Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Turizmi, lëndë me zgjedhje në arsimin e mesëm

Dritan Laci | 19/05/2009 | Edukimi | komentet 0 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Në vitin e ri shkollor, në arsimin e mesëm, nxënësit do të marrin për herë të parë leksione mbi turizmin vendas


Praktika, nxënësit që do të zgjedhin turizmin si lëndë, do udhëheqin grupe turistike në Shqipëri


Do të jetë lëndë si të gjitha të tjerat, madje do të vlerësohet njësoj me notë, paçka se në dukje mund të cilësohet si lëndë argëtimi.


"Guida Turistike" mund të cilësohet padyshim si risia që do të sjellë kurrikula e arsimit të mesëm në vitin e ri shkollor.


Lënda, e cila do të ndahet në dy pjesë; në atë teorike dhe praktike, do të aplikohet fillimisht në vitin e parë, në të gjitha shkollat e mesme dhe do të bëjë pjesë në lëndët me zgjedhje të lirë, në varësi të dëshirës së vetë nxënësve.


Specialistë të kurrikulës informojnë se qëllimi i ndërtimit dhe futjes në shkollat e mesme të një lënde të tillë, është zhvillimi te nxënësit i aftësive për të dalluar rolin dhe rëndësinë e guidës turistike në industrinë e turizmit, si dhe duke përdorur njohuri të fituara edhe në lëndë të tjera në lidhje me vlerat natyrore, kulturore, historike, etj., që t'i promovojnë këto nëpërmjet përdorimit të teknikave të thjeshta të drejtimit të grupeve turistike.


Objektivi kryesor i lëndës Guida Turistike është përgatitja paraprake e nxënësve në arsimin e mesëm të përgjithshëm, në një terren ku resurset e Shqipërisë janë të mëdha dhe të lakmueshme edhe nga turistë të huaj.


Ajo që do të kërkohet nga nxënësit në fund të vitit shkollor është që ata të shpjegojnë rëndësinë ekonomike dhe sociale për zhvillimin e turizmit, si edhe të arrijnë që, në përfundim të programit, të njohin llojet dhe format e turizmit. Në detyrën e promovimit të vlerave kulturore-turistike, nxënësit do të marrin vetë përsipër rolin të prezantojnë burimet që disponon sot Shqipëria, duke u kthyer në udhëheqës ekspeditash.

Ata do të vihen në rolin e oratorit, ku do të shpjegojnë vlerat e vendit turistik që ata kanë zgjedhur në ekspeditën e tyre, do të vlerësojnë lidhjen e turizmit me bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe historike të vendit, si edhe do të dallojnë përqasjet e traditave të ndryshme kulturore të turistëve ndaj fenomeneve të ndryshme.


Njëkohësisht, nxënësit, në programin lëndor, do të kenë për detyrë në përfundim të vitit shkollor të hartojnë edhe një itinerar turistik, si edhe ta përdorin këtë itinerar për të gjetur teknika të udhëheqjes së grupit turistik në vende të ndryshme.


Praktika do të zërë vendin kryesor në programin lëndor "Guida Turistike". Në përfundim të klasës së 10-të, ose vitit të parë në arsimin e mesëm të përgjithshëm, nxënësi, krahas ndërtimit të itinerarit turistik, duhet të shpjegojë duke ecur në vende të banuara, qytet apo fshat, edhe veçoritë e guidës.


Aftësia e nxënësit dhe vlerësimi përfundimtar do të shikohen në bazë të perfomancës që ai do të japë gjatë guidës turistike. Për të kaluar provën, nxënësi në rolin e udhëheqësit të grupit duhet të shpjegojë veçoritë e guidës në një vend arkeologjik, në muzeume, galeri arti, si edhe në vende të shenjta kisha, xhami, etj., ndërkohë që në fund të programit, gjithsecili prej nxënësve që kanë zgjedhur të jenë pjesë e lëndës Guida Turistike, do të vlerësohen me notë njësoj si në lëndët e tjera, të cilësuara bazë.

Në lëndën Guida Turistike, nxënësit do të mësojnë edhe si të konvertojnë paratë për turistët
Kambistë me shkollë të mesme


Në lëndën Guida Turistike, nxënësit nuk do të mësojnë thjesht të promovojnë vlerat turistike të vendit të tyre, por do të aftësohen edhe të kryejnë aktivitete të përditshmërisë, që në një mënyrë ose tjetër lidhen me turizmin në vetvete. Specialistët e kurrikulës kanë menduar që lënda të mos jetë e veçuar, por të jetë e shtrirë në disa linja kurrikulare, si matematikë, gjuhë shqipe dhe letërsi, gjuhë e huaj, teknologji, njohuri për ekonominë, etj.


Gjatë programit lëndor nxënësit do të kthehen në kambistë dhe do të mësojnë të kryejnë veprime matematikore në funksion të llogaritjes së kurseve të këmbimit, ose të konvertimit të monedhave të huaja në monedhën vendase.


Nxënësit do të mësojnë, po kështu, të përdorin kuptimin e termave dhe të koncepteve gjuhësorë, si: turizëm, guidë turistike, destinacion turistik, promovim, tipologji, motivim për të udhëtuar, menaxhim, etj.


Ata do të mësojnë të përdorin elementë të të shprehurit në mënyrë figurative të saktë dhe bindëse; të përdorin forma të ndryshme komunikimi në situata të ndryshme; të shprehin opinione, të arsyetojnë, diskutojnë, argumentojnë dhe të bëjnë debat në lidhje me tematika që lidhen me historinë, letërsinë, fenë, politikën, artin, mënyrën e jetesës, etj.


Në program nxënësit do të mësohen të dëgjojnë me vëmendje, të reagojnë me takt dhe të kontrollojnë emocionet gjatë prezantimit të guidës, një sërë elementësh këto që do ta aftësojnë atë për të qenë njohës i vlefshëm i turizmit. Një vlerë e rëndësishme, që do rrisë performancën e nxënësit, do të jetë edhe aftësimi teknologjik, si edhe përvetësimi i termave turistik në gjuhë të huaj.


Në orët teorike nxënësi do të mësojë, krahas programeve të ndryshme për punët e pavarura dhe prezantimet e ndryshme (si word, excel, power point, etj.) edhe përdorimin e komunikimit elektronik (e-mail, rrjetin e brendshëm, internetin, etj.) për të komunikuar dhe
bashkëpunuar me agjencinë turistike apo me destinacionin e ardhshëm.

Kurrikula e vjetër, mësim përmendësh


Në ndryshim nga kurrikula e vjetër, programi i ri që do të aplikohet në arsimin e mesëm do të ketë më pak lëndë dhe një program më efektiv për nxënësit.


Nga studimet e bëra, specialistë të arsimit, por edhe të huaj, kanë vërejtur në kurrikulën e vjetër probleme të shumta. Studimet e bëra mbi këtë kurrikul nxjerrin në pah probleme të thella, ku në radhë të parë vlen të përmendet ngarkesa e theksuar në programet lëndore të kurrikulave ekzistuese, me të cilën duhet të punojnë nxënësit.


Në kurrikulën aktuale, me të cilën punohet në arsimin e mesëm, nxënësit marrin njohuri në shumë lëndë që, shpeshherë, ndikojnë në uljen e rendimentit të tyre në mësime.


Një pjesë e lëndëve janë konsideruar si të tepërta në formimin e nxënësve, çka i ka detyruar specialistët e kurrikulës të bëjnë rishikimin e tyre në bazë të zhvillimeve reja që kërkon koha. Një tjetër pikë është procesi mësimor, ku modeli i mësimdhënies dhe stili i nxënies, evidentohen si tejet të vjetruar.


Specialistët thonë se ky stil i nxënies është më shumë i orientuar në riprodhimin dhe mbajtjen mend të fakteve dhe koncepteve, se sa zbatimin e tyre në jetën e përditshme.


Tjetra dhe që është thelbësore, është fakti se shkolla e mesme bazohet në zgjedhje të blloqeve të mëdha lëndore, që nuk ka bërë gjë tjetër, vetëm se nuk u është përshtatur si duhet nevojave dhe interesave që kanë të rinjtë e sotëm.



Programet e kurrikulës me zgjedhje të lirë
Fotografi Photo-Shop
Guida Turistike
Lojëra Sportive
Ndryshimet Klimatike
Programet e kurrikulës me zgjedhje të detyruar
Anglisht fillestar
Frëngjisht fillestar
Gjermanisht fillestar
Italisht fillestar
Spanjisht fillestar
Letërsia
Matematika, programi i avancuar
Trashëgimia jonë kulturore
Web Design



 

Komenti juaj

 

Universiteti "Skënderbej", anullohet konkursi i pranimit

Universiteti Ushtarak pezulloi pesë ditë para testit fizik, zhvillimin e konkursit. Konkurentët: Duam paratë e shpenzuara Komanda e justifikon vendimin...

Arkitektura, shtyhet një muaj konkursi

Konkursi i Arkitekturës nuk do të zhvillohet në muajin korrik, por do të jepet në tri ditët e fundit të...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj