|
|
Dalin sot rezultatet e provimit të lirimit në Gjuhë Shqipe dhe Lexim Letrar. Përgjigjet në shkolla.
Ankimimi për pikët do të bëhet në Drejtorinë Arsimore, ndërsa kërkesa për rishikim, në shkollë
Burime pranë shkollave 9-vjeçare në Tiranë, pohuan dje për gazetën "Shekulli", se tashmë ka përfunduar korrigjimi i testeve të provimit të parë të lirimit për klasat e 9-ta, në lëndën e Gjuhës Shqipe dhe Leximit Letrar.
Ata informuan se rezultatet për çdo nxënës, me shumë gjasa do të afishohen në shkolla, duke filluar nga dita e sotme. Puna e fundit që ka mbetur për t'u bërë është kthimi i pikëve në nota, proces i cili ka vonuar edhe kohën e daljes së rezultateve.
Deri më tani, bëhet e ditur se, nga rezultatet paraprake, kanë rezultuar mbetës në provimin e parë të lirimit, një numër i vogël nxënësish, ndërsa shkalla jo e lartë e vështirësisë së tezës, ka ndikuar që niveli i nxënësve në këtë provim të jetë mesatar.
Konvertimi i notave
Njëkohësisht me rezultatet për çdo nxënës, specialistë të arsimit kanë zbardhur edhe skemën e konvertimit të pikëve të fituara në test në nota, të cilat do të shënohen në dëftesën e pjekurisë që do të jepet në përfundim të të gjithë ciklit shkollor 9-vjeçar.
Tashmë kjo skemë u ka kaluar edhe drejtorive të shkollave 9-vjeçare, të cilat do të bëjnë edhe kthimin e pikëve. Në bazë të informacioneve që disponon gazeta, për të marrë një notë mbi mesataren, një nxënës duhet të ketë mbledhur të paktën 40 pikë.
Drejtues të shkollave sqaruan se në bazë të skemës së sjellë nga Drejtoria Arsimore, do të vlerësohen me notën 10 vetëm nxënësit, të cilët gjatë zhvillimit të testit kanë grumbulluar 50 pikë.
Kjo shkallë vlerësimi do të ndiqet edhe për notat e tjera, ku, nxënësit të cilët kanë marrë 45 pikë, do të vlerësohen me notën 9, ndërsa ata që kanë marrë 42 pikë, do të marrin në përfundim të testimit notën 8. Vlerësimi i mësipërm do të vlejë për nxënësit të cilët kanë arritur të kenë performancë të lartë në zhvillimin e testit.
Nxënësit, të cilët nuk kanë arritur të marrin më shumë se 25 pikë nga 50 të mundshmet në test do të vlerësohen me notën 7, ndërsa ata që kanë grumbulluar më pak se 10 pikë do të vlerësohen me notën 4, që ndryshe do të thotë se duhet të rijapin edhe njëherë në sezonin e vjeshtës provimin e parë të lirimit.
Ankimimi në DAR
Të gjithë nxënësit, të cilët kanë ankesa për vlerësimin e marrë në testin e parë të provimit të lirimit, do t'u jepet mundësia të rishikohet edhe njëherë testi nga e para. Drejtues të shkollave informuan se nxënësit mund të ndërmarrin këtë hap menjëherë pasi të njihen me rezultatin.
Ankimimi do të bëhet fillimisht në shkollën ku nxënësi ka dhënë provimin e lirimit, ndërkohë që rikorrigjimi do të bëhet nga Drejtoria Arsimore përkatëse, në bazë të skemës së korrigjimit që ka marrë nga AVA. Ajo që bëhet e ditur është se, në ndryshim nga Matura Shtetërore, nxënësit të cilët do të paraqesin kërkesën për rikorrigjimin e testit, nuk do të paguajnë tarifë për të kryer këtë veprim.
Universiteti Ushtarak pezulloi pesë ditë para testit fizik, zhvillimin e konkursit. Konkurentët: Duam paratë e shpenzuara Komanda e justifikon vendimin...
Konkursi i Arkitekturës nuk do të zhvillohet në muajin korrik, por do të jepet në tri ditët e fundit të...
Lajmet 10 korrik - Ora 16 -
data/10-07-2009
Lajmet 10 korrik - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 10 korrik - Ora 13 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Komenti juaj