Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Çfarë është humbur?

Dr. Adem Harxhi | 04/03/2009 | Komente | komentet 10 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Nga cikli "Letra tim biri", në vijim të Forumit të djeshëm në "Shekulli", "Vdekje në duar Mjekësh"

Ka kohë që nuk më ke shkruar për jetën dhe për punët e tua, bir. Uroj që shkak të jetë ngarkesa. Kështu është puna e doktorit.


Por, unë dua të di për punët e tua, sepse më kujtohet rinia ime dhe, sa herë më shkruan, ndjej sikur diçka përtërihet brenda meje.

Sot do të tregoj për diçka që ma ka treguar Dr. Vasili i Madh. Nuk di në e mban mënd. Ti ishe njëmbëdhjetë vjeç kur u larguam nga Gjirokastra. Doktor Vasili ishte një kirurg i shquar. Ishte viti 1961, kur unë mbarova specializimin dhe shkova me punë në spitalin e Gjirokastrës.


Dr. Vasili kish dalë në pension, por vazhdonte të punonte. Pasi mbaronte me sukses operacionet e vështira disaorëshe, të cilat i fillonte shumë herët në mëngjes, ai përkëdhelte muret e sallës ku punonte, ashtu siç bën prindi me fëmijën e sjellshëm.

Ai e bënte këtë edhe pas dyzet mijë operacioneve, që i kishte kryer në atë sallë.
"Shko sa më shpesh në morgun e spitalit", - më thoshte ai.



"Ashtu si skulptori, duke punuar vazhdimisht me mermerin, fiton kontroll të jashtëzakonshëm mbi të, edhe kirurgu, në autopsi, e bën pronë të tij mishin. Siç është vizatimi për piktorin, është anatomia për kirurgun.


Vazhdo të disekosh gjithë jetën. Vetëm atje do të mësosh strukturën dhe formën e trupit. Çdo variacion, çdo anomali, çdo situatë e vështirë në autopsi, do ta bëjë më të lehtë punën, më vonë, në sallën e operacionit".

Unë u përpoqa ta zbatoj këtë porosi. Në atë kohë, në morg punonte vetëm një punëtor. Nuk kishte mjek anatomo-patolog. Autopsitë i kryenin mjekët që dëshironin, ose që caktoheshin. Anatomo-patologët erdhën më vonë në spital.

Në morg kuptova se, ndryshe nga fytyrat, organet e brendshme janë të ngjashme tek të gjithë njerëzit. Është e vërtetë që ka diferenca të vogla në madhësinë e veshkave, të mëlçive dhe të splinave normale.


Ka ndonjë lobul, apo vendosje duktusi dhe vazash gjaku jo të zakonshme, por në përgjithësi, një mëlçi apo një veshkë, ngjan shumë me një tjetër. Ndryshe nga fytyrat, ato nuk kanë shenja të dallueshme.


A ke dëgjuar ndonjë herë të thonë si veshka e Napoleonit, ose si mëlçia e Tolstoit? Është kjo ngjashmëri e organeve, që e bën kirurgjinë një art si të gjithë artet e tjerë, që perfeksionohet nga përsëritja dhe puna.

Respekti dhe nderimi që do të tregosh për kadavrat, do të të kthehet e shumëfishuar, mijëra herë. Çfarë është salla e operacionit? Mbase një prosekturë që "pret" njerëz të gjallë!! Por që morgu të bëhet vend ku mësohet, atje duhet të bëhen sa më shumë autopsi.

Nuk rri dot pa të shkruar edhe për autopsitë. Është një gabim i madh që sot bëhen gjithnjë e më pak autopsi. Në spitalin ku unë punova shumë vite, asnjë të vdekur nuk e morën familjarët pa u bërë autopsia.


Në autopsi do të ishte, veç të tjerëve, detyrimisht, mjeku kurues. Ky ishte një rregull, nga i cili nuk u përjashtua askush. Mbi bazën e autopsisë bëhej diskutimi i çdo vdekjeje. Kjo ishte një shkollë e vërtetë, për ata që donin të mësonin.

Më kujtohet, kur E. L. vdiq pas operacionit. Atij iu hoq një tumor nga zorra e trashë. E shoqja dhe familjarët e të ndjerit, e pranuan shpjegimin e kirurgut kur u tha: "Kancerin nuk e bëra unë".


Por, kur autopsia tregoi të vërtetën, që doktori, gabimisht, kish dëmtuar arterien iliake dhe humbja e gjakut e çoi të sëmurin në vdekje, kirurgu dhe gjithë ne të tjerët, morëm një mësim të madh, që do ta kishim humbur po të mos bënim autopsinë.



Shumë vjet më parë, një nga drejtuesit kryesorë të rrethit, pasi u mjekua disa ditë në shtëpi për një pneumoni, u shtrua në spital. Nga Tirana erdhi një konsultë e përbërë nga Prof. Hoxha, Prof. Ndroqi, Prof. Paparisto dhe disa të tjerë që i shoqëronin.

Ata vendosën se është një pneumoni dhe përshkruan mjekimin përkatës. Madje, për ta ndjekur të sëmurin, Prof. Ndroqi qëndroi në spitalin e Gjirokastrës.



Ditën e nesërme, pasi u larguan profesorët, në duart e Prof. Ndoqit, i sëmuri vdiq. Kjo ishte një vdekje e papritur, që na habiti të gjithëve. Njoftuam Ministrinë e Shëndetësisë. Profesorët nuk kishin arritur akoma në Tiranë.


Na thanë se autopsia do të kryhej prej anatomo-patologut, që do të vinte bashkë me profesorët.



Ata arritën natën vonë. Anatomo-patologu nuk e bëri autopsinë natën, ajo u krye të nesërmen, me dritën e diellit, siç është rregulli.

Të pranishëm në sallën e morgut ishin mbi pesëmbëdhjetë mjekë. Në momentin që Dr. Cesk Rroku arriti tek arteria pulmonare dhe tregoi një tromb "kavalier", që e kishte "mbytur" të sëmurin, të gjithë shtangën.


Trombozën e arteries pulmonare, konsulta e kish diskutuar, por e pat përjashtuar. U gjet se trombet shkëputeshin nga një pleksus venos i trombozuar në skrotum.



Ky ishte një mësim i madh, për të gjithë mjekët që asistuan në atë diskutim. Kush e di sa mësime të tilla ke humbur ti dhe shokët e tu, që nuk i bëni sot autopsitë?.


Ta shkrova këtë shembull, që të them se në mjekësi bëhen gabime, dhe ato bëhen nga të gjithë. Bëhen dhe nga mjekët më të kualifikuar e më të shquar. Kështu është mjekësia. Por verifikimin e këtyre gabimeve, dhe që të mësosh prej tyre, këtë e bën autopsia.

Ja dhe një rast tjetër.

Ti sapo ishe liruar nga ushtria dhe vazhdoje studimet në "Universitetin Chapman" për biologji. Ne jetonim në atë kohë në Tustin.

Nuk di në e mban mënd, por unë e kam fare të freskët atë ngjarje. Në mos gabohem, ishte viti 1999. Atletja me famë botërore, ylli i vrapimeve të shkurtra, Florence Griffith Joyner, vdiq në gjumë, në shtëpinë e saj në Mission Viejo.

Atë ditë unë isha në Mission Viejo. Ti e di që unë shkoja atje, dy herë në ditë.
Cinikët, nxituan të spekulonin, se gjoja, barnat që ajo kish marrë për të rritur aftësitë e saj për vrapim, e kishin zmadhuan zëmrën dhe e çuan atë në vdekje. Kjo, u besua nga të gjithë, deri sa autopsia tha të vërtetën.

Një pleksus arterial mbi bulbin e syrit të majtë, kish rrjedhur gjak në tru. Kjo shkaktoi një atak epileptik që e mbyti atë në shtrat. Nuk u gjet asnjë shenjë, që të tregonte se ajo kish përdorur barna për të rritur formën e saj sportive.

Autopsia, siç e di, prej shekujsh ka qenë një mjet zbulimi, që i kthen doktorët në detektivë, për të shkoklavitur misterin e fundit - vdekjen. Praktika e ekzaminimit të kufomave ka filluar 3,500 vjet më parë, por fatkeqësisht, këto vitet e fundit, duket se është tulatur kudo, ndërsa në Shqipëri ka vdekur.

Po të pyesësh anatomo-patologët, ata me siguri do të thonë sa ka rënë numri i autopsive dhe sa është rritur numri i vdekjeve.
Kam dëgjuar doktorë të thonë se me teknologjitë e sotme moderne të ekzaminimit, autopsitë nuk janë më të nevojshme.

Doktorët kanë zotësi, që nuk njiheshin më parë, për të ekzaminuar trupin e gjallë dhe për të diagnostikuar sëmundjet. Kjo, e bën kërkimin pas vdekjes të pa nevojshëm.


Nuk është e vërtetë që sot gjendet çdo gjë tek të sëmurët . Kam lexuar se edhe këtu në Amerikë, ku teknologjitë e diagnostikimit dhe të mjekimit janë më të avancuarat, përqindja e diagnozave të gabuara nuk ka ndryshuar. Ato janë akoma 20 deri 30 për qind.

Pra, çfarë është humbur?


Është humbur informacioni i pasur, që do t'i ndihmonte njerëzit të jetojnë një jetë më të shëndetshme.



Kanë humbur, padyshim, edhe njoftimet e papëlqyeshme që na jep autopsia për gabimet që bëjnë mjekët. Ajo në mjekësi është kontroll i cilësisë, është vetësiguri e brendshme.

Ç'do të thotë kjo për të gjallët?

Kjo do të thotë se ne nuk dimë të vërtetën pse vdesin njerëzit. Po humbasim statistikat, pa të cilat, nuk jemi në gjendje të parashikojmë të ardhmen.

Po qe se statistikat për shkaqet e vdekjeve, që janë treguesi më me rendësi në shëndetësi, nuk janë të sakta, edhe vendimet e politikës shëndetësore që bazohen në to, edhe masat që do të marrë shteti për të përqendruar kërkimet, do të jenë, po ashtu, të gabuara.

Natyrisht, këto vlejnë për vende ku ka politikë shëndetësore dhe për vende ku ka shtet. Fatkeqësisht, tek ne mungojnë të dyja!

Në shumicën e certifikatave të vdekjeve tek ne, si shkak i vdekjes shënohet arresti kardio-pulmonar. Ky nuk është shkaku i vdekjes. Dihet se në çdo vdekje, e fundit që ndalon, është zemra. Por...çfarë e detyroi zemrën të ndalojë? Ky është shkaku i vërtetë i vdekjes.

Njerëzit po vdesin dhe doktorët nuk dinë pse ata vdesin.
Mos harro, kadavra thotë të vërtetën.

Autopsia është shkencë e pastër. Ti e di që fjala "AUTOPSI" është fjalë greke, që do të thotë "të shohësh veten". Ajo është shkencë më e pastër nga mjekësia e përgjithshme.

Kur doktori viziton një të sëmurë, ai nuk shikon sëmundjen e tij. Ai kap simptomat, mënyrën si sëmundja shfaqet. Vetëm në autopsi, doktori mund ta shikojë sëmundjen, makro dhe mikroskopikisht.


Duhet ta kuptosh, se në botë, vetëm pak njerëz e kanë këtë privilegj. Ata janë vetëm doktorët. Pse ta neglizhojmë këtë privilegj? Ky është nderi që të sëmurët, edhe me vdekjen e tyre, u bëjnë doktorëve: të mësojnë t'u shërbejnë më mirë të sëmurëve.


Por, fatkeqësisht, sot, autopsitë, pothuajse nuk bëhen fare.
Kam dëgjuar, gjithashtu, se një arsye tjetër që nuk bëhen autopsitë është ana financiare.

Ato pak mjete financiare që ka shëndetësia, shteti dëshiron t'i shpenzojë për të "gjallët", e jo për të vdekurit. Kur të thashë për të gjallët, nuk i përjashtova ata që përvetësojnë paratë, që janë destinuar për të sëmurët.


Ka edhe disa doktorë që e kundërshtojnë, nuk e kërkojnë dhe nuk e rekomandojnë autopsinë. Ata i tremben ndëshkimit për praktikë të gabuar, kur do të merret vesh diagnoza e vërtetë.
Kjo është një frikë e pabazuar. Mos u frikëso.

Kur ne bënim shumë autopsi, madje, shpesh, kundër dëshirës së familjarëve, kjo e kishte një qëllim. Ajo bëhej që të arrihej një gjykim më i plotë.
Frika e gjyqit është vetëm në kokë të doktorit.


Autopsia është për të mësuar, për të rritur dijet dhe jo që të kapë në gabim doktorët. Kryerjen e autopsive nuk e duan ata mjekë që bëjnë gabime dhe nuk kanë kurajën të mësojnë nga gabimet e tyre.
Të lodha me këto fjalët e mia për të vdekurit.


Për ata që s'kanë, e nuk japin para. Ah..., sikur të paguanin të vdekurit për autopsinë e tyre, doktorët do të rriheshin me njëri-tjetrin, për të vendosur se kush duhet t'i bënte ato.



Të sëmurët, edhe me vdekjen e tyre na ndihmojnë. Ja pse në hyrje të morgut, në shumë vende, me germa të mëdha, të bukura e të shquara, shkruhet: "HIC LOCUS EST UBI MORS GAUDET SUCCURRERE VITAE ".

( Këtu është vendi, ku vdekja, me kënaqësi ndihmon jetën)
Në këtë letër do të gjesh emrat e disa mjekëve shqiptarë të shquar. Ata janë përfaqësues të një brezi mjekësh të mençur e të urtë.


T'i kam shkruar emrat e tyre të vërtetë, nga respekti që kam për ta. Ata kanë qenë mësuesit e mi të parë dhe unë i kujtoj me admirim e përulje.


Ti je një doktor i ri dhe nuk pate fatin t'i njihje e të mësoje prej tyre, por... lypset të dish, se ata dhe shumë të tjerë bashkëkohës me ta, kanë qenë mjekë të mrekullueshëm dhe mësues të përkushtuar, për mijëra mjekë shqiptarë. Emrat e tyre duhet të kujtohen me nderim.
Tani, natën e mirë! Ademi.


 

10 KOMENTE

I jashtezakonshe si gjithmone Zoti Harxhi! ky shkrim eshte nje mesim shume i vlefshem per gjithe ata mjeke qe kane zemer dhe qejane te ndergjegjshem per te sheruar te semuret!Vajza ime sapo ka filluar te studioje per mjekesi.Une do ja printoj kete shkrim dhe do t'ja var tek studioja e saj.Nderime per ju!

ajo qe vlen me pak ne shqiperi eshte jeta e njeriut.mjeket shqiptare mund edhe te jene dhe te zote,por deshira per tu pasuruar,i ben te harrojne profesionin.toka ua mbulon gabimet,apo dhe fajet.

Doktori i nderuar ka shume te drejte sidomos per ate autopsi per te cilen tregon ne leter.
Desha te di nga doktori si do tja bejme me "AUTOPSINE" e politikave dhe qeverive qe po varosin perdite premtimet e tyre pa i ber mesim.

""""HIC LOCUS EST UBI MORS GAUDET SUCCURRERE VITAE ".
( Këtu është vendi, ku vdekja, me kënaqësi ndihmon jetën)"""

DR. HARXHI, SI T'JA BEJME ME KETO TE SEMURET TANE NE SHQIPERI QE ME QINDRA E MIJERA JANE. A MUND T'JU BEHET NJE AUTOPSI MENDJEVE "TE VDEKURA" TE ATYRE SHQIPTAREVE QE VUAJNE NGA KJO SIMBDROME? SHQIPERIA ESHTE NJE VEND "MORG" SHEMBELLTYRE PER TE DIAGNOSTIKUAR E KONTROLLU SHKAKUN "E VDEKJES" SE QELIZAVE TE TRURIT TE SHQIPTARIT, QE SHQIPERINE E KANE CUAR NE GREMINE.

A I KENI BERE AUTOPSI ENVERIT E SHOKEVE TE TIJ TE RRETHIT, SE MOS ATO KANE COFUR NGA "DASHURIA PER POPULLIN DHE PER VENDIN TONE???

Qofshi i nderuar Dr. H. per punet e mira qe mund te keni bere, sa per te tjera gjera...DO VIJE NJE DITE!

Bravo Doktor.
Leksion plot vlere dhe shkruar me pasion, plot edukacion e nderim.
Valle a do ta lexojne, do ta kuptojne e do nxene dicka keta leshkot qe operojne e kurojne fatzijte e tyre shqiptare!

Edhe nje pune tjeter te mire doktor Harxhi.Urime e shendet

keshillat e doktorit jane te mira per profesioniste ne kuptimin e pergjithshem se duhet hulumtuar edhe pas vdekjes, ose deshtimit !
por mendoj qe ai duhet te i pergjithesoj keshillat per shqiperine , per politiken shendetesore shteterore!
plus amerika teknikisht e ka mjekesine me te perparuaren ne bote por morbiditeti dhe mortalitei jane shume te larte dhe jeyegj

Dr. Harxhi, ne Shqiperi ka humbur: ndera, karakteri, burreria, humanizmi, e mbi te gjitha sensi i ndjeshmerise te te qenit SHQIPETAR. Sepse ikim neper Bote, dhe shkerrahemi neper rruget e Botes, turperohemi te tregohemi se jemi shqiptare, ulim zerin te mos na degjojne te tjeret te flasim shqip se na dihet lekura.

Keto jemi neve sot. Pergezime por se pak ze vend per sa shkruani, se per nje popull si i yni qe turperohet te tregohet se eshte shqiptar, nuk ke se c'ka vlereson ne to.

...duhet pa kurfare inhibimi qe te jep keshilla per politiken shendetesore shqiptare !
plus siç shkrova me larte duhet qe teknikat mjekesore me te perparurat ne bote qe i ka amerika te i pervetesojne edhe mjeket tane! se edhe specialistet tane i kane dhjete gishta e dy sy siç tjeret.
me nje politike te mire shendetesore shqiperia bile mun te ia kaloj amerikes se vendi jone per shembull mund te bej nje bujqesi teresisht organike, nje ambient te pandotur, marredhenie ndernjerezore te shendosha e te çtendosura, pa stres, dhe te jetojme sa me natyeshem qe eshte e mundur dhe ne nje klime te shendoshe morale.
te gjitha keto do ta zbresin morbiditetin e si pasoje edhe mortalitetin.

bla bla bla bla bla.....

A te kujtohen kooperativat bujqesore ty o ndricim me llamba te djegura. Askend nuk kam degjuar te thoje se nje dhome mund te ndricohet me llamba te djegura. Kete po e degjoj nga ty.

Eshte e vertete se edhe mjeket tane, kane 10 gishta e dy sy (kjo asht normalja anatomike e nje njeriu normal). Por te keshe 10 gishta, apo 9 gishta. Te keshe dy sy, apo te shikosh vetem me njerin sy, truri njesoj do te funksjonoje, dhe nuk do te ndikonin aspak ne perdorimin apo shfrytezimin e dijes se cdo mjeku.

Edhe ne lufte, nese nje ushtarit i mbesin disa gishta apo nje sy, ai perseri do te mundin te luftoje, sepse shpirti luftarak nuk i bie por cka i shtohet edhe me shume.

Kalojme tek mjeksia. Mjeket amerikane per te arritur ne ate nivel mjetesh teknologjike, ju deshen vite me rralle e te kalonin neper rruge graduale te zhvillimit te mjeksise.

E para e punes, shumica e mjekeve te kohes enveriane, iken neper bote per te kerkuar nje jete me te mire. E din ti se ku kane perfunduar ato? -Ne pune te rendomta qe nuk kane te bejne aspak me zanatin e tyre.

Po te cosh disa libra ne nje kafaz majmunash me pretendimin se majmunat do i lexojne librat, kjo eshte nje metode e deshtuar dhe UTOPIKE. Sepse majmunit i duhet mesuar qe te lexoje se pari.

Nese kerkojme te fusim teknologjine e kohes per mjeksine shqiptare, me duket UTOPIKE per vete kohen dhe situatat qe po kalojme. Le te fusim se pari raketa amerikane, pastaj shofim te fusim teknologjine e mjeksise moderne te tyren. Se per ushtri e luftera te pakten ne marrim ere me shume , edhe pse me gishta apo sy magut apo jo.

KOMENTI JUAJ

 
Komentet
 

Personat me aftësi të kufizuar në grevë urie

Vazhdon greva e urisë se personave me aftësi fizike të...

Seks në këmbim të punës, shkarkohet Pango

Skandaleve të shumta të ministrave të kabinetit "Berisha", iu shtua...

Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj