|
|
Intervista / Flet spikerja e parë e Radio Tiranës, Vitori Xhaçka. Si e përzgjodhën, pushtimi nga fashistët, studimet në Itali dhe "krisjet" në dashuri". Rrëfimi i një jete pas mikrofonit!
Mbanë mbi hundë syza të errëta, e veshur më një bluzë sportive vishnje, me mëngë të shkurtra dhe pantallona në të njëjtën ngjyrë. Është 88-vjeçarja Vitori Xhaçka. Më 28 nëntor të vitit 1938 ka qenë një ndër themelueset e Radio Tiranës.
Është dëgjuar për 30 vjet më radhë në radion e vetme shqiptare dhe melodioziteti i zërit të saj ka ndryshuar momentet e çdokujt që e ka dëgjuar. Vitet kanë bërë të tyren dhe Vitoria nuk është më në radio, nuk është më këngëtare dhe nuk është më vajza me sharm, e cila ka kaluar ditët e rinisë në sheshin e "Piaca di Spanja" në Itali, në vitet '40-të.
Ajo tashmë mbart me vete kujtime, sakrifica dhe një jetë të jetuar mes të bukurës dhe vuajtjeve. Shtëpia e saj e dytë ishte radioja, atje ku lindi më pas dhe dashuria e saj e jetës. Në një intervistë për Sh2-shin rrëfen momentet e themelimit të Radio Tiranës, kohën kur u pushtua nga fashistët dhe gjithçka që ndodhi më vonë. Dhe, mbi të gjitha, Vitoria vjen me një rrëfim të rrallë për jetën e saj.
Zonja Vitori, keni marrë pjesë në themelimin e Radio Tiranës, na tregoni si u bëtë pjesë e saj?
Në radio kam filluar më 28 nëntor 1938. Atë ditë gjithë Shqipëria festonte 28 nëntorin. Në këtë ditë u ndodha në radio, sepse ajo me krijimin e saj kishte nevojë për elementë, gazetarë, spikerë, këngëtarë dhe, mbi të gjitha, të krijohej një kor vajzash.
Ky kor vajzash nuk mund të gjendej më lehtë, veçse në shkollën pedagogjike "Nëna Mbretëreshë", që në atë kohë ishte shkolla më e mirë dhe e njohur në të gjithë Shqipërinë. Inaugurimi i saj u bë në një ndërtesë ku është sot Muzeu Kombëtar. Kishte vetëm 3 dhoma.
Në sallën e mesme, në katin e parë, ishte vendosur mikrofoni dhe atje jepeshin lajmet dhe këndohej. Redaksia e muzikës ishte pjesë e redaksisë së lajmeve. Çdo gjë jepej live. Aparatura e transmetimit ishte shumë e varfër.
Disqet që ishin pjesë e radios ishin dhuruar nga familje të pasura tiranase që kishin dalë jashtë dhe kishin marrë këto disqe. Çdo gjë aty jepej në kohë reale.
Si ishte përballja juaj e parë me mikrofonin, në radion e parë shqiptare?
Unë në mikrofon kam kënduar fillimisht duke u emëruar soliste e radios. Këndoja pothuajse 2-4 herë në javë.
Orari i transmetimit ishte mjaft i reduktuar. Një orë e gjysme në mëngjes, 2 orë në drekë dhe dy orë në darkë. Dhe transmetimi ishte vetëm në Qarkun e Tiranës. Me një aparaturë jo shumë cilësore, megjithëse përpjekjet e drejtorit të parë të asaj kohe, i cili ka qenë Gjergj Bubani, ishin shumë të mëdha.
Po thoni që keni kënduar, si këndohej në atë kohë në radio?
Unë këndoja vetëm ose me shoqe. Shoqërimi i këngëtares bëhej ose me kitarë, me pjesëmarrjen e Pjetër Gjinit, i cili ishte punonjës në radio, një person me shumë aftësia artistike dhe bënte emisionin "Ora gazmore", që më pas beri epokë mbas çlirimit. Shoqërimi i këngëtares bëhej edhe me orkestrina të vogla violine. Atëherë nuk kishte shirit, gjithçka transmetohej me disk.
Pas themelimit të radios vjen një vit i vështirë për të gjithë shqiptarët, 1939-ta, pushtimi nga Italia. Si e kujtoni ju datën 7 prill të këtij viti?
Eh, momente rrëqethëse, të shoqëruara me lot. Më 7 prill të vitit 1939 u pushtua Shqipëria nga Italia. Pikërisht atë ditë unë ndodhesha në Radio Tirana për të transmetuar një program muzikor. Në orën 8 të mëngjesit isha aty. Papritur erdhi një lajm, i cili ngriti në këmbë gjithë popullin tonë. Zbarkoi italiani në Durrës dhe pas pak mbërriti në Tiranë. Të parin që okupuan ishte Radio Tirana.
Si i pritët pushtuesit në atë institucion?
Ishte një moment shumë prekës. Në që ishim të rinj ishim mësuar që ta dashuronim atdheun. Këtë edukatë na e kishte dhënë shkolla, prindërit dhe gjithë ambienti që na rrethonte. Drejtori doli për të mbrojtur Radio Tiranën.
Ata erdhën ushtarakisht me gjeneralë. U mbush sheshi "Skëndërbej" me tanke, armatime të ndryshme. Ishte një pamje shumë e frikshme. Vetëm qanim. Më kujtohet që erdhi një oficer madhor dhe kërkoi drejtorin.
Doli ai dhe i tha: "Unë jam drejtori, Gjergj Bubani". "Dëgjo", - i thotë italiani, - kjo nuk është më Radio Tirana, por është Radio Italia". Bubani, aty, u nervozua dhe tha: "Unë jam drejtor dhe unë jap urdhër se çfarë do të bëhet me radion tonë"!
Megjithatë, ata hynë në ato tri dhomat që kishim ne. Ishte shumë interesante se, nga të parat më takoi mua.
"Lei signorina sai cantare in italiano" (dini të këndoni në italisht zonjushë). Jo i them unë, nuk di (po unë dija, gjithsesi). Në atë kohë na lindi një farë urrejtjeje për Italinë dhe pse pjesa intelektuale e donte dhe e dëgjonim atë, sepse ishte një komb i përparuar.
Ç'farë bënë ata me radion?
Më pas na vjen një major i lartë italian dhe na urdhëron të jepnim këngë italisht dhe vendosi një disk në italisht. Drejtori aty, shumë i guximshëm, e hoqi diskun dhe vendosi një këngë shqiptare patriotike.
"Dëgjo gjeneral, - i tha drejtori, - këtu nuk jemi në Radio Roma, jemi në Radio Tirana, Albania". Dhe transmetimi nuk u ndërpre, ai vazhdoi me programin që kishte. U shpërndanë altoparlantë dhe dëgjohej në gjithë Tiranën. Më kujtohet që tek xhamia mbushej plot me njerëz që dëgjonin radion.
Ju shkuat për të kënduar në radio apo për spikere?
Për të dyja, megjithëse vija nga një shkollë muzike. Kishte nevojë për spiker, dhe me propozon drejtori ta provoja, zërin e kisha mikrofonik, kështu që isha në rregull. Fillova të anonçoj programet muzikore, sociale edukative. Kjo vazhdoi për një vit, deri më 39, kur godina e Radio Tiranës u transferua tek "Rruga e Kavajës". Atje mori fizionominë e një institucioni serioz. Unë vazhdova të këndoja rregullisht deri në 40-tën, kur isha maturante.
Pasi mbaruat gjimnazin, çfarë ndodhi me ju, qëndruat përsëri në radio?
Jo. Duke qene një nxënëse me zë të bukur, zysha ime insistoi që unë të vazhdoja shkollën për kanto në Santa Çicilia në Itali, ku ajo vetë kishte mbaruar vite përpara. Ia tha babit tim këtë gjë dhe ai ishte i gatshëm, më mbështeti, edhe pse të afërmit, duke futur edhe mamanë, nuk donin që ta bënin vajzën artiste.
U përgatita këtu për konkursin që do të realizoja atje. Shkova në Itali, fitova dhe u regjistrova si studente e konservatorit. Ecja shumë mirë me mësime. Profesori ishte një bariton i dëgjuar me famë botërore. Më siguroi se unë do të bëhesha një këngëtare shumë e mirë dhe shumë e aftë, pasi i kishte të gjitha të dhënat.
Jeta juaj në atë periudhë ishte vetëm muzikë dhe radio apo...?
Jo, në fakt, aspekti im personal ka një histori tjetër, duke theksuar së në këto faqe nuk jam përkëdhelur shumë nga fati.
Gjatë shkollës së mesme, frekuentoja radion. Aty vjen një inxhinier shumë i zoti. Sa më pa mua, ra në dashuri dhe insistoi që unë të fejohesha me të. Por, plani im ishte që të bëhesha këngëtare dhe nuk e mendoja fejesën në atë kohë. Ishte koha që unë në shtator do ikja në Itali.
Pas shumë bisedimeve nuk pranova kërkesën e djalit dhe ika në Santa Çicilja. Por kur ika atje, edhe ai erdhi, se vazhdonte pasuniversitaren. Në këtë mënyrë u gjendem të dy bashkë në të njëjtin vend. Në një moment u ndjeva bosh dhe pranova fejesën. Ai shkollën e kishte në Bolonjë, erdhi në Romë, bëmë fejesën. Lajmërova familjen për këtë dhe që vitin e parë unë isha e fejuar. Kalova shumë mirë me të.
Fatkeqësisht, nuk më eci, se jeta nuk ka qenë shumë e bukur me mua. Ka filluar mirë dhe më ka mbaruar ashpër. Pas një viti ai vdes nga zemra në Bolonja. Isha e vetmja e afërme e tij, shkova atje, e varrosa. Ishte kohë lufte, nuk mund të transportohej trupi këtu.
Çfarë ndodhi më pas me ju, vazhduat studimet siç i kishit nisur?
Ishte një nga periudhat me të këqija të jetës sime, megjithëse do të vijojnë edhe të tjera.
Në këtë situatë, kur unë isha shumë e dëshpëruar, hyn një person tjetër në jetën time. Kishim dy vjet diferencë.
Më kishte dëgjuar mua nëpërmjet mikrofonit kur këndoja. Ishte shok me një kushëririn tim dhe i kërkon atij të më njohë. U prezantuam dhe insiston të fejohej. Erdhi në shtëpi, kërkoi dorën time dhe unë i kërkova ta mbanim të fshehtë, se po bënte pak kohë që më kishte vdekur i fejuari i parë.
Ai studionte farmaci, unë në konservator. Ishte amator i muzikës, por nuk i pëlqente shumë që unë, kur të mbaroja konservatorin, të frekuentoja skenën. Ishte nga një familje e njohur tiranase, babanë e kishte mjek dhe në një gjendje shumë të mirë ekonomike.
Ai më thoshte se "në Shqipëri nuk ka opera, nuk ke ku këndon, unë nuk të lë të këndosh kudo". U hasa me disa pengesa të tilla, të cilat mua nuk më trembën fare. Vazhdova punën time. Mbas 3 vjetësh, në gusht të 1943-shit, unë kthehem në Shqipëri, bashkë më të fejuarin. U ktheva dy javë para se të kapitullonte Italia.
U kthyet në Shqipëri, po pasioni juaj për radion ku shkoi?
Kur u ktheva në vitin 1943 në Shqipëri, nuk pata mundësi të shkoja në radio, për arsye se mamanë e kisha shumë të sëmurë me astmë. Pasi kapitulloi Italia, pas dy muajsh erdhi Gjermani në radio dhe e bllokoi atë. Kështu që unë u mbylla në shtëpi, babai nuk më la më në kohën e gjermanëve dhe u shkëputa fare.
Gjatë luftës, babai u organizua në luftë si atdhetar dhe gazetar dhe mori pjesë në mbledhje të ndryshme, si ajo e Beratit. Ne mbetëm vetëm në shtëpi, me mamanë të sëmurë rëndë. Në atë kohë, para se të vdiste, mamanë e çuam në vendin e saj të lindjes, në Devoll.
Atje vdiq vetëm me vjehrrën e saj, pa fëmijët dhe burrin pranë. Kur u çlirua Tirana, atëherë e morëm vesh që mamaja kishte vdekur. Pas çlirimit ishim në një gjendje shumë të vështirë, të lodhshme fizikisht. Kur e kujtoj tani, them si ia kam dalë.
Në vitin 1945 isha përsëri e vetme në shtëpi. Në fund të këtij viti më vjen një shoqja ime dhe më thotë: "Vitori, ti ke punuar në radio, Radio Tirana po shpall një konkurs për spikere". Mua m'u bë shumë qejfi dhe u paraqita menjëherë. Në këtë konkurs, mes 80 vajzave dhe djemve, fitova.
Aty bënte pjesë dhe një inxhinier italian, i cili kishte mbetur që në kohën e luftës. Kur u shpallën emrat e fitueseve, ai thirri numrin tim, e mbaj mend si tani, kur më pa italiani, më mbante mend dhe më thotë: "Ma e lei signorina"! Kështu që unë, historikisht, mbeta spikere dhe këngëtare e parë e Radio Tiranës.
Ju u rikthyet në "shtëpinë" tuaj, radion, po i fejuari juaj?
Aaaaa, kjo është histori më vete. Pikërisht në atë vit, në 45-ën, i fejuari im i dytë arrestohet së bashku me Osman Kazazin, të cilin ky e kishte shok, pasi ky i fundit ishte aderuar në Ballin Kombëtar. Edhe kjo ëndërr për mua dukej se po mbaronte.
Si ka mundësi që në vitin 1945 ju punonit në radio me një të fejuar në burg?
Po, është e vërtetë, po gjithçka ka kaluar pa u ndjerë. Unë në këtë kohë isha në radio me të fejuarin në burg, ishte një situatë e vështirë, drejtori e kishte marrë vesh dhe me thërret e më thotë: "Vitori, ti ke një të fejuar, e ke në burg". "Po, - i thashë unë, - nuk e fsheh". "Unë jam në një pozitë të vështirë për juve, - tha, - pasi sigurimi më lajmëroi që filania është e fejuar.
Tani zgjidh, o Radion o atë". Unë, meqenëse e dashuroja, i thash: "Unë nga radioja largohem dhe nga ai nuk ndahem". Këto ishin disa goditje për mua që më dëshpëruan shumë. Megjithatë, më mbajti, pasi kishin nevojën time, ashtu si kisha unë nevojën e radios.
Domethënë nuk u larguat?
Jo. Unë vazhdova t'i bëj ta dyja, pasi drejtori nuk e bëri më problem. E takoja fshehurazi të fejuarin në burg, por edhe punoja në radio. Të gjithë më admironin që unë bëja kaq shumë për të. Vija e shikoja fshehurazi, e mbaja me ushqime, bëja shërbim në shtëpinë e tij, punoja në radio gjithë ditën, por dhe këndoja.
Ju pohuat që ai nuk donte që ju të këndonit, si e pranoi më vonë këtë fakt?
Ka qenë shumë e vështirë për ta pranuar. Në '46-ën më thotë drejtori: "Ti ke studimet përkatëse për kanto, duhet të këndosh".
Desha s'desha, rifillova të këndoja. Më dëgjoi në burg dhe ishte alarmuar, e kishte bërë problem. Shkova për takim në burg dhe më tha mos hajde më. "Pse mos të vij, - i thashë unë, - Radio Tirana nuk është kabare.
Ajo është një institucion politik, serioz dhe ti duhet ta kesh për nder që unë këndoj në të".
Për dy muaj nuk shkova më në burg. Kur tentova të shkoj pas dy muajsh, me del shoku i tij, Osman Kazazi, më thotë: "Hajde se do ta sjell unë filanin, se kur të tha ato gjëra ty, e kapëm prej fyti e i thamë se duhet ta ketë për krenari që ajo këndon në Radio Tirana, ke një të fejuar këngëtare dhe spikere". E më pas më takoi, gjithmonë i penduar që unë të këndoja. Deri në '59-ën vazhdova këngën.
Sa paguhej një spikere radioje në atë kohë, si ishte pagesa?
Paguheshim shumë mirë. Të merrje 20 mijë lekë të vjetra në atë kohë ishe gjë e madhe, por ne i merrnim. Kur isha spikere dhe këngëtare, paguhesha akoma më mirë. Në kohën e diktaturës shumë gjëra nuk shkonin mirë, por honorarët paguheshin, qoftë edhe një fjalë të thoshe në mikrofon, do paguheshe.
Kur doli i fejuari juaj nga burgu?
Pas pesë vjetësh brenda në burg, në vitin 1950 ai lirua. Isha unë e vetmja që e prita përpara burgut. Por nuk zgjati shumë dhe për një xhelozi që as unë nuk e kuptova, ne patëm një debat dhe aty u ndamë. Ëndrrat e mia morën fund. E përjetova shumë keq këtë ndarje. Vendosa t'i përkushtohesha radios, u dashurova me të.
Lidhja që u kurorëzua me martesë
Sa kohë qëndruat vetëm më radion?
Shumë pak. Në këtë kohë që unë isha në këtë gjendje jo të mirë shpirtërore, vjen në radio një Abaz Çomo. Ai jepte lajmet në frëngjisht. Por kishte lindur me frëngjishten, ishte rritur me të, pasi kishte mbaruar studimet në Francë. Ishte një djalë shumë simpatik, i gjatë... Ne spikerët rrinim në një dhomë të veçantë.
Ai më shihte mua të mërzitur, më jepte ndonjë cigare, më mbështeste, më thoshte: "Mos u dëshpëro, i ka jeta këto". Unë pa e kuptuar në atë qenien time të rënë fizikisht e moralisht, isha dashuruar. Abazi, akoma më shumë pas meje. Këtë e kuptova natën e ndërrimit të viteve, në 1952-shin. Atë natë më duhet të vija në mikrofon në orën 24:00, të jepja urimin për shqiptarët jashtë atdheut në gjuhën shqipe, po atë natë ishte edhe Abazi, i cili jepte urimin në gjuhën frënge.
Më bëri shumë përshtypje se më tha: "Do të shoqëroj në shtëpi"? Unë i thashë që nuk dua të shoqërohem më asnjë mashkull, por më shoqëroi dhe prej asaj kohe ne ishim me njëri-tjetrin. Më pas dilnim bashkë dhe të gjithë e morën vesh për lidhjen tonë.
Po më pas çfarë ndodhi?
Më pas ndodhi që u dashuruam për nëntë vjet rresht. Për një problem të tijin familjar ne nuk mund të martoheshim, sepse ai kishte një motër më të madhe pa martuar dhe vetëm pas 9 vjetësh ne u kurorëzuam me martesë. Radio Tirana ishte shtëpia ime e dytë, edhe kur isha vajzë, edhe kur u martova.
Ai ishte një njeri i mrekullueshëm. Ishte shok shumë i mirë, me një kulturë të jashtëzakonshme. Gjeta një mbështetje morale, shpirtërore tek ai. Por fati nuk u tregua bujar me mua. Mbeta shtatzënë, por në muajin e katërt e dështova fëmijën. Pas pak muajsh isha përsëri dhe atë nuk munda ta mbaj. Isha 39 vjeç kur u martova dhe ishte tepër vonë për të lindur një fëmijë. Kështu që unë nuk pata kurrë një fëmijë. Për një gjë më ngeli peng, që nuk i dhashë bashkëshortit tim një trashëgimtar.
Sa kohë jetuat më të?
Bashkëshorti më vdiq në '88-ën. Ishte një humbje tjetër e parakohshme për mua. Ngela vetëm. Fillova të jepja mësim për gjuhën italiane me vajza gjimnaziste dhe studente, më pas e lashë italishten dhe e lashë edhe biçikletën. Se unë njihesha si vajza me biçikletë, isha natyrë sportive. Në '76-ën dola në pension dhe nga radioja kalova më pas në redaksinë e muzikës si redaktore. Tani jetoj vetëm, megjithëse e nderuar dhe e respektuar nga të gjithë.
Gjatë këtyre viteve keni shkuar ndonjëherë në Itali, atje ku jetuat në vitet '40-të?
Po. kam qenë në vitin 1993, me ftesën e motrave të asaj shkolle. Ia kam kaluar shumë mirë. Më kërkuan të qëndroja atje dhe të jepja mësim, po nuk pranova. Italia nuk kishte ndryshuar fare. E mbaja mend si në pëllëmbë të dorës.
Qëndron i maskuar, poshtë flokëve ose në mëngët e gjata. Është sa një çamçakëz petë dhe nuk dallohet nga pedagogët....
Të huajt që hyjnë për një periudhë të shkurtër, si për vizita, biznes, turizëm, studim, duhet të provojnë se zotërojnë...
Lajmet 10 korrik - Ora 16 -
data/10-07-2009
Lajmet 10 korrik - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 10 korrik - Ora 13 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Jete shume interesante.Pak e trishtuar
por shume e respektuar.Nje Zonje e kulturuar,modeste,patriote dhe shume e pergjegjeshme per ata qe e rrethonin.Nje
kualitet per shoqerine Shqipetare te asaj kohe.Te Uroj jete te gjate e me shendet zonje e nderuar.
Nji zonje e vertete . Me beri shume pershtypje deshira e madhe per te studjuar ,per te qene dikushi. Tek ju pashe nji zonje me zemer te madhe dhe te emancipuar . Dikush thote qe ENVERI te vriste . Ja qe zerat qarkullojne kot nga disa dashakeqes . Ju keni pesuar dhe zhgenjime po nuk e kini humbur shpresen per te nesermen . Keto probleme ndodhin me te gjithe . Per asnji moment skini patur faj ; Zemra juaj e re ka rrahur per dike . Po ja qe jeta e tille eshte . Te uroj shendet o zeri i shqiperise ne radio. Je me e mira ; pac jete te gjate dhe te lumtur . Te puth doren me respekt BESA_FRANCE