Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Një prekje dhune

Elsa Demo | 04/03/2009 | Kulture | komentet 2 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë "Sotiri" që pas mbylljes së "Marubit" ka mbetur i vetmi i këtij lloji tek ne, fton artistët të diskutojnë për dhunën. Kurator Harri Pälviranta, artisti finlandez që ka punuar në Shqipëri për temat e armëve në shtëpi dhe të burgosurit politikë

Ç'është e bukura në një vepër arti? Ajo që mban një qëndrim, që ngrihet kundër disa këndvështrimeve të imponuara dhe të pranura si të vërteta të paluajtshme; e bukura pra duhet të veprojë politikisht, të provokojë, të jetë e mbushur plot emocion. I perifrazuar, ky është qëllimi për të cilin artisti finlandez Harri Pälviranta kuratori i "Sotiri 2009" ka zgjedhur konceptin "Një prekje dhune".


Është hapur tashmë aplikimi për edicionin e dytë të konkursit ndërkombëtar të fotografisë për të rinj i cili organizohet në Korçë më 23 maj, qyteti ku zhvilloi gjithë aktivitetin e tij Kristaq Sotiri, emrin e të cilit mban konkursi i vetmi i këtij lloji në Shqipëri, qyshse u mbyll "Marubi", ka tre vjet.

Vepra e Sotirit për aq pak sa është prezantuar në publik, na sjell para syve një botë të vogël të paqtë, portrete qyteti nga Korça e viteve tridhjetë, intelektualë po edhe të vobektë. Ndërsa kuratori Pälviranta me "prekje dhune" mendon të shtrojë një diskutim me anë të fotografive.


Ai pyet: A munden fotografët të trajtojnë tema që lidhen me dhunën dhe prekjen, duke dhënë diçka më shumë se një tekst?
Dhe më tej shton: "Është e qartë që secili do kapë tema që janë të nxehta, që ngjallin kundërshti.

Por në të njëjtën kohë, vetvetiu, imazhet e ekspozitës mund t'i prekin njerëzit, mund t'i dhunojnë ata. Veç kjo gjë, edhe pse është një veprim që sjell kundërshti nuk është e mbrapshtë.

Ajo më shumë zbulon diçka thelbësore prej mendimit e qenies sonë. "Një prekje dhune" është një temë që nuk ka të bëjë me tendencat e modës, por me diçka që na rrethon gjithë kohën."

Studiuesja Eleni Laperi, e cila mori përsipër të themelojë "Sotirin" brenda Projektit 5.6, shkollë e fotografisë për të përgatitur fotografë profesionistë, tha se prurjet e deritanishme nuk të lënë indiferent.


Ato i kalojnë kuratorit Pälviranta i cili do të bëjë përzgjedhjen e fotografëve që do të jenë pjesëmarrësit finalë të konkursit. Interesim kanë shprehur artistë nga Shqipëria, Austria, Izraeli, Turqia, Maqedonia, Kroacia etj..

"Ftuam një mik që ia njohim cilësinë e punës dhe që e njeh Shqipërinë",- shton Eleni e pyetur për zgjedhjen e kuratorit finlandez. Sa për temën, ajo kujton se Harri është marrë me të edhe në seritë e punëve fotografike që realizoi në Shqipëri më 2004, kur ishte rezident në Tiranë. "Studim mbi identitetin shqiptar", një vepër e përbërë nga 24 imazhe të vendosura së bashku, i përket kësaj kohe.


Është një vepër që ka të bëjë me ndjesinë e dhunës që fshihet nën sipërfaqen e Shqipërisë. Ndjenja e nacionalizimit, heronjtë në monumente, armët në shtëpitë e njerëzve, janë pjesët e mozaikut të këtij studimi mbi identitetin shqiptar.

Për këtë "studim" ai i referohet edhe "Gjeneralit të ushtrisë së vdekur" të Ismail Kadaresë ("Shqiptarët janë popull i ashpër dhe i prapambetur. Qysh kur lindin iu vënë armën në djep, kështu që ajo bëhet pjesë e pandarë e ekzistencës së tyre".

"Po, duket" thotë gjenerali. "Edhe çadrat i mbajnë sikur të ishin armë.") Por ai pranon që mund të jetë totalisht i gabuar me përfundimet e tij, ndërsa seria e fotove mbi "identitetin shqiptar" janë këndvështrimi i një të huaji.

Gjatë kohës në Shqipëri Harri Pälviranta punoi për projektin "të burgosurit politikë" dhe "Armët në shtëpi".

Temën e "Sotirit 2009" e ka propozuar ai: "Duke e parë dhunën dhe prekjen nga këndvështrimi i imazheve, një artist shkon me lehtësi përtej fjalëve, i kalon kufijtë e shprehjes me anë të fjalëve duke hyrë në këtë mënyrë në vende të panjohura.

Fotot bëhen bartës, prezantues apo ndërtues të kuptimeve të pakëndshëm apo të çuditshëm. Artisti duke trajtuar temën "Një prekje dhune" nuk ka pse të mbajë një qëndrim korrekt politikisht apo të trajtojë një temën korrekte politikisht - nga vetë natyra e saj një pamje e pazakontë nuk i pranon ato",- shkruan kuratori në konceptin e Konkursit Ndërkombëtar për fotografët e rinj që do të mbahet në Korçë.

Dhuna është një fenomen me të cilin ai është marrë gjatë. Një pjesë të mirë të veprës së tij ai e fokuson tek përdorimi i dhunës.


Pälviranta e kupton dhunën si një entitet që ekziston në shumë nivele, që është e pranishme dhe përdoret edhe atëherë kur gjithçka duket krejt në rregull."


Qysh prej dhjetë vjetësh është vënë në kërkim të gjurmëve të saj të tërthorta apo të drejtpërdrejta. Më 1999 realizoi serinë e punëve "Nga ditari i një disidenti" me foto nga Trubetskoi burg në Shën Peterburg, ku janë burgosur edhe Dostojeëski apo Gorki; me ciklin "Badscapes" (1999−2000) më pas;


"Në dhunë"; "Fletët e burgut" ku është marrë me gjurmët e të burgosurve në mure dhe në dysheme, në burgjet muze në Rusi, Estoni, Lituani, Gjermani, Finlandë dhe Shqipëri.

Edhe me projektin e tij të fundit i quajtur "I rrahur" (2006−2007) ai fotografon njerëz që janë viktima të dhunës në shtëpi apo në rrugë.


Si fotograf Pälviranta është i prirur ndaj fenomeneve që janë të lidhura me kohën që jeton, me gjëra që u përkasin njerëzve dhe rrethanave ku ata jetojnë.

"Puna ime mund të cilësohet dialektike; e vendos veten në kohën dhe vendin që jetoj, por nëpërmjet punës sime unë dua të jem pjesëmarrës në ndryshimin dhe zhvillimin e mjedisit.

Unë dëshiroj të diskutoj përmes imazheve të mia. Kryesisht punoj duke pasur një qasje dokumentare ndaj gjërave dhe fenomeneve, një mënyrë bashkëkohore të kuptuari të dokumentaristikës duke përfshirë perspektivën poetike dhe subjektive."

Edicioni II i "Sotiri 2009" do të mbahet sërish në Pallatin e Kulturës në Korçë, në sallën që mban emrin e piktorit "Guri Madhi" dhe në qershor, ekspozita zhvendoset në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Një juri ndërkombëtare do të vlerësojë dy më të mirët, njëri që do të marrë çmimin e madh "Sotiri" me vlerë 150 mijë lekë, çmim që jepet nga bashkia e qytetit.

Ndërsa tjetri, çmimi II i jepet një fotografi të ri shqiptar i cili fiton një bursë për të ndjekur kursin e plotë të fotografisë tek "Projekt 5.6." në Tiranë.
Fituese e edicionit I është Itsasne Casas nga Belgjika.

 

2 KOMENTE

Kallashin ekan perdor per lavatricen ,
kur s,punon ta kercenojne(Puno moj shkerdhat)
Barcalet per lavatricen:-))

'Sotiri' nuk eshte i vetmi konkurs nderkombetar qe organizohet ne Shqiperi. Nje tjeter konkurs eshte 'Fokus' qe mbahet ne Fier. Faqja zyrtare e tij eshte www.fokus-al.com

KOMENTI JUAJ

 

Super "Big band"

Studentët të Akademisë së Arteve në formacionin "Big Band", dyfish më i madh se klasiku amerikan. Fatos Qerimaj: Nuk do...

Burrë dhe grua, sa e vështirë!

Spiro Duni prezanton komedinë "Mbroni shpellarin". "Mbroni shpellarin" është një monodramë (në thelb është një komedi) mbi marrëdhëniet që ekzistojnë...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj