Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

"Nafta D2 na rrezikon integrimin"

Emirjon Senja | 12/01/2009 | Biznes | komentet 0 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin


Opozita thotë se përmes ndalimit të importit vihet në pikëpyetje MSA-ja

Pakënaqësi rreth vendimit për të toleruar ende në treg naftë të cilësisë së dobët

TIRANË - Shtohen zërat kundërshtues për vendimin qeveritar që nafta e dëmshme D2 të vazhdojë tregtimin në Shqipëri. Një zyrtar i opozitës shprehu dje pakënaqësinë që mbizotëron rreth vendimit që prodhuesit lokalë të D2-shit të favorizohen, duke u lejuar ta tregtojnë lirisht këtë produkt, të cilit ndërkohë i ndalohet vetëm importi.

Kastriot Islami tha se, madje ky vendim rrezikon deri proceset integruese të Shqipërisë. Ai e argumentoi këtë me faktin se regjimi juridik i vendosur nga vendimet e fundit të Këshillit të Ministrave, krijon një diferencim të qartë ndërmjet produktit vendas dhe atij me origjinë importi, duke aplikuar standarde të dyfishta.

"Ky diferencim bie në kundërshtim me regjimin tregtar të sanksionuar nga Organizata Botërore e Tregtisë dhe MSA-ja. Masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare potencialisht bien kundërshtim me nenin 19 të kësaj të fundit, i cili parashikon ndalimin e kufizimeve të importit dhe masave me efekt të njëjtë në tregtinë në Komunitetin Evropian", - tha zoti Islami.

Prej ditësh opozita po këmbëngul se qeveria duhet të gjeje një zgjidhje, me anë të së cilës nuk dëmtohet industria e naftës, as importuesit, por që respekton parimet e barazisë dhe të liberalizimit në tregun të karburanteve. Më 1 janar hyri në fuqi një vendim, sipas të cilit ndalohej importi i naftës D2 në territorin e Shqipërisë.

Në dukje një masë progresiste, ndalimi i importit në të vërtetë aspak nuk e eliminon përdorimin e këtij produkti me rrezikshmëri të lartë për shëndetin e qytetarëve. Kjo lloj nafte e cilësisë së ulët prodhohet edhe në Shqipëri nga një kompani e vetme, e cila do të jetë në gjendje ta tregtojë atë deri më 2011-n, sipas qeverisë.

Operatorë të ndryshëm dhe opozita ankohen se kështu po dëmtohet konkurrenca në vend, përveçse po i zgjatet jeta një produkti, për të cilin Shqipëria është vendi i vetëm në Europë që e mban në përdorim.

Ish-ministër i Jashtëm dhe i Financave, gjatë qeverisjes së majtë, Kastriot Islami, u shpreh i shqetësuar se zbatimi i ndryshëm i standardeve për naftën D2 të ARMO-s dhe për atë të importit, e vendos këtë të fundit në kushte diskriminuese, duke shkelur edhe marrëveshjet me OBT-në.

Në fakt, ashtu si Partia Socialiste, e cila aplikimin e këtij vendimi e sheh në kundërshtim me MSA-në, për të ndaluar përdorimin e naftës D2, duke filluar nga data 01 janar 2009 edhe qeveria i referohet të njëjtave marrëveshje. Në një prononcim në lidhje me këtë, kryeministri Berisha ishte shprehur se ky vendim është marrë për të mos rënduar më tepër mushkëritë e shqiptarëve me ndotjen e lartë që shkaktohen nga djegia e këtyre produkteve.

Po ashtu, ai përmendi edhe zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga MSA-ja. "Këto masa merren me qëllim përafrimin e legjislacionit dhe kuadrit rregullator të përdorimit të hidrokarbureve në respekt të normave mjedisore të zbatuara nga vendet e BE-së", - u shpreh edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli.

Nafta e kategorisë D2 ka një përqindje të lartë squfuri, 2000 ppm, ndërkohë që, sipas standardeve të imponuara nga Marrëveshja e Asocim Stabilizimit dhe Traktati i Komunitetit të Energjisë, ky tregues duhet të jetë shumë herë më i ulët. Sipas Rulit, me këtë vendim të marrë parashikohet që më 1 janar të vitit 2011, në Shqipëri të mos përdoret gazoil me përmbajtje squfuri më të lartë se 10ppm.

Standardet e përmendura nga të dyja palët nuk i plotëson as kompania ARMO, e cila për momentin nuk ka teknologjinë e duhur, me anë të së cilës të bëjë të mundur prodhimin e naftës brenda kufijve të lejuar.

Bashkë më lejen për të tregtuar D2-shin, qeveria i ka dhënë kësaj të fundit edhe një vit kohë, brenda së cilës ARMO duhet të rinovojë teknologjinë e saj. Në arsyetimin e vendimit të qeverisë për të lejuar ARMO-n të tregtojë naftë D2, pavarësisht standardeve, ministri Ruli përmendi edhe efektet sociale.

Sipas tij, bllokimi i përdorimit të saj që nga data 1 janar 2009, do të thoshte të bllokoje gjithë sektorin e nxjerrjes së naftës, në të cilin janë të punësuar 6500 individë. "Unë kam besimin se me investimet e duhura teknologjike, që janë parashikuar në kontratën e shitjes së ARMO-s, brenda një viti, ajo do të mund të nxjerrë nënprodukte brenda standardeve të pranueshme mjedisore", - u shpreh ai.

Statistika
420 mijë ton konsumi total
340 mijë ton importi total, nga të cilat 120 mijë ton D1 dhe 220 mijë ton D2
80 mijë prodhohet nga ARMO


 

KOMENTI JUAJ

 

Tenderët, abuzime me shpalljen e fituesve

Avokati i Prokurimeve, në raportin e 2008-ës, evidenton shkelje në procedurat e tenderëve me fondet publike Favorizime, kritere diskriminuese, komisione...

Konkurrenca, hetim shitjes së bonove të thesarit

Autoriteti ka nisur një hetim në tregun primar dhe sekondar të bonove të thesarit Hetimi po kryhet për të vërejtur...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj