|
|
AVA bën raportin e të gjitha kërkesave dhe kuotave në të gjitha degët e universiteteve për vitin 2008-2009
Të gjithë kandidatët për studentë duhet të dinë mundësitë që kanë për të fituar në të gjitha universitete e vendit, si edhe në degët më të preferuara. Kështu, Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (AVA) ka bërë një raport pikërisht për kërkesat e studentëve në raport me kuotat e paraqitura për çdo degë të universiteteve.
Specialistët e këtij institucioni pohojnë se këto kërkesa dhe kuota i përkasin vitit 2008, por praktika e viteve të fundit tregon se, në përgjithësi, numri i kërkesave në raport me kuotat është pothuajse i njëjtë nga viti në vit. Gazeta bën publike sot universitet dhe degët më të preferuara në vend.
Universitetet
Universiteti më i kërkuar edhe për vitin 2008-2009 ishte Universiteti i Tiranës, me plot 125648 kërkesa. Sipas raportit të AVA-s, bëhet fjalë për momentin e parë të aplikimit, ku në garë ishin 42 mijë kandidatë, që i përkisnin edhe periudhës para vitit 2008 dhe kishin aplikuar përmes formularit A1 për të dhënë provimet me zgjedhje, që i jep mundësinë dhe të drejtën për të vazhduar garën.
"Pra, shifrat u referohen kërkesave që përfshijnë të 10 preferencat, ku, sigurisht, të gjithë kandidatët që u shpallën fitues, fituan të drejtën vetëm për një program studimi", - shpjegojnë specialistët e AVA-s. Ndërsa vendin e dytë për nga numri i kërkesave e zë Universiteti i Shkodrës, me 27151 kërkesa, i ndjekur nga Universiteti i Elbasanit, me 22640 kërkesa.
Universitet i ri, ai i Durrësit renditet i katërti më i preferuar, pasi janë shënuar 16508 kërkesa. Sipas specialistëve për këtë universitet është interesant fakti se, në krahasim me vitin 2007, i ka dyfishuar kërkesat dhe nëse do të ecë me këtë ritëm, do të konkurrojë universitet më të kërkuar.
Degët
Degët e preferuara, padyshim që vazhdojnë të mbeten ato tradicionale. Kështu, dega e Drejtësisë, në të gjithë universitetet ka qenë ndër më të preferuarat, e ndjekur kjo nga dega e Administrim-Biznesit dhe dega e Financës. Gjithashtu, edhe Shkencat Politike dhe dega Punë Sociale, janë të preferuara nga kandidatët për studentë. Në listën e të preferuarave renditet, gjithashtu Mjekësia, Psikologjia dhe Gazetaria.
Futja e teksteve të huaja në arsimin e mesëm, gjen kundërshtimin e fortë të mësuesve
Futja e teksteve të huaja, të huazuara nga kurrikula italiane, në arsimin e mesëm, nuk gjen përkrahjen e mësuesve në arsimin parauniversitar. Ditë më parë, Ministria e Arsimit dhe e Shkencave informoi se duke filluar nga viti shkollor 2009-2010, në kurrikulën e arsimit bazë do të aplikohet për herë të parë futja e teksteve të huaja, kjo me synimin për të njësuar kurrikulën shqiptare me atë të Bashkimit Evropian.
Tekstet e para që do të huazohen nga jashtë do të jenë Kimia, Biologjia dhe Shkencat e Tokës. Në bisedë me gazetën "Shekulli", mësues të arsimit të mesëm e cilësojnë veprimin e ndërmarrë nga MASH-i, si tejet të nxituar për kohën. Ata thonë se aplikimi i teksteve vetëm për një pjesë të kurrikulës në vitin e parë të arsimit të mesëm do të sjellë probleme për nxënësit. Nga vëzhgimet e bëra, kurrikula italiane që përdoret në shkollat e këtij vendi është shumë më e avancuar se ajo që përdoret në shkollat shqiptare.
Mësuesit shprehen se nëse duhet të ndërmerret një hap i tillë, ai duhet bërë duke filluar që nga klasat e para dhe jo në vitin e parë të shkollës së mesme, pasi kjo nuk do sillte gjë tjetër, vetëm se do të rriste ngarkesën e nxënësve, të cilët vijnë nga cikli 9-vjeçar ku përdoret një kurrikul krejt e ndryshme. Kundërshtime hasen edhe nga specialistë të arsimit. Pëllumb Karameta, drejtor i qendrës për asistencë arsimore, thotë se kjo reformë ka prirje të dështojë që në fillimet e saj.
"Tekstet shkollore italiane, nga studimet që kemi kryer, janë shumë më të avancuara se ato shqiptare. Reforma do të kishte sukses nëse do të fillonte nga klasa e parë, për të vijuar më tej në të gjitha vitet e tjera". Specialisti Karameta shton më tej se reforma do të kishte efikasitet vetëm nëse do të aplikohej fillimisht në disa shkolla, dhe jo në të gjithë vendin, ndërkohë që duhet parë edhe mundësia e përshtatjes së teksteve dhe jo thjesht përkthimit të tyre. D.Laci
Universiteti Ushtarak pezulloi pesë ditë para testit fizik, zhvillimin e konkursit. Konkurentët: Duam paratë e shpenzuara Komanda e justifikon vendimin...
Konkursi i Arkitekturës nuk do të zhvillohet në muajin korrik, por do të jepet në tri ditët e fundit të...
Lajmet 10 korrik - Ora 16 -
data/10-07-2009
Lajmet 10 korrik - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 10 korrik - Ora 13 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Pershendetje, do te doja te aplikoja kete vit per studime por nuk kam mundur te aplikoj per formularin A 1, ju lutem me informoni mbi proceduren nese ka mundesi te integrohem dhe ne mungese te dorezimit te ketij formulari, ose ndonje rruge tjeter qe duhet te ndjekim ne maturantet e para 2009.
Me respekt
Mariola