|
|
Fitimi i titullit "Mësues", tani e tutje do të bëhet nëpërmjet krediteve dhe arritjeve të nxënësve
Plani i zhvillimit profesional, mësuesit nga bankat e shkollës do të nisin punën me titullin "fillestar"
Një mësues, për të marrë titull profesional dhe për të kërkuar të ngjisë shkallët e karrierës, tani e tutje duhet t'i nënshtrohet një vlerësimi krejt të ndryshëm nga i mëparshmi, të bazuar në performancën dhe kreditet që ai do të arrijë të fitojë gjatë një viti shkollor. Kjo është strategjia më e re që do të përdorë Ministria e Arsimit dhe Shkencave për të matur nivelin e mësimdhënies në vend.
Puna, fillimisht ka nisur me ndarjen e shkallëve të karrierës, ku mësuesit do të ndahen në katër kategori; në mësues fillestar, i cili sapo ka marrë diplomën universitare të mësuesisë, mësues ose mësues i licencuar, mësues specialist dhe mësues mjeshtër.
Një titull karriere në mësuesi mund të fitohet vetëm nëse mësuesi përmbush standardet që kërkon titulli. Specialistë të Institutit të Kurrikulës dhe Trajnimit shpjegojnë se në planin strategjik të zhvillimit profesional të mësuesve është vendosur që, për të fituar një shkallë karriere, mësuesi duhet të ketë siguruar të paktën një fond minimal në trajnime, ku të ketë grumbulluar një numër të nevojshëm kreditesh.
Në shumën e krediteve që mësuesi duhet të mbledhë nga trajnimet e ndryshme, një pjesë do t'u takojë krediteve për njohuri teorike, një pjesë për aftësi praktike në zhvillimin e mësimit, si edhe një pjesë tjetër në arritjet e nxënësve.
Për të motivuar mësuesit deri në fund, hartuesit e planit strategjik për zhvillimin profesional të mësuesve, kanë menduar që, përveç kritereve të mësipërme, të ekzistojë edhe një pjesë tjetër shtesë kreditesh, e cila do të caktohet për mësuesin që fiton një vlerësim nderues në nivel lokal ose kombëtar.
Do të jenë tre kredite ato që do të bëjnë vlerësimin e performancës vjetore të një mësuesi. Krediti i parë që duhet të sigurojë një mësues është ai për njohuritë profesionale, ku një arsimtar duhet të sigurojë një numër minimal kreditesh.
Sigurimi i krediteve në njohuritë profesionale do të bëhet nëpërmjet provimeve, të cilat vlerësojnë përvetësimin e njohurive që ofrohen nga modulet e trajnimit. Modulet ndahen në të detyruara për një shkallë karriere e lëndë shkollore dhe me zgjedhje, brenda një katalogu ofertash, ndërsa provimet për modulet do të administrohen nga agjencitë që kryejnë trajnimet.
Krediti i dytë që duhet të plotësojë një mësues, do të jetë ai për aftësitë praktike në zhvillimin e mësimit, të cilat mësuesi i siguron përmes vëzhgimit të një numri të caktuar orësh mësimore në periudhën ndërmjet dy titujve, që kryhen nga inspektorë qendrorë ose lokalë.
Krediti i tretë dhe i fundit që duhet të sigurojë mësuesi është ai për arritjet e nxënësve. Megjithëse studimet vënë në dukje se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë mes mjeshtërisë së mësuesit dhe arritjeve të nxënësve të tij, sërish e gjithë performanca e një mësuesi gjatë vitit shkollor varet nga arritjet e nxënësve që ai ka në patronazh.
Në këtë aspekt, specialistët e kurrikulës dhe trajnimit kanë parë të arsyeshme që mësuesi të vlerësohet edhe për nivelin që do paraqesin nxënësit gjatë një viti shkollor.
Në këtë mënyrë, pjesën e krediteve për arritjet e nxënësve, mësuesi do t'i sigurojë nga pikët e grumbulluara në testimet e standardizuara të nxënësve përgjatë disa viteve, nga rezultatet në provimet e maturës shtetërore ose të lirimit dhe në vëzhgimet kombëtare, si edhe do të vlerësohet me pikë nga rezultatet e nxënësve të tij kundrejt standardeve minimale lëndore të arritjeve, si edhe diferenca ndërmjet vlerësimit me nota të nxënësve të tij me vlerësimin me nota të marra gjatë testimeve të jashtme.
Universiteti Ushtarak pezulloi pesë ditë para testit fizik, zhvillimin e konkursit. Konkurentët: Duam paratë e shpenzuara Komanda e justifikon vendimin...
Konkursi i Arkitekturës nuk do të zhvillohet në muajin korrik, por do të jepet në tri ditët e fundit të...
Lajmet 10 korrik - Ora 16 -
data/10-07-2009
Lajmet 10 korrik - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 10 korrik - Ora 13 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Komenti juaj