|
|
Skandal në Provimin e Lirimit. Një nga 10 tezat e Matematikës, të hartuara nga AVA, gjendet e zgjidhur në "treg"
AVA, pranon se testi nuk është i sigurtë si në Maturë. Sot, nxënësit do të zgjidhin test të ndryshëm
Një nga 10 testet e Matematikës, të hartuara nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), për t'u përzgjedhur si test potencial në provimin e dytë të Lirimit, që zhvillohet sot në shkollat 9-vjeçare në vend, u gjet dje i zbardhur në tregun e zi, duke shënuar skandalin e radhës në arsimin shqiptar.
Lajmi u konfirmua edhe nga vetë drejtues të Ministrisë së Arsimit, të cilët pohuan se testi i zgjidhur i publikuar në një nga mediat vizive, ishte pikërisht një nga 10 tezat e hartuara nga AVA, për provimin e matematikës.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit nuk dhanë shpjegime se si testi kishte arritur të dilte jashtë godinës ku po kryhej procesi i hartimit të pyetjeve, por premtuan se do të kërkojnë zbardhjen e të gjithë ngjarjes dhe do të marrin masa për personat që dekonspiruan testin.
Fatmir Vejsiu, drejtor i arsimit parauniversitar në MASH, tha se "megjithëse një nga 10 tezat e hartuara të Matematikës u gjet i zbardhur dje në treg, ditën e sotme, për zgjidhje në duart e nxënësve të klasave të 9-ta do të jetë një test tjetër, me pyetje të ndryshme nga ato të testit të dekonspiruar". Ky fakt është konfirmuar për gazetën "Shekulli" edhe nga AVA, institucioni përgjegjës për hartimin e testeve të Maturës Shtetërore dhe të Provimeve të Lirimit.
Alfons Harizaj, në cilësinë e drejtorit të AVA-s, pranoi për gazetën "Shekulli", se siguria e testit të Provimeve të Lirimeve nuk ishte e njëjtë me atë të Maturës Shtetërore, e për pasojë nuk mund të përjashtohej as mundësia e daljes së tij. "Ne do të sigurojmë që testi i Matematikës që do të kenë në dorë nxënësit sot, do të jetë krejt i ndryshëm nga ai që mediat kanë publikuar ditën e sotme (dje).
Më duhet të saktësoj, se niveli i sigurisë që ka hartimi dhe shpërndarja e testit të Provimeve të Lirimit, nuk është në të njëjtën shkallë me atë të hartimit dhe shpërndarjes së testit të Maturës Shtetërore, kjo edhe për shkak të specifikës që ka testimi i parë."
I pyetur mbi masat e ulëta të sigurisë që gëzon testi i Provimit të Lirimit, Z. Harizaj u shpreh, se kjo lidhet me interesin e pakët që ka dekonspirimi i këtij testi. "Duhet të kuptojmë se testet e provimit të Lirimit nuk cenojnë vazhdimin e arsimimit të mëtejshëm të nxënësve.
Ato janë thjesht një provë njohurish për nxënësit e klasave të 9-ta, të cilët testohen në një provim përfundimtar në dy lëndët kryesore. Pikët e fituara nuk ndikojnë në arsimin që ata ndjekin, pasi dihet që arsimi i mesëm nuk ka kritere pranimi, përjashto shkollat artistike, të cilat kanë si kriter pranimi, konkursin e bazuar në aftësitë e individëve", - tha Harizaj
---------------------------------------------------------------------------------------------------
Zv/ministri i Arsimit, Halit Shamata, hoqi përgjegjësinë nga MASH-i dhe ia ngarkoi atë AVA-s
Zv/ministri i Arsimit, nuk ka informacion për tezën
Megjithëse lajmi i shitjes së tezës së provimit të dytë të lirimit, në lëndën e Matematikës, ishte publikuar nga media që mesditën e djeshme, zv/ministri i Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata, nuk ka pasur asnjë dijeni mbi këtë fakt. I kontaktuar me telefon, në orët e vona të pasdites së djeshme, drejtuesi i lartë i MASH, ka pohuar se nuk dispononte informacion mbi shitjen e tezës. Z. Shamata, ka refuzuar gjithashtu të përgjigjet mbi skandalin më të fundit që ndodhi me tezën e matematikës.
Duke kërkuar të shmangë përgjegjësitë konkrete si institucion, zv/ministri Shamata, ia ka deleguar përgjegjësinë e ruajtjes së testit, Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve. "Hartimi i tezës së provimit është përgjegjësi e AVA-s dhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi për çka ndodh me këtë provim", tha zv/ministri Shamata
Sot Provimi i Lirimit në Matematikë. Në testim do të marrin pjesë rreth 50 mijë nxënës
Teza, AVA përgjegjëse për administrimin e testit
Provimi i dytë i Lirimit në lëndën e Matematikës, do të zhvillohet sot. Ai do të nisë në orën 10:00 dhe do të mbyllet pas dy orë e 30 minutash. Testi i Matematikës do të ketë 25 pyetje, nga të cilat pjesa më e madhe do të jenë ushtrime. Në testimin e sotëm do të marrin pjesë rreth 50 mijë nxënës nga të gjithë shkollat 9-vjeçare të Republikës. Zyrtarë të MASH, sqaruan dje se me hartimin e testit të Matematikës, janë marrë një numër i vogël njerëzish, gjë që do të ndihmojë në zbulimin e shpejtë, të personit që e ka nxjerrë nga godina e AVA-s.
Ajo që dihet dhe që nuk mund të mohohet është fakti se të gjithë përgjegjësitë mbi daljen e testit të Matematikës bien mbi AVA-n dhe drejtuesit e saj. Në rregulloren e Provimit të Lirimit, në nenin 4, është e përcaktuar qartë se përgjegjësitë për zhvillimin e Provimit të Lirimit, ku futen hartimi i testeve, shumëfishimi i materialeve të PL-së, paketimi i tyre, i përkasin AVA-s, duke e ngarkuar me përgjegjësi të plotë ligjore këtë institucion, në rast të mosplotësimit të detyrave
Gjuhët e Huaja, qendër të re për aftësimin e njohurive
Studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja kanë tashmë një Qendër të rikonstruktuar të informimit dhe aftësimit për gjuhën angleze. Pranë këtij fakulteti u organizua dje ceremonia e hapjes së kësaj qendre, rikonstruksioni i të cilës i ka kushtuar British Council (Konsullatës Britanike) rreth 50 mijë paund.
Ky investim i British Council ka përfshirë rindërtimin e ambienteve të brendshme, mobilimin dhe pajisjen me materiale mësimdhënie për pedagogët dhe studentët jo vetëm të departamentit të gjuhës angleze, por për të gjithë studentët e këtij fakulteti.
Një koleksioni ekzistues literature i janë shtuar falë kësaj ndërhyrjeje rreth 700 tituj librash, një koleksion prej 11 tituj periodikësh të ndryshëm, materiale audiovizive etj., që përfaqësojnë më të mirën e Mbretërisë së Bashkuar në mbështetje të përmirësimeve cilësore si në të mësuarin, ashtu edhe në të nxënit e gjuhës angleze.
Kjo mbështetje në literaturë do të vazhdojë t'i ofrohet fakultetit në tre vitet e ardhshme. Dhori Kule, Rektor i Universitetit të Tiranës tha se "krijimi i një laboratori kompjuterik në këtë qendër zgjeron mundësitë e pedagogëve dhe studentëve për akses në metodat dhe burimet më të avancuara të studimit dhe kërkimit, shumë prej tyre të disenjuara e të prodhuara po nga British Council".
UT, konsorciumi evropian i akordon 36 bursa
Konsorciumi i universiteteve evropiane, i ka dhënë Universitetit të Tiranës, të drejtën për të shfrytëzuar 36 të drejta studimi, në tri nivele studimi bachelor, master dhe doktoraturë, në një shumë prej 400 mijë euro. Universiteti i Tiranës i përfiton këto bursa në bazë të projektit Erasmus
Mondus, i iniciuar nga konsorciumi i universiteteve nga më cilësorë të Evropës Perëndimore, me iniciativë të Universitetit të Grazit (Austri). Ky projekt, sipas rektoratit të UT-së, është i një rëndësie të veçantë për rritjen e nivelit të stafit akademik, duke ofruar bursa për doktoraturë dhe post-doktoraturë si dhe ofrimin e mundësisë profesoratit për të qenë lektor aktiv në universitetet perëndimore.
Edhe studentët e shkëlqyer të UT-së do të kenë mundësinë të vazhdojnë një ose dy vite akademike pranë një universiteti, pjese e konsorciumit si në nivelin bachelor ashtu dhe në master.
Promovimi zyrtar i projektit do të jetë në datën 20 korrik, ku do të marrin pjesë dhe përfaqësues të konsorciumit, si dhe hapja e sezonit të parë të aplikimeve të kandidatëve. Përzgjedhja e tyre do të bëhet nga një komitet vlerësimi me anëtarë të ndryshëm te konsorciumit, ndërsa sezoni i dytë i aplikimeve do të çelet në muajin shkurt 2010.
Regjistrimi në konvikt për studentët nga rrethet do të nisë më 28 shtator dhe do të mbyllet më datë 5...
Një gjuajtje drejt e në lule të ballit, fiton 10 pikë. Po aq nëse ia numëron në vetull. Për kosovarët,...
Lajmet 21 korrik - Ora 10 -
data/21-07-2009
Lajmet 21 korrik - Ora 09 -
data/30-08-2008
Lajmet 20 korrik - Ora 16 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Testi ishte bomb.Asnjoni ska bo asigjo.I lutem zotit qe zyshqt te ken meshire perne.Te pakten te na e vene 5.Mendoni sikur te na keni kalamonin tuajme ngel ne klase te nente.PLEASEEEEE!
Testi ishte normal per nxenesit qe kane mesuar kishte per te tera nivelet po ku mund ti shohim pergjigjet e saka
testi shum i lehte !
a po na qitni nja te rezultate