Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Loja e parë e dhelprës me rrushtë

Yllka Lezo | 21/06/2009 | Kulture | komentet 0 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Rreth gjysmë shekull më parë regjisori Mihal Luarasi solli në skenë e TK-së "Dhelpra dhe rrushtë". Filozofi Ksant (Lazër Filipi) kujton shfaqjen vitit '61 dhe praninë në premierë të autorit brazilian Guilherme Figueiredo

"Dhelpra dhe rrushtë" është një nga të paktat vepra që ka pasur mundësinë të ngjitet në skenë e Teatrit Kombëtar dy herë, brenda 30 viteve. Dy regjisorë të ndryshëm, dy grupe aktorësh të ndryshëm morën përsipër të tregonin historinë e filozofit grek Ezop. Në të dyja rastet Ezopi shqiptar interpretohej nga aktori Kadri Roshi. Për herë të parë fabulat e tij, skllavi Ezop i tregoi në skenën shqiptare më 22 qershor të vitit 1961. Plot 48 vite më parë.

Dramaturgu brazilian Guilherme Figueiredo (1915-1997) e shkroi "Dhelpra dhe rrushtë" (A Raposa e as Uvas) në vitin 1952. Subjekti që trajtonte ishte tepër joshës për teatrot në të gjithë botën dhe shumë shpejt ajo do të ngjitej në skenat e teatrove në mbarë botën. Nuk do të vononte edhe premiera në Shqipëri.
Në TK në vitin 1961 erdhi nën regjinë e Mihal Luarasit dhe më pas në vitin 1992 do të rishfaqej, në një dritë tjetër nga regjisori Dhimitër Pecani (sërish me Roshin dhe me akorët Luiza Xhuvani dhe Andon Qesari).

Për premierën absolute Luarasi kishte zgjedhur aktorët Kadri Roshi (Ezopi), Margarita Xhepa (Klea), Lazër Filipi (Ksanti), Esma Agolli (skllavja Meli) dhe Avni Resuli (kapiteni i rojeve). Ksanti (Lazër Filipi) ende e kujton me nostalgji atë premierë e cila ishte e veçantë për shkak të pranisë së vetë dramaturgut Guilherme Figueiredo.

"Ishim në provat e tavolinës. I bëri përshtypje mënyra e interpretimit, zgjidhja që i kishim bërë ne figurave, Ezopit, Kleas, Ksantit. Ajo çka ju duk më e çuditshme Figuereidos, ishin zërat", kujton Filipi. Madje edhe pas 48 vitesh ai kujton me saktësi reagimin e dramaturgut para aktorëve shqiptarë. "Kam parë aktorë të mëdhenj duke luajtur këto role, po tek ju po çuditem me zërat. Kam parë në vendet e Lindjes rolet me intonacione të ulëta, ndonjëherë të ngurta, me krijime shumë të bukura të personazheve por ju keni zëra mesdhetare, njësoj si i kemi ne në Brazil" kështu kujton fjalët e Figueiredos, aktori Lazër Filipi.

Duke i ngulur sytë në një pikë, Filipi duket sikur po kërkon edhe pjesën e mbetur të fjalisë. Pas një pauze të shkurtër kujtohet: "Ajo që i pëlqeu më shumë ishte që ne ishim të lirë, të çliruar. Nuk kishim maniera në të luajtur, nuk shtireshim duke luajtur nga ana e jashtme" thotë.

Por një vepër që trajton çështjen e lirisë nuk do të ishte pjesa më e mirë për tu vënë në skenë gjatë regjimit të realizmit socialist. Çuditërisht reagimi i atij që ishte "këshilli artistik", në lidhje me këtë vepër sipas Filipit nuk kishte të bënte me përmbajtjen por me mënyrën e rrëfimit të saj. "Kur e propozoi regjisori Luarasi në këshillin artistik, menduan se kjo ishte një pjesë për fëmijë, për shkak se Ezopi tregon fabula dhe nëpërmjet tyre nxjerr politikën filozofike kundër së keqes, skllavërisë dhe lufton për liri", kujton duke shtuar se "Luarasi arriti të nxirrte moralin e autorit, mesazhin e tij kundër skllavërisë. Dhe idenë se njeriu duhet të jetë i lirë. I lirë në shoqëri, në jetë, po edhe në dashuri. Klea, megjithëse Ezopi është një njeri jo i bukur, ndoshta deri diku edhe i shëmtuar, bie në dashuri me të, për mendimet e tij, për botën e brendshme, për fisnikërinë e Ezopit".
Për gjatë disa viteve vepra do të ngjitej në skenë rreth 250 herë jo vetëm në skenë e TK por sipas Filipit edhe në skena të tjera të Shqipërisë.

Ai rrëfen se nuk ka qenë e lehtë puna për të ndërtuar këtë shfaqje, e në veçanti përgatitja e tekstit. "Kemi punuar rreth 2 muaj e gjysmë për shfaqjen. Unë veçanërisht e kam pasur të vështirë rolin sepse Ksanti kishte shumë lakime në lëvizje, në intonacione, në mënyrën e interpretimit. Herë qan, herë ankohet, herë hiperbolizon, herë hiqet më i ditur se koka e Zeusit. Një personazh me shumë ngjyra", rrëfen aktori.

Megjithatë ai nuk ngurron të rrëfejë disa nga sekretet e punës me Luarasin: mënyra se si e punonin rolin, intonacioni dhe pauzat ndërmjet dialogëve. "Zakonisht punonim nga ora 10 deri në 13:30, ndonjëherë edhe pasdite bënim prova. Ato i quanim prova intime, nuk provonim gjithë tablonë apo aktin por disa skenëza të një tabloje psh. Klea dhe Ezopi, Ezpoi dhe Ksanti. Një skenë që punohej me detaje. Dhe të nesërmen kur provonim gjithë tablonë ajo dilte më mirë", shpjegon Filipi. Një rëndësi të veçantë i kushton pauzës të cilën e cilëson si një nga momentet kulminante ku nuk flet më fjala por mendimi, syri, bota e brendshme. Sipas Filipit nga veprimi me fjalë kalon në veprimin pa fjalë, nuk thuhet diçka por shprehet dhe ky quhet momenti kulminant i krijimtarisë. Ksanti ishte një filozof i lehtë nga mendja, kujton "Pauzat kur duhej të kaloja nga një monolog në tjetrin (Ksanti ishte shumë i kënaqur se thoshte të vërtetën), befas ndërhynte Ezopi me një fjalë dhe më rrëzonte nga deliri ku unë fluturoja, më stepte... mendoja... Pranë ishte Klea, aty ishte Ezopi dhe përpiqesha të gjeja ku ishte gabimi im, e kërkoja po nuk e gjeja."

Për të personazhi që kishte më shumë pauza të tilla ishte Ezopi, por në mendje i ka ngelur më shumë pauza e Kleas kur ajo e cilëson Ezopin si njeriun më të bukur në botë (ky ishte më i shëmtuar) për shpirtin e tij. Ndërkohë që sipas tij Kadri Roshi nuk nxirrte një filozof të bukur, por një filozof të rraskapitur nga mendimet.

Më pas kujtimet e kthejnë në Akademinë e Arteve në Pragë, atje ku para gjysmë shekulli ka studiuar mjeshtërinë e aktorit sëbashku me Kadri Roshin. "Kemi pasur një profesoreshë që quhej Fabianova, që na mësonte të folurin skenik. Bënim ushtrime për zërin, për diafragmën. Se në mushkëri duhet të hyjë ajër sa për të mbajtur një monolog të gjatë pa marrë frymë". Por këshilla që Filipi e ka zbatuar 100% nga profesoresha është mospirja e duhanit. Ai tregon se pedagogët në Akademinë e Pragës u këshillonin studentëve, sidomos aktorëve dhe këngëtarëve që të mos konsumonin duhan pasi ai ishte faktori kryesor në dëmtimin e zërit. "Është e vërtetë që ai ndihmon në forcimin e zërit" thotë Filipi "por zëri humbet ngrohtësinë, ëmbëlsinë dhe kthehet në një zë pa emocion si llamarinë."


 

Komenti juaj

 

Kopje me Bluetooth

Qëndron i maskuar, poshtë flokëve ose në mëngët e gjata. Është sa një çamçakëz petë dhe nuk dallohet nga pedagogët....

Itali, deklarim i të ardhurave edhe për hyrjet afatshkurtra

Të huajt që hyjnë për një periudhë të shkurtër, si për vizita, biznes, turizëm, studim, duhet të provojnë se zotërojnë...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj