|
|
Situatë e rënduar në të gjitha spitalet palestineze. Brenda 16 ditëve të para të luftës janë vrarë më shumë se 850 palestinezë
Forcat izraelite po godasin militantët e Hamasit për të 16-n ditë rresht, duke vrarë dje të paktën 20 palestinezë, me gjithë thirrjet e autoriteteve ndërkombëtare për armëpushim. Sipas dëshmitarëve, tanke dhe avionë luftarakë izraelitë kanë goditur rrethinat e qytetit të Gazës, ndërsa militantë të Hamasit u kundërpërgjigjën me raketa anti-tank kundër forcave izraelite.
Sipas zyrtarëve mjekësorë në territorin palestinez, shumica e të vrarëve janë civilë. Por për arsye të kufizimeve mbi praninë e mediave në Gazë, është vështirë të konfirmohet numri i viktimave. Izraeli thotë se nuk po godet civilë dhe ka akuzuar Hamasin se ky i fundit po hedh raketa nga zona shumë të banuara.
13 izraelitë janë vrarë, mes të cilëve 10 ushtarë dhe tre civilë të goditur nga zjarri me raketa. Zyrtarë spitalorë në Gazë thonë se rreth 850 palestinezë kanë vdekur në Rripin e Gazës gjatë 16 ditëve që nga ofensiva ushtarake e Izraelit. Sipas zyrtarëve, gjysma e të vrarëve janë civilë.
Të dërguarit e agjencive botërore në zonën e konfliktit raportojnë se lufta në Gazë po vazhdon pa pushim. Të shtënat nuk ndalojnë as ditën as natën. As Izraeli e as Hamasi nuk tregojnë interesim për përpjekjet paqësore ndërkombëtare. Konflikti në mes të përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara dhe Izraelit lidhur me veprimet në Rripin e Gazës sa vjen e zgjerohet.
Shembulli i fundit është një deklaratë e ushtrisë izraelite për sulmin vdekjeprurës të kryer ndaj një karvani të Kombeve të Bashkuara. Si pasojë e sulmit humbi jetën të paktën një shofer.
Në shenjë reagimi, Kombet e Bashkuara ndërprenë punën e tyre. Zëdhënësja e ushtrisë izraelite, Avital Laiboviç deklaroi se: "Ushtria izraelite e ka hetuar rastin dhe ka arritur në përfundimin se ushtarët nuk kanë qëlluar ndaj karvanit. Andaj ne i hedhim poshtë akuzat se ky rast ka të bëjë më ushtrinë tonë".
Zëdhënësi i Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë UNWRA, Christopher Guness, sqaroi se në reagimin e parë ushtria izraelite pati shprehur keqardhjen për rastin. Ai kërkoi që pala izraelite t'i dorëzojë Kombeve të Bashkuara të gjitha informatat dhe fotografitë për të sqaruar rastin e së enjtes.
Njëkohësisht, Gunes shprehu shpresën që Kombet e Bashkuara do të rifillojnë sërish punën në rajon: "Po marr një shembull të vogël sot nga familja e një shokut tim. Ata thanë se tani do të fillojnë të djegin orenditë për të ndezur zjarrin për të gatuar. Kjo tregon shumë mirë shkallën e dëshpërimit në mes të një krize humanitare".
Organizatat humanitare janë të brengosura se gjendja mund të përkeqësohet akoma më shumë. Kjo për faktin se të shtunën avionët izraelitë kanë hedhur mijëra fletë-volante mbi rajonet palestineze në Rripin e Gazës.
Sipas të dhënave palestineze nga popullata kërkohet të qëndrojë larg organizatës islamike. Ushtria kërcënon me një fazë të re të operacioneve të saj, thuhet më tej. Si pasojë e sulmeve ndaj objektivave në kampin e refugjatëve Xhablija u vranë të shtunën (10.01.) tetë palestinezë.
Gjatë natës duke u gdhirë dita e diel njoftohet për pesë të vrarë të tjerë dhe disa të plagosur. Izraeli sqaroi po ashtu se ushtria vrau një komandant të Hamasit. Për të vdekur dhe të plagosur mjekët palestinezë flasin edhe në jug dhe qendër të Rripit të Gazës.
Organizata humanitare Human Rights Watch e akuzoi Izraelin se po përdor municion me fosfor të bardhë. Edhe pse këto armë nuk ndalohen prej së drejtës ndërkombëtare publike, fosfori i bardhë i shkakton dëme të rënda lëkurës, tërheq vërejtjen organizata në një deklaratë të saj. Pala izraelite i ka hedhur poshtë akuzat se është duke përdorur predha me fosfor të bardhë.
Edhe palestinezët radikalë vazhduan sulmet e tyre me raketa ndaj rajoneve izraelite. Përfaqësues të forcave të sigurisë në Izrael sqaruan se si pasojë e raketave të hedhura në qytetin Ashkelon janë plagosur disa banorë.
Pamjet televizive tregojnë një banesë të dëmtuar rëndë, xhama të thyer dhe qytetarë të shqetësuar. Kështu që nuk ka asnjë shenjë që, gjatë ditëve të ardhshme, palët do të përmbushin kërkesën e Kombeve të Bashkuara për armëpushim.
Shefi i Hamasit, Mashall, sqaroi nga Siria, ku gjendet në mërgim, se së pari duhet që Izraeli të tërheqë trupat e tij dhe të heqë dorë nga rrethimi i Rripit të Gazës. Kryeministri izraelit Olmert, kishte kërkuar më parë që pala palestineze t'u japë fund sulmeve me raketa dhe kontrabandës me armë përmes kufirit egjiptiano-palestinez.
Policia në Pakistan është vënë në gjurmë të personave të armatosur që sulmuan në qytetin Lahorë ekipin e kriketit të...
PARIS- Presidenti francez, Nikolas Sarkozi ka marrë një letër kërcënuese. Letra kërcënuese shoqërohej nga një fishek i kalibrit 9,0 milimetra....
Lajmet 04 mars - Ora 13 -
data/04-03-2009
Lajmet 04 mars - Ora 12 -
data/30-08-2008
Lajmet 04 mars - Ora 11 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
KOMENTI JUAJ