Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Kopshti Botanik. Nga shqetësimet e nënave, te meraku për lulet dhe Unazën

Entela Resuli | 16/06/2009 | Arti i te jetuarit | komentet 2 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Vëzhgim në Kopshtin Botanik në kryeqytet. Problemet me biletat, mungesa e ujit e deri tek kalimi i Unazës së Re. Si është gjendja e pjesës më të gjelbër të Shqipërisë.


E nderuar redaksi! Jemi një grup nënash, banore të zonës së pallateve të reja pranë Kopshtit Botanik. Shpesh shkojmë në këtë kopsht për të kaluar pak minuta larg zhurmës dhe smogut të rënduar të rrugës "Komuna e Parisit". Por na ka ndodhur shpesh një fenomen disi i habitshëm: Bileta për hyrje kushton 50 lekë dhe ne e paguajmë pa problem.
Por ndodh që punonjësi me uniformë i biletave, ndonjëherë "zhduket" dhe "kompetencat" i marrin persona pa uniformë e pa logo, që dalin nga një bar-kafe aty pranë, dhe prej tyre dëgjon shprehjen nderbërëse: "Po jua hap unë me çelësin tim privat" (!).
Nga mënyra e të sjellit, është e qartë që pretendojnë ndonjë pagesë (pa biletë), e nëse nuk ia jep, problemet i ke pak më vonë. Kur ke mbaruar shëtitjen dhe do të dalësh jashtë kopshtit, papritur derën e gjen mbyllur dhe të afrohet roja me uniforma (që ishte "zhdukur" kur u futëm) dhe të thotë: "Keni hyrë pa leje, nuk keni për të dalë"(!)
Kjo është qesharake, por edhe shqetësuese, sepse nuk mund të rrimë peng me gjithë karrocat e fëmijëve për dy-tre persona aty, që duan të fitojnë në mënyrë parazitare. Ju lutem ndërhyni, se nga hajnat e mëdhenj të politikës nuk po shpëtojmë dot, së paku të shpëtojmë nga këta të vegjlit. Kopshti nuk është privat dhe ne jemi gati të respektojmë rregullat dhe pagesat e vendosura nga shteti. E duam këtë kopsht dhe jemi të interesuar të jetë gjithmonë i bukur dhe funksional. Aty ka vend për buzëqeshje, jo për ligësi të tilla meskine që na shqetësojnë ne dhe familjet tona.

Grup nënash,
Banore pranë Kopshtit Botanik, Tiranë


Sa drejtohesh në rrugicën e hollë që të çon në Kopshtin Botanik në kryeqytet, pranë zonës së quajtur "Komuna e Parisit" të del përballë një portë hekuri dhe po ta hedhësh vështrimin më tej, disa pemë të larta. Kapërcen shinën e portës dhe roja të afrohet me një tufë miniletrash në dorë: biletën! Kushton vetëm 50 lekë të rinj dhe ti mund të vizitosh ambientet me gjelbërim.
Në fakt, ai nuk ishte vetëm... dy persona të tjerë pranë duket se i bëjnë shoqëri dhe kur ai mungon marrin të gjitha kompetencat për të lejuar qytetarët të futen brenda asaj porte, sigurisht në këmbim të ca të hollave (pasi u interesuam mësuam se zotërinjtë nuk ishin punonjës të kopshtit, po "dashamirës" të tij).
Ngjyra jeshile e zbehtë e barit të ngop shikimin. Çdokush në momentin që do të hynte në atë kopsht do të priste të gjente "parajsën". Shumë lule, ngjyra, gjelbërim.... ndërsa ne shohim bar të sapo kositur, lule që sapo janë mbjellë dhe dy-tre shatërvanë që qëndrojnë si "objekte muzeale" në atë hapësirë pa elementin jetësor, që është uji.
Diku më tej dëgjohet kërcitja e shkrepjes së aparatit. Nuset e reja zgjedhin shpesh këtë kopsht për të bërë një set fotosh më rastin e martesës. Është i vetmi vend në Tiranë që ka gjelbërim dhe hapësirë. Për të na shpjeguar diçka më shumë rreth kopshtit dhe problemeve që ai ka, ne folëm me drejtorin e Kopshtit Botanik, Petrit Hodon. Hodo është njëherësh edhe pedagog pranë Fakulteti të Shkencave të Natyrës.
I prezantum shqetësimet e lexueseve tanë dhe e pyesim për të ardhurat që vijnë nga biletat.
Shqetësimin tonë për abuzim me biletat, drejtori e pranoi. Ai premtoi se do të bëjë diçka në këtë drejtim. Se sa do të mund ta mbajë fjalën, këtë do ta shohin vetë nënat kur të rishkojnë për të pushuar në këtë kopsht. I lusim të na rishkruajnë.
Z. Hodo shprehu edhe shqetësimin e tij maksimal për mungesën e ujit. "Aktualisht kemi vetëm gjysmë ore ujë në ditë", - shprehet drejtori. "Kjo situatë është shumë alarmuese, për momentin po furnizohem me cisterna, të paktën të shpëtojmë bimët nga tharja". Kopshtit do t'i kanoset edhe një telash tjetër. Gëzimi për ndërtimin e Unazës së Re, që kalon pikërisht gati rrëzë i bashkëngjitet trishtimi për prishjen e pjesës më jetësore, atë të serës dhe zonën ku mbillen bimët e marra nga zona të ndryshme.


Z. Petrit, ju jeni drejtor i Kopshtit Botanik. Nga cili institucion ka varësi ky Kopsht?
Kopshti Botanik varet nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Është krijuar në vitin 1971 dhe është një nga më të rinjtë e Evropës, po të kemi parasysh fqinjët tanë dhe jo vetëm.


Cilët janë funksionet e këtij kopshti?
Ka tre funksione kryesore. Funksioni i parë është ai shkencor, që do të thotë, ne kemi si detyrë që të fusim në Kopshtin Botanik florën spontane. Funksioni i dytë është edukues-mësimor. Kopshti Botanik shërben si një laborator në natyrë, për studentët e biologjisë, të pyjeve, të nxënësve të shkollave tetëvjeçare nga Tirana e nga rrethet. Ky është një ambient i mirë nga ana estetike. Kopshti nuk është ai që duam ne.


Çfarë i mungon kësaj hapësire, momentalisht?
Kopshtit i mungojnë shumë gjera. Po marr atë më absurden, i mungon uji. E dini çdo të thotë një vend, i cili ka detyrë kryesore, funksionale, rritjen e bimëve, dhe të mos ketë ujë! Sistemi i mëparshëm ujitës është prishur dhe ne, sidomos gjatë muajve të verës, nuk kemi ujë. Këto ditët e fundit kemi filluar të marrim ujë me cisterna e autobote. Deri disa kohë më parë ne kishim dy puse, të cilët rezultuan që kishte prurje shumë të vogël dhe u bllokuan. Në rrugë institucionale, nëpërmjet ndihmës që na jep, po përpiqemi që ta furnizojmë kopshtin nëpërmjet cisternave të ndryshme.


Vizitohet kopshti?
Po, vizitohet nga qytetarë të ndryshëm, nxënës shkollash, fëmijë, pensionistë.


Sa kushton bileta?
Bileta është vetëm 50 lekë të rinj, një çmim modest, kurse për fëmijë është vetëm 30 lekë. Por kemi pasur edhe probleme në këtë pikë. Na kanë sharruar dhe murin prej shufrash hekuri. Njerëzit kapërcejnë gardhin dhe futen në kopsht. Kjo është e padrejtë.


Ku shkojnë lekët e biletave që "vilen" nga hyrja e qytetarëve në kopsht?
Të gjithë lekët që mblidhen shkojnë në dekanat, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Dhe dekanati ne na i rikthen në një formë tjetër: me bimë, fara, makineri për mirëmbajtjen e barit. Por ato janë e vetmja e ardhur për kopshtin. Në mbahemi vetëm me lekët e biletave.


Në redaksinë e gazetës "Shekulli" kanë ardhur disa ankesa për mënyrën se si procedohet për të hyrë në kopsht. Në disa letra të përsëritura dhe e-mail-e që kemi marrë, qytetarët, sidomos nëna me fëmijë, ankohen përveç rojës, veprojnë persona të pa autorizuar, madje të pajisur me çelës të derës së madhe. A jeni në dijeni të këtij fakti?
Jo, me thënë të drejtën këtë punën e çelësit "kopil" nuk e di. Qarkullojnë thashetheme që ka probleme dhe këtë ia kemi bërë të ditur edhe dekanatit, por ajo që është e qartë, është se nuk kemi mundësi të marrim staf tjetër.


Pra, ka parregullsi?
Po, di që ka parregullsi në këtë pikë dhe do mundohemi t'i përmirësojmë. Madje, për shkak se nuk kontrollojmë dot punonjësit, e kemi bërë orarin e vizitave në kopsht 8 me 14:00, pasi pasditja kishte fluks dhe rojet që mbanin biletat ishin të pakontrollueshëm nga ana jonë.


A do e prekë ndërtimi i unazës që do të kalojë në këtë zonë Kopshtin Botanik?
Fatkeqësisht, po. Prek një pjesë të mirë të bimëve dhe për këtë na vjen shumë keq. Kemi bërë përpjekje që diçka të ndryshohet, por është pamundur. Kemi kërkuar që, para se të fillojnë punimet, kopshtit t'i bëhet një mur nga ana ku do shtrihet autostrada, që të eliminojë shkatërrimin e pjesës tjetër të kopshtit. Një element tjetër nga ku është i kërcënuar kopshti, janë ndërtimet. Rreth e qark janë ndërtuar pallate dhjetërakatëshe, të cilët çdo ditë e më shumë "kafshojnë" sipërfaqen e kopshtit.

 

2 KOMENTE

Ca behet keshtu mu vella, si e lene kopeshtin ne kete gjendje!!!!!!!!!!!

Të nderuar qytetarë, vizitorë të Kopshtit Botanik, të nderuara nëna te shqetesuara.

Së pari ju falënderoj që vlerësoni dhe vizitoni institucionin tonë, të cilin ne përpiqemi ta bëjmë njëkohësisht edhe TUAJIN. Siç nënkuptohet dhe nga shkrimi i Gazetës, ne kërkojmë që vlerat shkencore dhe edukuese ti vemë në shërbim edhe të një publiku të gjerë, pra jo thjesht shkencor. Nuk pretendojmë ta kemi bërë këtë në mënyrë të përkryer, por sidoqoftë diçka të mirë besoj që kemi bërë në vite e po bëjmë dhe aktualisht, pavarësisht nga pengesat e vështirësitë e shumta që hasim, një pjesë e të cilave janë shprehur edhe në shkrimin në fjalë.

Sipas këtij shkrimi, Ju jeni të shqetësuara për moskorrektësinë e ndonjë personi që, gjatë pasditeve, abuzon me biletat. Keni shumë të drejtë të shqetësoheni, ky është një qëndrim e reagim qytetar, i cili natyrisht ndihmon në përmirësimin e punës sonë, por edhe në krijimin e një fryme transparente e korrekte, për të cilën shoqëria jonë ka shumë nevojë. Natyrisht, juve nuk ju interesojnë "hallet" tona, aq më tepër që shumica juaj është korrekte dhe paguan biletën. Bëtë shumë mirë që shprehet shqetësimin tuaj në media, por ndoshta do të bënit po kaq mirë nëse do të trokisnit direkt edhe në zyrat tona; të jeni të bindur që dera jonë është gjithnjë e hapur për vizitorët; në fund të fundit pa praninë dhe ndihmesën tuaj puna jonë nuk do të kishte vlerë.

Padyshim ne do marrim masat tona për eliminimin e këtij problemi, por ju duhet të na kuptoni që ne përpiqemi të ruajmë një farë ekuilibri në funksionin tonë shkencë-mësim-çlodhje. Ne jemi të prirur të mbështesim dhe vlerësojmë vizitat që kanë një objekt shkencor apo mësimor (psh. njohja me bimët mjeksore, endemike, të kërcënuara apo të rralla, apo specie të veçanta të florës së Shqipërisë), të cilat mund të kryhen si në mënyrë të organizuar (shkolla etj.) ashtu edhe individuale. Pra, ne kemi dëshirë që ti shërbejmë edhe një pensionisti apo nëne të vetme, e cila duke vizituar Kopshtin me nipçen apo mbesën e saj, i mëson, në mënyrë shumë të thjeshtë se “lulja është e bukur”, se “lulja nuk duhet këputur”, se “bima të çlodh”, se “kjo bimë rritet vetëm në Shqipëri e në as një vend tjetër të botës, etj.”. Këtë përpiqemi ta bëjmë si me detyrën, përkushtimin e pasionin tonë, ashtu dhe me të qenit racional, pra duke mos lejuar që Kopshti të kthehet vetëm në vend çlodhjeje, në arenë piknikësh, dasmash, vrapimi etj. Nëse do të ishte kështu, atëherë Kopshti do të kthehej nga “Institucion Shkencor-Mësimor”, në “Park çlodhës”, emërtim i cili, pa të drejtë, përdoret jo rrallë. Jo, një gjë të tillë as e do e na e lejon njeri. Për këtë arsye, ne e kemi kufizuar hyrjen e publikut pasditeve (të paktën deri tani,), kohë gjatë së cilës punonjësit shkencore nuk janë të pranishëm.

E nderuar gazetare Entela !
Duke ju falenderuar e përgëzuar për përçimin e shqetësimit qytetar si dhe fokusimin në ndonjë nga problemet tona (ujitja, kalimi i Unazës.) ju ftoj ta mbajmë të ndezur akoma më shumë diskutimin e problematikave të institucionit tonë, me synim sensibilizimin e të gjithë aktorëve, që mund të ndihmojnë pozitivisht në përmirësimin e tij, dhe jo thjesht në fokusimin e vetëm ndonjë të mete a mangësie; kjo gjë nuk do ta ndihmonte punën, përkundrazi do të kontribonte, pa dashje, në largimin e qytetarëve nga Kopshti Botanik, i vetmi “oaz i gjelbër, informimi botanik e çlodhje” në mes të asaj lagjeje të betonizuar. Më lejoni që, nëpërmjet jush ti siguroj qytetarët e Tiranës, e jo vetëm, që Kopshti Botanik, me kolektivin shumë të mirë e të përkushtuar që ka, si dhe me mbështetjen e njësive superiore, jo vetëm do të minimizojë të metat dhe mangësitë që mund të çfaqen në momente të ndryshme, por do të bëjë ç’është e mundur, që, nëpërmjet edhe veprimtarisë shkencore e mësimore, ta afrojë gjithnjë e më shumë Kopshtin me këtë publik të mrekullueshëm e të qytetëruar. Aktivizimi dhe ndihmesa e qytetarëve natyrëdashës, është gjithmonë e mirëpritur dhe e vlerësuar nga ana jonë.

Prof. Dr. Petrit Hoda
Përgjegjës i Kopshtit Botanik Fakulteti i Shkencave Natyrore,
Tirane

Komenti juaj

 

Kanceri; Olaparid, ilaçi magjik?

Rezultatet e një prove të pjesshme klinike të një ilaçi të ri për të luftuar kancerin japin shenja premtuese për...

Shqiptarët, pushime të varfra

TIRANE - Pushime të paplanifikuara dhe jo luksoze. Madje ka edhe nga ta që i shohin agjencitë turistike vetëm nga...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj