mbrojtje: FSK-ja me 2.500 pjesëtarë me armatim të lehtë se mbron dot as një qytet e lëre më një shtet. Kemi pavarësi pa sovranitet: pushteti vendor që e shpalli pavarësinë u bë edhe më i varur nga ndërkombëtarët.

Kemi territor pa integritet: Kosova figuron me kufijtë e saj në flamur dhe në harta gjeografike, porse jo edhe në realitet. Kemi integritet pa territor: Qeveria dhe njerëzit e saj na krekosen në emër të shtetit, territorin e të cilit e kontrollon tjetërkush. Kemi Ministri të Punëve të Brendshme, e cila vetë është punë e brendshme e EULEX-it: EULEX-i do të jetë polici mbi policinë.

Kemi Ministri të Energjisë dhe të Minierave pa energji dhe pa miniera: s'kemi drita dhe ministresha nuk disponon më Trepçën. Kemi Ministri të Tregtisë dhe Industrisë pa tregti e industri: fabrikat i kanë bërë qendra tregtare, kurse tregtia, praktikisht, është vetëm import. Kemi zona industriale pa industri: shihni depot e panumërta përgjatë rrugëve kryesore të Kosovës.

Kemi Ministër të Ekonomisë dhe Financave pa ekonomi dhe financa: s'ka zhvillim ekonomik, s'ka politikë monetare, politikën fiskale dhe doganat i dirigjon tjetërkush, kurse paratë e kosovarëve janë jashtë vendit.

Kemi decentralizim pa demonopolizim: pushteti qendror vendas do të decentralizohet, kurse mbi të do të mbetet pushteti ndërkombëtar që s'na jep llogari neve. Kemi kufij pa pushtet dhe pushtet të pakufishëm: kufijtë në veriun e Kosovës Qeveria as që i sheh, kurse pushtetit të Feith-it, Zannier-it dhe Kermabon-it nuk i shihet e as dihet fundi.

Kemi flamur jodemokratik dhe pa histori: nuk pat referendum dhe as debat në Kuvend për flamur dhe pamja e tij s'i korrespondon historisë sonë. Kemi himn pa tekst: një melodi pa fjalë, të cilën askush s'e mban mend, e aq më pak të jetë në gjendje ta vërshëllejë.

Kemi Kushtetutë që ka parakushte dhe është jodemokratike: Plani i Ahtisaarit që ndodhet brenda saj është edhe mbi të, kurse interpretimi i përket mbretit më të ri, Pieter Feith-it; as për Kushtetutë, sërish, s'pati referendum dhe as debat në Kuvend.

Kemi qëndrime pa vendime dhe vendime pa zbatime: kundërshtohen planet proserbe sa për sy e faqe, kurse ato nene të Kushtetutës dhe ligjeve që do t'i ndihmonin Kosovës nuk zbatohen.

Kemi punë pa punësim: Kosovën e ka kapluar tregu i zi i mallrave, që e dëmton mirëqenien e përgjithshme. Kemi punësim pa punë: shumica e të punësuarve janë punëtorë të qeverisë që shumicën e kohës nuk punojnë.

Kemi sindikata pa punëtorë dhe punëtorë pa sindikata: shumë degë të sindikatave kanë mbetur pa anëtarë, kurse shumë punëtorë nuk guxojnë të organizohen në sindikata, meqë punëdhënësit i kërcënojnë me armatën e të papunëve.

Kemi shkolla pa arsim: nxënësit përpiqen t'i heqin qafe arsimtarët dhe anasjelltas; mësimi e studimi bëhen nga ata pak të rinj të pasionuar pas dijes nëpër shtëpitë e tyre, e jo në institucionet e arsimit.

Kemi spitale pa shërim: kur nuk ka greva që përfundojnë me koncesione të sindikalistëve më parë sesa të qeveritarëve ka shërbime të varfra që të detyrojnë të të rrjepin në klinika private, etj., etj.

Forma të zbrazëta, gjithandej. Mungesë e tmerrshme e përmbajtjes. Pakufi flluska që presin të shpërthejnë duke u rritur. Nëse bota ndodhet para shpërthimit të një flluske të madhe financiare, ne ndodhemi edhe para flluskave të shumta jo vetëm financiare. Urime Vitin e Ri?

*Autori është lider i Lëvizjes Vetëvendosja, Prishtinë

 

1 KOMENT

gjithcka shkruan Albin Kurti eshte më se e vertete. Gjithë politikanet e Kosoves, ne qeveri apo ne opozite, qe te gjithe jane servila te nderkombetareve, pasi jane e etur per para e pushtet dhe qe te gjithe jane mashtrues te popullit, tradhetare te Luftes Çlirimtare qe u zhvillua ne vitet 1997-1999. edhe shkuarjet e politikaneve ne vendvarrimet e Jasharajve jane thjeshte hipokrizi, por na vjen shume keq qe loje e kasaj hipokrizie detyrohen te behen edhe pjestaret gjalle te asaj familjeje fisnike. Do te ishte me se e drejte qe kete hipokrizi te politikaneve jasharajt te mos e pranojne, te mos i shoqerojne ne "pelegrinazhin" e politikaneve mashtrues. Vetem vetvendosja do te jete zgjidhja e vetme dhe perfundimtare e Kosoves. Çdo gje tjeter eshte demagogji dhe hipokrizi.

KOMENTI JUAJ

 
Komentet
 

Akuza, mjekët i dhanë djalit kortizon që dy muajsh

Është vetëm 9-muajsh dhe koka i duket më e madhe...

Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj