|
|
ZGJEDHJE DHE DEMOKRACI
Zgjedhjet e fundit presidenciale në Ganë, ashtu sikundër edhe pritej, u zhvilluan në mënyrën më të qetë dhe transparente të mundshme, duke bërë që të shpallej fitues, profesori Atta-Mills, i cili kishte qenë dikur zv. President dhe kishte humbur dy herë radhazi përballë Presidentit në ikje, Kufor.
Ajo që të bën përshtypje, përveç faktit që Gana është një anomali në mes të vendeve të Afrikës Perëndimore, për sa i përket funksionimit të demokracisë kushtetuese dhe rotacionit të paqtë të pushtetit, tashmë të kthyer në precedent, është maturia e stadit demokratik që kanë arritur edhe vende si rasti i lartpërmendur, apo Botsvanës, që ka kryer zgjedhje të lira dhe të rregullta prej më se tri dekadash.
Gjetiu, 'verdikti i popullit' shpesh tingëllon si një eufemizëm që ka një kuptim 'bosh' retorik dhe pa fuqi shtrënguese, qoftë politikisht, qoftë moralisht.
Më tepër përsëritet si slogan që t`i përshtatet refrenit që populli është sovran dhe këtu funksionon vërtet demokracia përfaqësuese, ku të zgjedhurit qeverisin në bazë të mandatit që u është ngarkuar nga sovrani, sesa si një imperativ social, etik dhe politik, që të detyron t`i bindesh vullnetit të zgjedhësve në bazë të një kontrate sociale që e nënshkruan një herë në katër vjet.
Vështirë të mendohet se kauza të tilla si integrimi në NATO, BE etj., në vetvete si parulla, mund të krijojnë njëfarësoj mobilizimi qoftë edhe minimal nga ana e shqiptarëve tashmë në 2009-n.
Më tepër, këto, tanimë tingëllojnë si parullat e dikurshme marksiste që na 'mësonin' sesi status kuo-ja primitiviste ku ishim zhytur apo carja në 'shtigje të panjohura', ishin më të preferueshme se imitimi i rrugës së suksesshme që kishin ndjekur vendet 'borgjezo-kapitaliste'.
Pas dy dekadave pluralizëm, tashmë është tepër vonë të vazhdohet me parulla si dikur dhe t`i bëjmë propagandë njëri-tjetrit për gjëra ku ekziston një consensus omnium.
Përkundrazi, më e udhës do ishte të nxirrnim leksione edhe nga vende të konsideruara të botës së tretë që edhe ne të 'botës së dytë', mos të vazhdojmë të ushqejmë veten me iluzionin se, ngaqë jemi në 'derën e pasme' të Evropit, kjo e fundit na paska një borxh historik dhe që tek e fundit do na fusë brenda bashkë me komshinjtë tanë.
Ky iluzion ka bërë që, ka të ngjarë që të kalojnë edhe një dekadë tjetër dhe ne të vazhdojmë të kemi të njëjtat probleme: zgjedhje të kontestuara (apo të parregullta, të vjedhura etj.), mosbesim në rritje ndaj politikës, apo akuza të ndërkombëtarëve, herë në mënyrë direkte dhe herë diplomatikisht për korrupsion, 'kapje shteti', krim të organizuar e kështu me radhë, një refren tashmë i mërzitshëm për veshët e kujtdo shqiptari, sidomos të atyre që u përplasen dyert e ambasadave në fytyrë, pa arritur të marrin dot atë të uruar vizë.
Të frymëzuar pse jo edhe nga shembuj pozitivë që vijnë edhe nga vende si Gana apo Botsvana, që kanë me mijëra probleme të tjera dhe kanë pasur një start shumë më të vështirë se ne, duhet të reflektohet dhe të fillohet nga alfa dhe omega e një sistemi demokratik, që është zhvillimi i zgjedhjeve të lira, të rregullta dhe mundësisht të pakontestuara post factum.
Është vetëm 9-muajsh dhe koka i duket më e madhe...
Lajmet 04 mars - Ora 13 -
data/04-03-2009
Lajmet 04 mars - Ora 12 -
data/30-08-2008
Lajmet 04 mars - Ora 11 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
KOMENTI JUAJ