|
|
Preferoj të bredh trotuareve të Tiranës me një palë kufje në vesh, e gjëmon në to që nga Led Zeppelin-i tek 2Pac-u, apo ndonjë tekno e re. Larmi muzikore budallaqe po ta vësh re, siç e kam vënë re edhe unë dhe kam pyetur veten:
Pse? Pse, të paktën rrugëve, preferoj të shkëputem nga mendimet që vërtiten vetvetiu rreth tashmërisë sonë politike dhe gjendjes shoqërore në Shqipëri? Pse kërkoj, nën diell apo shi, një oblivion personal; harresë të qetë...?
Sepse ngado që të hedhësh sytë në media, kudo që t'i kredhësh veshët, sistemi psikik do të të sulmohet nga media politike e nga politika mediatike; një lloj androgjeni i tmerrshëm që synon të ta zbehë të qenit person, të zhvat të drejtën të jesh thjesht njeri.
Si fantazmë të ndjek e të bën elektorat, të sheh si votë me dy këmbë, si militant potencial. Nuk je banor i planetit Tokë, - të pëshpërit, - je i zonës sime zgjedhore. Psssst, në qershor kemi zgjedhje...muhahahahah...
Prandaj, për të shpëtuar ndonjë grimë nga njeriu në mua, e për të mos u kthyer tërësisht në një gur shahu, dëgjoj tekno. Turp më vjen, por është e vërtetë.
Shqiptarët, në kafene, në zyra dhe banesa, i gjen të ngulur para televizorëve, që, në anglisht, jo pa qëllim quhet idiot box (kutia e idiotit), duke marrë si të droguar politikën e ditës. Dozën e përditshme falna o zot! Le të na qajë fëmija, le të pikojë çatia, më rëndësi ka ç'farë thotë sot qeveria dhe opozita.
OK, para se ta teproj. Nuk po dua në asnjë mënyrë të them që informimi mbi çështjet politike është i parëndësishëm dhe që qytetari nuk ka rol në ngjarjet politike. Mos o zot! E kundërta është e vërtetë. Por ajo që ndodh me disa nga mediat shqiptare, e veçanërisht me televizionet, i kapërcen kufijtë e normales.
Këtu tek ne politika prodhon media dhe media prodhon politikë, e të dyja së bashku prodhojnë skllavëri për qytetarin shqiptar. Një skllavëri që nuk vret e shet trupin, por dobëson e rrënon shpirtin e secilit prej nesh. Ngadalë, përditë, si vemje këmbëngulëse...dhe vemjet, dihet, kanë shumë këmbë.
Qysh pas vdekjes së monizmit në Shqipëri, me ca përjashtime të pakta, kemi media llogoresh, gjysmat që qëndrojnë majtas dhe qëllojnë djathtas, dhe të tjerat që bëjnë të anasjellën. Media ka vuajtur mungesën e cilësisë në gazetari apo analizë njësoj, e ka pasur në plan të dytë a të tretë raportimin e ndershëm të lajmeve.
Sepse shpesh, qëllimi parësor i mediave pas monizmit, në Shqipëri nuk ka qenë informimi, por goditja e kundërshtarit politik apo rivalit në biznes. Media-pushkë, media-çekiç, media-ime, me të cilën të skuq, të bëj me bojë!
Kjo ka qenë një betejë që, mbi gjithçka, ka abuzuar mbi qytetarin shqiptar, duke i zhvatur atij të drejtën për t'u informuar në mënyrë të paanshme dhe objektive. Duke krijuar kësisoj një specimen militant, avdall dhe injorant.
Por nuk është vetëm kjo. Gjysma tjetër e së keqes është që, veç medias politike, kemi edhe një politikë plotësisht mediatike. Këtu tek ne, diskutimi publik mbi çështjet jetike të kombit është reduktuar në ca batuta televizive të shpifura, që nuk kanë për qëllim të shtrojnë ide dhe plane për të mirën dhe ardhmërinë e vendit, por thjesht e vetëm të poshtërojnë kundërshtarin politik.
Këtu tek ne, politikanët nuk flasin si njerëz normalë, por si robotë. Ata përsërisin ditë mbas dite të njëjtat fraza, të njëjtit slogane, si magnetofonë të prishur, si idiotë të certifikuar.
Filli i tyre i mendimit nuk zgjat më tepër se kronika e lajmeve të mbrëmjes në televizion dhe rëndësi nuk u japin më as mendimit politik, as idesë, por atij 30 sekondëshit kur do të shfaqen në TV. Sa më bindshëm, sa më seksi në televizion. Pika që s'u bie sharlatanëve!
Politikanët nuk merren më me politikë, ata thjeshtë aktrojnë për kamerat, trashin zërat për mikrofonat. Ndërsa flasin, imagjinojnë si do të duken në kutinë e idiotit. E si pa kuptuar, idiotin në kuti e mishërojnë ata vetë.
Është vetëm 9-muajsh dhe koka i duket më e madhe...
Lajmet 04 mars - Ora 13 -
data/04-03-2009
Lajmet 04 mars - Ora 12 -
data/30-08-2008
Lajmet 04 mars - Ora 11 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
bravo per kete text ,Zotni salaj.Shume me vend.
skam cte shtoj asgje pas ketij komenti.
eshte aq i goditur sa sdo them me asnje fjale. ky eshte realiteti shqiptar per fat te keq....