|
|
Sot përballen dy nga pretendentët kryesorë për titullin në Premier Ligë, kampionët dhe nënkampionët
Trajneri i Mançesterit
Ferguson: Do të doja të luaja edhe unë!
Trajneri i Mançester Junajtedit, Aleks Ferguson, është rrëmbyer aq shumë nga atmosfera para ndeshjes së sotme kudër Çelsit, saqë ka bërë shaka, duke thënë se do të donte të hynte vetë në fushë. "Kjo është pjesa më e vështirë e profesionit tim. Nuk do të më vinte aspak keq po të hyja edhe vetë në fushë. Çelsi është njëra ndër skuadrat më të forta të këtij kampionati. Ndeshja është bërë më pikante dhe ka më shumë motivim në mesin e lojtarëve, të cilët mezi presin të luajnë," - ka thënë Ferguson, skuadra e të cilit ka katër pikë më pak se Çelsi. Fergusoni pret të jetë një ndeshje e fortë dhe një betejë e vështirë taktike kundër trajnerit të Çelsit, Luiz Felipe Skolari. "Skolari ka një përvojë fantastike, që do t'i mjaftonte për të punuar në çdo kampionat të botës, - ka thënë Fergusoni. - Ai ka drejtuar Brazilin dhe Portugalin dhe, pa marrë parasysh se çfarë arrin me këto ekipe, përvoja është më e rëndësishmja. Nuk mendoj se ka pasur ndonjë ndryshim të madh te Çelsi, përveç dallimit të formës së tyre në ndeshjet brenda dhe jashtë fushës së tyre. Ata janë një skuadër që arrin rezultate, shumë e vështirë për t'u mposhtur dhe me lojtarë tepër të mirë," - ka shtuar bosi, trajneri i të kuqve. Skolarit i ka ardhur në ndihmë edhe rikthimi në skuadër i kapitenit Xhon Terri, i cili nuk i ka luajtur tri ndeshjet e fundit, për shkak të pezullimit pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen kundër Evertonit. "Eshtë shumë e rëndësishme për ne rikthimi në skuadër i Territ, pasi ai është kapiteni ynë dhe një lojtar shumë pozicional në fushë," - ka thënë Skolari. Për trajnerin e Çelsit ndeshja kundër Junajtedit i jep skuadrës së tij mundësinë më të mirë për të harruar zhgënjimin nga raundi i tretë i Kupës së Ligës, ku Çelsi barazoi kundër Sauthendit. "Ne kemi nevojë të fitojmë, sepse ata janë katër pikë pas nesh dhe kanë dy ndeshje më pak. Ato dy ndeshje të tjera ata i kanë kundër skuadrave të tjera, jo kundër nesh, prandaj ne duhet të mendojmë të fitojmë këtë ndeshje. Nëse humb një ndeshje ose tri pikë kundër një rivali direkt, si Junajtedi, ne jemi në telashe. Mendoj se Junajtedi luan shumë mirë. Fitojnë shumë ndeshje, edhe pse me rezultat minimal 1 0. Në fund të fundit, tri pikët janë tri pikë," - e ka përfunduar komentin e tij trajneri i Çelsit.
Trajneri i Çelsit
Skolari: Ronaldo është më i miri, por...
Trajneri i Çelsit, Luiz Felipe Skolari, ka pohuar se Kristiano Ronaldo e meriton të kurorëzohet si lojtari më i mirë i botës, por ka paralajmëruar se ylli i Mançester Junajtedit mund ta humbasë titullin e tij në sezonin 2009. Ronaldo është favorit për të fituar çmimin e "Lojtarit të Vitit" nga FIFA për vitin 2008, nesër në Zyrih. Portugezi, i cili kandidon përkrah sulmuesit të Liverpulit, Fernando Torres, organizatorit të Milanit, Kakà dhe dyshes së Barcelonës, Lionel Mesi dhe Ksavi, ka fituar edhe çmimin e "Topit të Artë" këtë vit. Skolari është i bindur se forma e tij e shkëlqyer vitin që shkoi e bën atë ta meritojë edhe këtë trofe, por trajneri brazilian e njeh Ronaldon më mirë se të gjithë, pasi ka qenë për pesë vite trajner i tij në përfaqësuesen e Portugalisë. Skolari ka aluduar se Ronaldo i tanishëm nuk është ai i sezonit të vjetshëm. "Sezonin që shkoi, për mua ai ishte lojtari më i mirë në botë. Nëse nuk e merr këtë çmim, do të ishte gabim, - ka thënë Skolari. - Ai është një lojtar i zgjuar, që mund t'i ndryshojë ndeshjet. Kur e pret në të majtë, shfaqet në të djathtë. Kur e pret të gjuajë me të majtën, ai gjuan me të djathtën. Por këtë sezon janë edhe disa lojtarë të tjerë që i bëjnë konkurrencë," - ka shtuar ai. Ronaldo ishte një armë më shumë për Junajtedin në rrugën drejt titullit kampion në Premier Ligë dhe fitimit të Ligës së Kampionëve sezonin që shkoi, pasi shënoi 42 gola; por këtë sezon humbi shumë kohë, duke u përpjekur të shkonte te Reali i Madridit, por pa sukses. Portugezi 23 vjeçar ka shënuar vetëm nëntë gola këtë sezon dhe në tetë ndeshjet e fundit nuk ka shënuar asnjë gol. Por Ronaldo mund ta bëjë Skolarin të pendohet për fjalët që tha, nëse arrin të shënojë gol kundër Çelsit dhe ta ndihmojë Junajtedin të mposhtë skuadrën e Skolarit në ndeshjen e sotme në "Old Traford". Në barazimin 1 1, në ndeshjen e fundit mes këtyre skuadrave, e luajtur në Stamford Bridge, Ronaldo ishte në hije, por sot ka ardhur koha që ai të japë një kontribut më të madh. Skolari e di se asnjëri prej lojtarëve të tij te Çelsi nuk i ka aftësitë e Ronaldos, por beson se lojtarë, si Deko, Lampard, Balak dhe Kol, do t'ia dalin mbanë ta fitojnë këtë ndeshje. "Kam disa lojtarë që nuk kanë karakteristikat e tij, por kanë fantazi. Ata japin krosa shumë të mirë dhe pasojnë po aq mirë. Ronaldo është një tip tjetër lojtari, me një stil ndryshe. Ndoshta kemi ndonjë lojtar që ka stil ndryshe, por po aq i mirë sa Ronaldo. Jam i bindur se një lojtar i Çelsit do të jetë në pesëshen më të mirë të këtij sezoni," - ka thënë Skolari.
Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, ka marrë masa për humbjen e fundit në Durrës Mbledhja e djeshme në drekë me...
Në një komunikatë për shtyp, shoqata e arbitrave shqiptarë mban qëndrimin e saj për ngjarjet e dhunshme të ndodhura kohët...
Lajmet 04 mars - Ora 13 -
data/04-03-2009
Lajmet 04 mars - Ora 12 -
data/04-03-2009
Lajmet 04 mars - Ora 11 -
data/04-03-2009© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
KOMENTI JUAJ