Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Tenderët, abuzime me shpalljen e fituesve

Eltion Hoxha | 04/03/2009 | Biznes | komentet 0 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Avokati i Prokurimeve, në raportin e 2008-ës, evidenton shkelje në procedurat e tenderëve me fondet publike


Favorizime, kritere diskriminuese, komisione joprofesionalë, etj., janë disa nga të metat e vërejtura gjatë tenderëve

Zyrtarët vazhdojnë të shkelin ligjin dhe rregullat gjatë zhvillimit të tenderëve publikë. Avokati i Prokurimeve, në raportin e tij vjetor për vitin 2008, ka vërejtur një sërë shkeljesh gjatë proceseve të prokurimeve publike.

Favorizimi i disa kompanive, kritere diskriminuese dhe mungesa e profesionistëve, janë disa nga problemet e konstatuara nga ky autoritet gjatë vitit 2008, në tenderët e zhvilluar në të gjithë vendin.

"Autoritetet kontraktore, gjatë shqyrtimit të ofertave kualifikojnë dhe favorizojnë operatorë ekonomikë, të cilët nuk përmbushin kriteret kualifikuese. Mangësi të theksuara janë vërejtur veçanërisht gjatë hapjes, shqyrtimit dhe vlerësimit të ofertave nga autoritetet kontraktore.

Problemi më shqetësues i zhvillimit të procedurave me mangësi dhe që dëmton konkurrencën e ndershme në tenderë, është kualifikimi dhe shpallja fitues e operatorëve ekonomikë, të cilët nuk plotësonin kriteret kualifikuese",- thuhet në raportin për vitin 2008. Sipas Avokatit të Prokurimeve, komisionet vlerësimit të ofertave, në shumë raste, kanë vepruar në kundërshtim me disa nene të ligjit "Për prokurimin publik", duke kualifikuar ofertat e shoqërive që nuk plotësonin kërkesat për kualifikim të përcaktuara në dokumentet standarde.

"Këto veprime të jashtëligjshme, cenojnë parimet e përzgjedhjes, me qëllim favorizimin në mënyrë abuzive të ofertuesve të preferuar, duke diskriminuar konkurrentët e tjerë seriozë në procedurat e prokurimit",- citohet në raportin vjetor.

Avokati i Prokurimeve deklaron se vendimet dhe rekomandimet e tij mbi këto çështje janë mbështetur nga Agjencia e Prokurimit Publik për të skualifikuar ofertat e operatorëve me mangësi në dokumentet kualifikuese.

Raste të tilla janë evidentuar në disa ministri, si ajo e Shëndetësisë, Mbrojtjes, Arsimit dhe strukturat në varësi të saj, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare dhe disa bashki në vend.

Raporti i Avokatit të Prokurimeve vëren se autoritetet kontraktore zhvillojnë procedura prokurimi në kundërshtim me kriteret ligjore të përcaktimit të fondit limit, apo kur nuk i kanë në dispozicion fondet.


"Në ligjin dhe rregullat e prokurimit publik, është përcaktuar se procedurat e prokurimit publik fillojnë, kur autoritetet kontraktore kanë fondin në dispozicion dhe më pas bëhen përllogaritjet e fondit limit.

Nga ankesat e shqyrtuara, rezulton se disa autoritete kontraktore kanë hapur procedura prokurimi pa pasur fonde në dispozicion, apo pa përcaktuar saktë fondin limit",- thuhet në raport.

Pjesa më e madhe e ankesave, sipas Avokatit të Prokurimeve ka pasur si objekt kërkesën për modifikim dokumentesh, për arsye se autoritetet kontraktore vendosin kritere, të cilat favorizojnë subjekte të caktuara dhe krijojnë premisa për shmangien e konkurrencës së ndershme.


Ndër kriteret diskriminuese, përfshihet numri i ekzagjeruar i punonjësve, kapacitetet financiare të kërkuara për garuesit jo në përpjesëtim me vlerën e kontratës, ekzagjerim në kriterin e "eksperiencës së mëparshme", etj.


Zvarritja


Një ndër problemet e konstatuara nga Avokati i Prokurimeve është se, autoritetet kontraktore nxitojnë të lidhin kontrata edhe kur ka filluar hetimi administrativ për shkelje të rregullave të prokurimit. Sipas Avokatit, shpesh, në tenderë, autoritetet kontraktore zvarrisin dhe anulojnë ato me justifikime të ndryshme, për të vazhduar në mënyrë abuzive kontratat me subjektet e mëparshme, apo që të zhvillojnë procedura me negocim, pa shpallje. Në shumë raste, komisionet në tender përbëhen nga persona që nuk kanë kualifikimin e duhur për zhvillimin e procedurave të bashkëpunimit, si dhe nuk bashkëpunojnë me Avokatin e Prokurimeve për shqyrtimin e dokumentacionit.

Bizneset, mbi 300 ankesa për zhvillimin e tenderëve

Thuajse për çdo ditë të vitit, kompanitë pjesëmarrëse kanë ankimuar procedurat e prokurimeve publike

Kompanitë pjesëmarrëse në tenderë, kanë depozituar pranë Avokatit të Prokurimeve 354 ankesa gjatë vitit 2008, ku kundërshtuan vlerësimet e autoriteteve kontraktore apo të Agjencisë së Prokurimeve Publike. Në raport thuhet se, 53 monitorime janë kryer nga ky institucion, bazuar në denoncimet e bëra nga media dhe në përzgjedhjen e bërë nga ky institucion, bazuar në vlerën e konsiderueshme të prokurimit. Për 210 ankesa ka nisur hetimi administrativ, pasi sipas Avokatit të Prokurimeve, pretendimet e ngritura dhe argumentet e ofruara nga kompanitë pjesëmarrëse në tenderë ishin të mjaftueshme për nisjen e hetimeve, për të cilat janë dhënë vendimet përfundimtare. Avokati i Prokurimeve ka mbështetur me vendimet dhe rekomandimet e nxjerra, 129 ankesat e bëra nga garuesit në tenderë, për problemet që kanë trajtuar në ankesat e tyre. Në 30 raste, AP-ja ka dhënë rekomandime për rivlerësimin e ofertave, nisur nga shkeljet e konstatuara gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit. Ndërsa për 102 raste është dhënë rekomandimi për anulimin e procedurave, nisur nga shkeljet e konstatuara për parregullsi në dokumentet e tenderit, apo për zhvillimin me mangësi të procedurave të prokurimit. Avokati i Prokurimeve deklaron se procedurat e hetimit kanë përfshirë verifikimin e të gjithë dokumentacionit të tenderit apo koncesionit. "Hetimet dhe monitorimet e kryera nga ne, kanë trajtuar jo vetëm pretendimet e ankimuesve, por kemi shqyrtuar procedurën në tërësinë e saj, që përfshin përllogaritjen e fondit limit, ngritjen e komisioneve, vlerësimin e ofertave, shpalljen e fituesit dhe evidentimin e plotë të procesit", - citohet në raportin vjetor. Nga 354 ankesa të hetuara apo shqyrtuara nga Avokati i Prokurimeve, Agjencia e prokurimeve Publike nuk ka mbështetur apo kthyer përgjigje për 64 prej tyre.


 

KOMENTI JUAJ

 

Tenderët, abuzime me shpalljen e fituesve

Avokati i Prokurimeve, në raportin e 2008-ës, evidenton shkelje në procedurat e tenderëve me fondet publike Favorizime, kritere diskriminuese, komisione...

Konkurrenca, hetim shitjes së bonove të thesarit

Autoriteti ka nisur një hetim në tregun primar dhe sekondar të bonove të thesarit Hetimi po kryhet për të vërejtur...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj