Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Kurs special gjuhe për studentët fillestarë

Dritan Laci | 09/06/2009 | Edukimi | komentet 3 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja do të hapë kurs 1-vjeçar parapërgatitor, për studentët që nuk njohin gjuhën


Avantazhi, gjatë kursit, studentët do të shlyejnë disa lëndë që do të kenë në programin studimor 3-vjeçar


Një shans e meriton gjithsecili. Këtë po mendon edhe dekanati i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, i cili pritet të parashtrojë në këshillin e fakultetit një ide, e cila do të synojë përmirësimin e nivelit të njohjes së gjuhës së huaj, nga studentët që pranohen në vitin e parë akademik.


Ideja është që çdo student, i cili do të kërkojë të vazhdojë studimet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, por që nuk ka bazat më elementare të njohurisë mbi gjuhën ku kërkon të vazhdojë studimet, të ndjekë fillimisht një kurs 1-vjeçar përgatitor mbi gjuhën, dhe më pas të pranohet të ndjekë ciklin e parë 3-vjeçar të studimeve. Ideja hidhet nga vetë dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra, e cila e shikon këtë ide si më të mundshmen për t'u realizuar, në kushtet kur niveli i pranimeve të studentëve në këtë fakultet lë shumë për të dëshiruar.


Në një studim të kryer nga dekanati i Gjuhëve të Huaja në departamentin e gjuhës italiane është konstatuar se, nga 110 studentë që filluan studimet në vitin akademik 2005-2006, vetëm 20 prej tyre arritën të mbyllin studimet 3-vjeçare, ndërkohë që pjesa tjetër e studentëve edhe sot janë larg ditës së diplomimit, për shkak të lëndëve të shumta të mbartura.


"Gjithmonë e më tepër po pjekim një mendim që studentëve, të cilët nuk njohin gjuhën, por që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, t'u bëjmë një vit parapërgatitor gjuhe. Kjo është një nevojë e ngutshme, po të kemi parasysh nivelin e ulët të njohjes së gjuhës që kanë paraqitur studentët e pranuar në vitet e fundit, që nga koha kur është futur si kriter Matura Shtetërore", - tha dekania Dibra.


Metoda që kërkon të ndjekë Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, nuk është një eksperiencë e re, madje vlen të thuhet se ajo po rikthehet në modë pas shumë vitesh lënie në heshtje.


Për herë të parë, kjo eksperiencë është përdorur në fund të viteve '70-të të shekullit të kaluar, kohë kur u vendos që në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, të mos pranoheshin studentë vetëm nga shkollat e mesme të gjuhëve të huaja, por edhe nga gjimnazet.


Hera e dytë dhe e fundit ka qenë në fillim të viteve '90-të, kur studentë që vinin nga shtresat e të përndjekurve politikë, u ftuan të kryenin një vit parapërgatitor gjuhe, përpara se të pranoheshin në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. "Kjo është një eksperiencë që ndiqet edhe në universitetet perëndimore. Gjithçka mbetet në dëshirën e studentëve.


Nëse ata do të preferojnë të ndjekin kursin 1-vjeçar të gjuhës, do ta kishin sigurisht më të lehtë për të përfunduar studimet, nëse jo, atëherë, askush prej tyre nuk do të ketë të drejtë të ankohet për faktin që nuk do të marrë provimet", - u shpreh më tej dekania. Një student që do të ndjekë kursin parapërgatitor të gjuhës do të ketë edhe privilegje.


Dekania Dibra nuk e shikon si zgjidhje të përshtatshme vazhdimin njëkohësisht si të kursit parapërgatitor ashtu edhe të ciklit të plotë të studimeve. "Vetë kalimi në sistemin 3-vjeçar, e bën më të vështirë rikuperimin e gjuhës, për studentët të cilët nuk kanë njohuri. Por, studentët, të cilët do të pranojnë të jenë pjesë e këtyre kurseve, do të kenë avantazhe.


Atyre mund t'u ofrohen, gjatë zhvillimit të kursit, të shlyejnë disa nga lëndët e vitit të parë, sikurse mund të jenë ato të gjuhës shqipe,"- pohoi drejtuesja e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.

---------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja është pro konkursit, vetëm nëse atë e zhvillon Ministria e Arsimit


Konkursi, vetëm nëse e bën Ministria e Arsimit


Një nga kriteret e mundshme për të kryer pranimin e studentëve të rinj në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, mund të ishte edhe konkursi, por një gjë e tillë nuk mund të realizohet, pasi duhet të zhvillohet fill pas dhënies së Maturës Shtetërore. Por, edhe nëse do të futej në lojë konkursi, drejtuesit e Gjuhëve të Huaja bien dakord vetëm nëse testimi kryhet nga Ministria e Arsimit dhe jo nga ata vetë si institucion.


Ajo që po studiohet momentalisht është ideja e hapjes së kurseve 1-vjeçare përgatitore të gjuhës, që pritet të diskutohet fillimisht në këshillin e fakultetit dhe më pas në senatin e universitetit të Tiranës dhe në Ministrinë e Arsimit.


Ajo që bëhet e ditur është se këtë vit është e pamundur të hapen kurse të tilla, pasi nuk është bërë njoftimi paraprak i maturantëve. "Hapësira është dhe unë nuk e di nëse ideja e ngritjes së kurseve parapërgatitore do të quhet një kriter i veçantë. Kjo mbetet për t'u diskutuar në pikëpamjen juridike.


Aktualisht ne jemi duke bërë një studim me gjimnazistët e viteve '70-të, ku për herë të parë, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja u pranuan studentë jo vetëm nga shkolla e mesme e gjuhëve të huaja, por edhe nga gjimnazet, si edhe me grupin e të persekutuarve në vitet '90-të.


Po shikojmë cilat ishin rezultatet që ata dhanë në studime. Nëse rezultatet shikohen se kanë qenë pozitive, atëherë mund të themi se kjo ide ia vlen të zbatohet", - tha drejtuesja e Gjuhëve të Huaja.


Kursi fillestar, rregulla njësoj si cikli i parë i studimeve


Studentët, të cilët do të ndjekin kurset 1-vjeçare parapërgatitore, do t'u nënshtrohen rregullave të shkollës njësoj si kolegët e tyre, të cilët vazhdojnë studimet në ciklin e parë të studimeve. Ata do t'i nënshtrohen një tarife shkollore, e cila pritet të vendoset dhe do të mund të strehohen në ambientet e Qytetit Studenti.


Për të qenë pjesë e kurseve parapërgatitore, ata duhet të plotësojnë detyrimisht Formularin A2, ku të shënojnë degën e gjuhës së huaj ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta.


"Ne kemi akoma 300 studentë, të cilët megjithëse janë në vit të tretë, kanë lëndë të mbartura nga viti i parë dhe me shumë gjasa, me këtë nivel që paraqesin, do të vazhdojnë të mos marrin provimet. Gjithmonë është handikapi, që nuk mund të bësh fonetikën, letërsinë italiane, që janë leksione në gjuhë të huaj, kur nuk di gjuhën.


Këtu flasim për italishten, që është një gjuhë e rrahur për veshin e shqiptarëve, po kur kemi të bëjmë me turqisht, greqisht, rusisht, gjërat fillojnë e vështirësohen edhe më shumë. Për këtë arsye nevojitet një farë përgatitje për studentët, që ata të mos ulen në auditorë në nivelin zero", - tha dekania Dibra

Vendimi
Gjuhët e Huaja, nuk ndryshon taksa shkollore


Taksa shkollore në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, do të mbetet e njëjtë edhe për vitin akademik 2009-2010. Dekania e fakultetit, Klodeta Dibra, ka mohuar zërat që flasin për një rritje të mundshme të taksës shkollore në vitin e ri akademik. "Nuk kemi propozuar absolutisht rritje të taksës shkollore.


Tarifa e regjistrimit do të mbetet 1500 lekë, ndërsa tarifa e shkollimit do të jetë 15 mijë lekë", - pohoi dekania Dibra. Ajo tha më tej se Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka tarifën më të ulët në të gjitha fakultetet e universiteteve shqiptare. "Shifra e publikuar më parë është kostoja e shkollimit.


Ne na kërkohet të nxjerrim një kosto shkollimi, pasi shteti përgatitet të formulojë buxhetin. Në këtë kosto përfshihet amortizimi i ndërtesës, pagat e administratës, të pedagogëve.


Rreth 90 për qind e kostos së universiteteve publike mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërsa tarifat e shkollimit të studentëve shërbejnë për të blerë mjete didaktike, përmirësimin e mjediseve etj.", - sqaroi dekania Dibra



 

3 KOMENTE

PARA edukimit te femijeve shqiptare,
qe ne cerdhet o kopshet,pra para se femija te behet 6 vjec,asnje Kryeminister i Tiranes,nuk duhet te pakesoje fondet e kesaj pune,por ti shtoje ato vecan,fondet qe do specializojne EDUKATORET
E KESAJ MOSHE VENDIMTARE PER GJITHE JETEN e femijeve shqiptare.Me tej fondet per kushtet ku ky femije jeton
o edukohet.Mekatet e kesaj pune,do ti paguajne qeverite qe vijne me von.Ligor Luarasi,SHBA.

Po ata qe kan mbaruar nje universitet munden ta vazhdojn kete kurs.1 vjecar


Ky vendim per te bere nje vit pergatitor qendron ne fuqi edhe per universitetet e tjera pervec Tiranes
Thanks

Komenti juaj

 
 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj