|
|
Zbardhen detajet e një historie të gjatë kontrollesh dhe verifikimesh të zyrtarit të akuzuar
Inspektorati i deklarimit të Pasurisë bën kallëzim penal për Detar Hysin: fshehu pasurinë
TIRANË - Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive paditi në Prokurori një zyrtar të Këshillit Kombëtar të Radiotelevizioneve, me akuzën se ka fshehur një pasuri multimilionere dhe se ka dështuar të dëshmojë në mënyrë bindëse aktivitetin me anë të të cilit e ka grumbulluar këtë pasuri.
Anëtari aktual i KKRT-së Detar Hysi, në kohën kur punonte si kryetar i Zyrës së Përmbarimit në Tiranë, sipas Inspektoratit në fjalë, nuk arriti të justifikojë një shumë prej rreth 7.000.000 lekësh të reja që u deklaruan prej tij si asete që i dispononte përpara se të fillonte detyrën publike.
Nga dyshimet që vetë Inspektoratit i lindën nga kjo shumë kaq e madhe dhe e justifikuar fare përciptaz si kursime emigracioni, autoritetet kryen një kontroll më të imtësishëm të të ardhurave të zotit Hysi.
Si rezultat i kontrollit doli se shuma në fjalë vërtet ndodhej në kursimet e zotit Hysi, por përveç saj llogaritej edhe një apartament i blerë dhe i shitur menjëherë nga subjekti në fjalë.
Autoritetet u çuditën kur panë se apartamenti që ishte fshehur në deklaratën e pasurisë, ishte blerë me shumën prej 40 mijë dollarësh nga zoti Hysi, por ishte shitur për një vlerë prej rreth 1.9 milionë lekësh pas tre muajsh.
Të ardhurat e parave për blerjen e këtij apartamenti zoti Hysi tha se i kishte siguruar nga puna si jurist për konsullatën greke në Gjirokastër, por zyrtarë të kësaj të fundit kur u pyetën thanë se nuk kishin dëgjuar kurrë për ndonjë person të quajtur Detar Hasan Hysi që të ketë punuar si jurist i konsullatës helenike në qytetin jugor.
Por edhe në deklaratat e mëvonshme, Inspektorati thotë se ka zbuluar të dhëna komprometuese rreth pasurisë së zotit Hysi. Më 2006, kur ai u zgjodh anëtar i KKRT-së, në deklaratën përkatëse, përveç të ardhurave të deklaruara më parë, Inspektorati thotë se ai dispononte tashmë edhe rreth 150.000 euro të tjera.
Inspektorati kreu një analizë aritmetike dhe logjike të të ardhurave të këtij subjekti, por ndonëse ai kishte deklaruar se si rezultat i punës si avokat kishte fituar gjatë vitit 2006 rreth 30 milionë lekë të reja, Inspektorati e konsideroi të pajustifikuar gjendjen cash prej 150 mijë eurosh.
Në deklaratën e Inspektoratit konstatohet se: "ndaj ketij subjekti për arsye të mosdorëzimit të deklaratës së interesave private periodike/vjetore të vitit 2007 në afatin e përcaktuar ligjor, u mor masa administrative e dënimit me "gjobë".
Ky subjekt eshte kallëzuar për ndjekje penale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzim penal për të cilin Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë më datë 12.06.2008 ka vendosur mosfillimin e hetimeve me arsyetimin se ndaj subjektit nuk janë ezauruar gjithë masat administrative".
Mbas vendosjes së masës administrative të dënimit me gjobë dhe kallëzimit për ndjekje penale ky subjekt më datë 28.10.2008 ka dorëzuar në ILDKP deklaratën e interesave private të vitit 2007 në të cilën ka deklaruar se gjatë kësaj periudhe njëvjeçare ka grumbulluar të ardhura në shumën 2.500.000 lekë cash, shumë të cilën e ka grumbulluar nga ushtrimi i profesionit të avokatisë.
Kontrolli aritmetik e logjik i deklaratës së interesave private të këtij subjekti për vitin 2007 rezultoi si edhe në deklarimet e mëparshme me probleme e për këtë arsye si dhe të mospasqyrimit të saktë të të ardhurave të tij duke mos deklaruar të ardhurat e siguruara nga funksioni i Anëtarit të Këshillit Drejtues të Radio-Televizionit, funksion mbi bazën e të cilit subjekti mbart detyrimin për deklarim të interesave private në ILDKP.
Për arsyet e sipërpërmendura, ILKDP sqaron se "bazuar në nenin 25 të Ligjit Nr.9049 "Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë", si dhe të dhe nenit 17, pika 2, të Ligjit Nr.9367, datë 07.04.2005 "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike" më datë 13.04.2007 u vendos kalimi për kontroll të plotë i deklaratës së interesave private të këtij subjekti".
Nga kontrolli i dytë, dolën në dritë të tjera shkelje sipas Inspektoratit. Midis tyre rreshtoheshin disa aktivitete të paregjistruara në zyrën e taksave si ai për tregtimin e mishit, por edhe fonde të padeklaruara si ato në llogaritë bankare të së shoqes.
Këto si dhe elementë të tjerë si fakti i mungesës së faturave për aktivitetin e tij avokator, statusi i paqartë i zyrës së përbashkët avokatore mes tij dhe një ortaku, e shtynë Inspektoratin të kalojë në hapa të mëtejshëm.
Një raport i hollësishëm edhe me justifikimet e zotit Hysi rreth mënyrës sesi ai e ka grumbulluar këtë pasuri, iu vu në dispozicion Prokurorisë nga ana e ILKDP-së i cili e kallëzoi penalisht atë. I kontaktuar nga "Shekulli", Detar Hysi tha se ai priste që të ishte ligji ai që do të vepronte dhe nuk shtoi asnjë koment tjetër.
Deklarata e Pasurisë 2003
1. Autoveturë tip Benz-Mercedez me targë TR xxxxx J me vlerë 1.000.000 lekë të blerë me kursime.
2. Gjendje cash ne shumën 7.000.000 lekë, të grumbulluar nga kursimet dhe nga emigracioni.
3. Te ardhura mujore nga paga e subjektit si Kryetar i Zyrës së Përmbarimit Tiranë në vlerën 29.000 lekë dhe të ardhura nga paga e bashkëshortes, në shumën 18.000 leke.
Konstatimet e Inspektoratit
1. Apartament i blerë 40.000 usd dhe i shitur 1,9 milionë lekë. Të ardhurat deklarohen si të fituara nga puna si jurist në konsullatën greke në Gjirokastër
2. Në përgjigje të kërkesës së ILKDP-së për verifikimin e deklarimit të subjektit lidhur me këtë fakt, Konsullata Greke në Gjirokastër ka konfirmuar se : "shtetasi Detar Hasan Hysi nuk ka qenë kurrë punonjës i Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë në Gjirokastër".
3. Lidhur me burimin e krijimit të shumës prej 7.000.000 leke cash, subjekti ka deklaruar si të ardhura të siguruara nga puna e tij dhe e vëllait të tij emigrant në Itali por pa paraqitur asnjë dokument për të provuar deklarimin e tij.
Deklarata e pasurisë 2006
1- Shtesë pasurie në shumën cash 150.000 euro, të fituara nga puna si avokat
Kanosja/ Donika Abasllari ka shkuar në shkollën e vajzës së fqinjës dhe e ka kërcënuar se do ta vrasë E...
Hajdar Shabani, falsifikoi pronën shtetërore duke e bërë të tijën dhe më pas ia shiti një firme private TIRANE- Një...
Lajmet 04 mars - Ora 13 -
data/04-03-2009
Lajmet 04 mars - Ora 12 -
data/30-08-2008
Lajmet 04 mars - Ora 11 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Pune e mire,
por ama ky eshte vetem nje peshk i vogel.
Peshkaqenet kush e di ku i kane depozituar hajdutlleqet e veta.
E eshte per te qare,kur lexon lajmin mbi femijet ne mes te debores per te emigruar ne vendin fqinje per copen e bukes.
Ky eshte i vetmi person qe si ka ren ne qafe asnjerit,perkundrazi sa her ka pasur mundesi ka ndihmuar.As ka vra as ka prer si kan ber shume nga ata qe kemi ne krye,si nga e majta si nga e djathta.