Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Fond i veçantë për kompensimin e ish-pronarëve

Emirjon Senja | 12/06/2009 | Biznes | komentet 0 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Në llogari do të derdhen fondet e përcaktuara nga buxheti, tarifat e legalizimeve dhe të ardhurat e privatizimeve


Në degën e thesarit do të jetë një llogari e veçantë për kompensimin financiar të ish-pronarëve


TIRANË- Kompensimi financiar i ish-pronarëve pritet të kalojë në një procedurë më të thjeshtë nëpërmjet krijimit të një fondi të veçantë në emër të tyre në të cilin do të mblidhen të gjitha paratë që janë të parashikuara për këtë proces, duke synuar administrimin në mënyrë sa më efektive të tyre.


Në një nga mbledhjet e fundit për këtë legjislature dhe në mes të fushatës elektorale, Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin, mbi bazën e të cilit bëhet i mundur krijimi i një fondi special, në thesarin e Bankës së Shqipërisë, nën administrimin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Krahas, fondit të përvitshëm që parashikohet në buxhetin e shtetit për kompensimin financiar të ish-pronarëve, në këtë llogari do të kalojnë edhe të ardhura të realizuara nga shitja me ankand i pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka një vendim nga AKKP-ja për kthimin tek pronari, të ardhurat e arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore të personave që legalizohen dhe paguajnë tarifat e caktuara, si dhe ato nga donatorë të ndryshëm.


Sipas vendimit, ky fond do të përdoret për kompensimin në vlerë monetare të ish-pronarëve, që kanë fituar të drejtën e dëmshpërblimit financiar, në kushtet kur kthimi fizik i pronës së tyre ka qenë i pamundur.


Pas krijimit të kësaj llogarie, të gjitha burimet financiare që përbëjnë fondin e kompensimit të pronave, do të arkëtohen dhe administrohen, në varësi të prejardhjes së tyre, nëpërmjet sistemit të thesarit, në përputhje me një udhëzim që pritet të lëshohet nga ministria e Financave.


Ndërsa, për pronarët, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet informale, tashmë në proces legalizimi, shuma e pagesës për secilin përfitues do të përcaktohet me vendim të veçantë të qeverisë.


Në vendimin e Këshillit të Ministrave parashikohet që dhënia e pagesës për pronarët në fjalë të bëhet me këste të barabarta dhe të shtrira në kohë, në varësi të të ardhurave që do të arkëtohen nga pronat e legalizuara.


Ndryshe nga kategoritë e mësipërme për pronarët e tjerë, të cilët kanë fituar të drejtën e kompensimit monetar nga komisioni i kthimit të pronave, shuma e pagesës dhe mënyra e dhënies së saj do të bëhet në përputhje me kriteret e përcaktuara me vendime të veçanta të qeverisë.


"Nëse në fund të vitit, vërehet se në llogarinë e veçantë në thesarin e Bankës së Shqipërisë kanë mbetur ende fonde të papërdorura nga kompensimi i ish-pronarëve, ato do të mbarten për t'u shfrytëzuar gjatë vitit pasardhës",- citohet në vendimin e Këshillit të Ministrave.


Procedura e kompensimit financiar të ish-pronarëve është kundërshtuar vazhdimisht nga këta të fundit, pasi sipas tyre, vlera e pronave të sekuestruara nga pushteti gjatë regjimit të diktaturës është shumë e madhe dhe se duke ndjekur këtë rrugë, do të duhen me dhjetëra vite për të bërë të mundur dëmshpërblimin e plotë të saj.


Për këtë vit janë parashikuar për kompensim në buxhetin e shtetit 600 milionë lekë. Ndërsa është deklaruar se 10% e të ardhurave nga privatizimet e ARMO-s, INSIG-ut etj do të shkojnë për kompensimin financar të tyre dhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve.



 

Komenti juaj

 

Vendimi, si do paguhet shtëpia e legalizuar

Qeveria miraton pagesën e shtëpive të palegalizuara, në vlerën 80%, me letra me vlerë. Pjesa tjetër paguhet me para TIRANË-...

Ulet mosha e pensionit për minatorët

Qeveria miraton vendimin që i lejon punonjësit e nëntokës që të dalin në pension në moshën 60- vjeç TIRANË- Mosha...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj