Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Programi i PS-së rrezikon të vidhet

Fejzi Braushi | 12/01/2009 | Politike | komentet 1 KOMENT | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin


PS-ja do të publikojë programin e bërë gati vetëm në fillim të fushatës. Arsyeja kryesore: Forcat e tjera mund t'i vjedhin idetë


TIRANË-
Partia Socialiste ka gati programin e saj politik dhe qeverisës, por nuk do ta publikojë atë deri në një moment të përshtatshëm, mundësisht në vigjilje të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare.

Arsyet duket se janë komplekse dhe lidhen më shumë me taktikën elektorale të socialistëve, të cilët kërkojnë të ruajnë me fanatizëm idetë e tyre, dhe për t'i bërë publike vetëm kur të jetë nxehur situata politike, pra me afrimin e zgjedhjeve.

Shkaqet
Burime brenda Partisë Socialiste, të cilët janë marrë me hartimin e këtij dokumenti, bëjnë të ditur për gazetën se shkaku kryesor i mospublikimit të tij lidhet pikërisht me frikën e kopjimit të tij nga kundërshtarët politikë, pra marrja e ideve dhe zgjidhjeve konkrete për çështje të ndryshme.

Dhe një dyshim i tillë nuk është krejt pa baza, pasi buron nga precedentë konkretë të këtij lloji. Kështu, nga të njëjtat burime mësohet se vetëm pak muaj më parë Partia Demokratike dhe kryeministri i saj, nuk nguruan të përvetësojnë idetë që socialistët kishin bërë publike vetëm disa ditë më parë gjatë Konferencës Kombëtare për Arsimin që zhvilluan në Durrës.

Nisur nga një rast i tillë, socialistët hoqën dorë nga bërja e ditur e zgjidhjeve dhe ideve që ofronte PS-ja për çështjet e ndryshme që gjejnë zgjidhje në program. Por, megjithatë, nuk është kjo arsyeja e vetëm për marrjen e këtij vendimi, pasi siç mësohet, kjo lidhet edhe me taktikat politike dhe elektorale të PS-së.

Në këtë mënyrë zëra kompetentë brenda selisë rozë konfirmojnë se PS-ja nuk ka asnjë arsye të nxitojë në këtë drejtim, pasi në rast se programi do të publikohej që në shtator ashtu siç edhe ishte deklaruar që më parë, atëherë ai deri në zgjedhjet e qershorit do të ishte konsumuar nga sulmet e kundërshtarëve politikë, ndërkohë që vetë këta të fundit do të kishin me se të merreshin, duke shmangur vëmendjen nga problematika e ditës që shoqëron qeverisjen e tyre.

Ndërkohë, një arsye tjetër mësohet të jetë edhe fakti se një program politik dhe qeverisës, përveçse është një përmbledhje e ideve, në vetvete është dhe një reflektim mbi gabimet që bën qeveria në pushtet.

Kështu, sipas kësaj logjike, socialistët janë të prirur që ta mbajnë programin të hapur për të bërë korrigjimet e duhura për çështje konkrete, duke tentuar të japë zgjidhje për ato probleme, për të cilat mazhoranca e sotme në qeverisje nuk arrin të japë një zgjidhje të pranueshme.

Programi
Programi politik dhe qeverisës i Partisë Socialiste ofron rrugën e zhvillimit të Shqipërisë deri në vitin 2017, periudhë brenda së cilës parashikohet që të jetë anëtarësuar edhe Shqipërinë në BE.

Ai përbëhet nga një material voluminoz, prej afro 500 faqesh dhe në të gjejnë zgjidhje 107 çështje të ndryshme, të cilat janë të organizuara në 3 grupime të mëdha ose më konkretisht në grupin e organizimit dhe funksionit të demokracisë, të shtetit ligjor dhe të ndarjes së pushteteve, dhe brenda tyre pastaj janë ndarë në dhjetë fusha të ndryshme, të cilat përkojnë dhe me funksione të ndryshme të qeverisjes, sipas standardeve ndërkombëtare të organizimit qeverisës, ose thënë në mënyrë më të detajuar, në fushën e arsimit, shëndetësisë, mjedisit, energjisë, planifikimit të territorit, administrimit publik, bujqësisë, administrimit të ujërave, makroekonomisë, çështjet sociale dhe pensionet.

Në përgatitjen e programit, socialistët janë bazuar në dy linja kryesore: në diskutimin e hapur me shqiptarët gjatë "Dialogut me Shqipërinë", në periudhën shtator '07 deri maj '08, dhe në mendimin që fondacioni "Qemal Stafa" thithi në debatet "Me dyer të Hapura" në periudhën shkurt '08 - qershor '08.


Mospublikimi i programit nuk shihet si diçka shqetësuese për socialistët

Majko: Shqipëria vuan nga njerëzit dhe jo nga programet

TIRANË- Mospublikimi i programit nuk shihet si diçka shqetësuese për socialistët. Kështu, ish-kryeministri socialist Pandeli Majko, e konsideron këtë akt si thjesht formal dhe që nuk mbart asnjë rëndësi në përmbajtje.

Sipas tij, PS-ja më shumë sesa formës, i kushton rëndësi përmbajtjes dhe për këtë arsye ai vlerëson se bërja e ditur e këtij dokumenti shumë kohë para fushatës elektorale, nuk do të sillte ndonjë efekt të prekshëm nga qytetarët, të cilët do ta konsideronin atë si retorikë më shumë në debatin politik.

"Nuk besoj se do të përbëjë një ngjarje të jashtëzakonshme deklarimi i programit qeverisës të PS-së. E them këtë, sepse e ndjejmë që jetojmë në një ambient cinik në Shqipëri, ku për 18 vjet janë zhvilluar reforma standarde, të cilat më shumë se të majta dhe të djathta, kanë qenë pjesë e dokumenteve të shtetit shqiptar për t'u integruar në NATO apo në BE.

Pra, ndjej që, sado të artikuluara të jenë një pjesë e frazeologjisë dhe programeve që do të publikohen nga partitë politike në Shqipëri, tek njerëzit do të ekzistojë një lloj distance për sa u përket fjalëve që shkruanin këto programe", - shprehet Majko.

Sipas Majkos, e rëndësishme për shqiptarët mbetet elita politike dhe kapacitetet qeverisëse, të cilat duhet të vënë në zbatim një program të caktuar. "Shqipëria nuk ka vuajtur asnjëherë nga programet, por nga njerëzit, të cilët janë vendosur për t'i aplikuar ato", - theksoi Majko.


 

1 KOMENT

SHQIPERIA KA NEVOJ PER ZHGJEDHJE TE LIRA E DEMOKRATIKE.PARTIT VENDOSIN VETE KUR DO TI SHPALOSIN PROGRAMET E TYRE.

KOMENTI JUAJ

Kreu i PS-së Edi Rama gjatë Asamblesë Kombëtare

 

Gruaja kërcënon me thikë 9-vjeçaren

Kanosja/ Donika Abasllari ka shkuar në shkollën e vajzës së fqinjës dhe e ka kërcënuar se do ta vrasë E...

Falsifikoi pronën e Durrës- Kukës, prangoset avokati

Hajdar Shabani, falsifikoi pronën shtetërore duke e bërë të tijën dhe më pas ia shiti një firme private TIRANE- Një...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj