|
|
Turizmi, e ardhmja e investimeve private në natyrën e mrekullueshme
Sezoni pranverë-vjeshtë dhe frekuentuesit shqiptarë dhe të huaj
ELBASAN- Llixhat e Elbasanit, të njohura për ujin çudibërës dhe me natyrën mbështetëse në shërbim të turizmit janë vetëm 5 kilometra nga qyteti dhe ndodhen në një pellg të mbrojtur mes kodrave dhe gjelbërimit.
Pjesë e komunës Tregan, kjo zonë është kthyer në një ndalesë vjetore për të gjitha moshat dhe kategoritë, por sidomos personat me probleme të ndryshme shëndetësore.
Në këtë zonë janë ndërtuar mjaft hotele e banja kurative, ndërsa vetë banorët kanë marrë pjesën e tyre nga burimi i ujit duke e përdorur për klientët e vazhdueshëm që vijnë nga e gjithë Shqipëria, por edhe përtej kufijve. Teksa i afrohesh kësaj zone, kupton se sa e bekuar është me natyrën e mrekullueshme.
Ndalesa e parë është në një prej qendrave kurative në hyrje të llixhave. Gjelbërimi, ambientet dhe shërbimi janë tre shije të para të një qendre kurative. Aleko Marku na tregon sesi ka investuar jo vetëm në kurimin nëpërmjet ujit të Llixhës, por edhe për mirëqenien e frekuentuesve.
"Një banjë zgjat vetëm disa minuta dhe janë disa faza, ndërsa pjesa tjetër duhet të përmbushet në mënyrë sa më të plotë që frekuentuesit të ndihen mirë dhe veç kurës të kalojnë ditë të mrekullueshme pushimi. Ne jemi kujdesur për kuzhinën, për higjienën, për komoditetin e klientëve dhe për këto objekte turistike që kemi ndërtuar në shërbim të relaksit total".
Ndërsa viziton ambientet, mëson se subjektet private tashmë po investojnë jo vetëm për kurim, por edhe në drejtim të turizmit dhe komoditetit maksimal. Ilir Hoxha, është një prej frekuentuesve të banjave termale.
Ai thotë se ka kërkuar jo vetëm ujin kurativ, por edhe gjithçka tjetër për të kaluar ditë të shëndetshme dhe të qeta. "Menyja e pasur, ambientet e mrekullueshme që të dhurojnë qetësi dhe kënaqësi, shërbimi mjaft cilësor më bën që të kaloj ditë që më shërbejnë jo vetëm për trupin, por edhe për mendjen".
Veç kurimit të sëmundjeve, uji termal përdoret edhe për mirëqenien e trupit dhe kozmetikën. Balta me mjaft efekt është një tjetër shërbim që e bën këtë vend me një tjetër vlerë në shërbim të bukurisë.
Teksa vazhdon në brendësi të zonës, hoteli i famshëm i modelit austriak , pronë e trashëguar e familjes Nosi, ka tërheqjen e vet dhe vazhdon traditën. Përgjatë rrugës në qendër të fshatit Llixhë do të hasësh banjat private, që sigurisht janë më të lira, por kanë aktivitetin dhe klientët e tyre.
Por kur subjektet hotele e kanë zgjidhur problemin e ndërhyrjes mjekësore me një shërbim të kualifikuar, në banjat termale, pronë e banorëve, ka ende shumë probleme.
Komuna Tregan ka hartuar një plan strategjik ku është parashikuar përfshirja e një ekipi të plotë mjekësor në shërbim të rasteve me probleme që mund të shfaqen herë pas here për shkak të ujit termal. Ende në këtë drejtim nuk është bërë shumë dhe pacientët rrezikojnë mjaft teksa shfrytëzojnë këto banja.
Çmimet
Por ndërsa ndryshojnë kushtet, ndryshojnë edhe çmimet. Nën çadra dhe banja pa kushte, përdorimi i ujit është një mijë lekë të vjetra dhe kjo tërheq mjaft shtresën e varfër. Por ka edhe nga ata që evitojnë edhe të paguajnë duke gjetur të vetmin burim pa para në përroin e Llixhës.
Nazmija vjen nga lagja "5 Maj" e qytetit të Elbasanit. Ajo thotë se udhëton çdo ditë me autobus për të mbërritur në Llixhë dhe e ka më mirë të shfrytëzojë ujin pa pagesë, pasi paratë në dispozicion nuk i mjaftojnë për të marrë të njëjtin shërbim në llixhat private.
Teksa është duke bërë banjë e shtrirë në përrua, ajo na thotë se çdo vit këtë gjë bën, por nuk di të thotë se sa e rrezikshme është banja jashtë kontrollit të mjekut. Gruaja rreth të pesëdhjetave e di se s'duhet të rrijë shumë në ujë, por se sa duhet të rrijë, këtë gjë nuk ia ka thënë njeri.
Me paditurinë e saj ajo madje nuk frikësohet kur e pyesim se sa e rrezikshme është kjo gjë. "Si ta ketë shkruajtur Zoti. Tek banjat private me para nuk shkoj se s'kam mundësi. Më dhemb trupi dhe prandaj vij. Llixha më bën mirë dhe po të kisha mundësi, do vija më shumë. Ky pellg këtu është i vetmi që nuk e kanë zënë banorët".
Në këtë burim të pazaptuar nga banorët vijnë edhe të tjerë frekuentues. Ata janë nga Velipoja. Pasi kanë shfytëzuar me pagesë banjat, vijnë këtu për të futur këmbët dhe për të qëndruar më tepër në ujin e llixhës.
Të bindur se gjithçka i bën mirë, ata thonë se duan ta shfrytëzojnë sa më shumë këtë ujë të bekuar (pa e ditur se kjo mund t'iu shkaktojë dëme të mëdha për shëndetin nëse nuk ndiqet nga disa rregulla dhe nëse nuk ka një kujdes mjekësor).
Llixhat, zonë turistike
Historikisht Elbasani ka qenë i njohur në mbarë vendin dhe më tej për vlerën kurative që zotërojnë burimet termale të llixhave. Deri në fillim të shekullit të kaluar, llixhat janë shfrytëzuar në mënyrë primitive. Pas viteve '30 u ngritën hotelet e para dhe gjatë viteve të diktaturës ky aktivitet u shtua më tej. Por megjithatë llixhat nuk u shfrytëzuan asnjëherë me standarde.
Edhe pas viteve '90 burimet termale nisën të shfrytëzohen në mënyrë krejt kaotike aq sa shpesh u bënë burim fatkeqësish. Duke parë vlerat që mbartin këto burime dhe resurset përreth, Këshilli i Qarkut hartoi studime për zonën duke i futur llixhat në masterplanin e zhvillimit turistik duke përfshirë edhe pikën turistike të Gjinarit.
Sipas Kryetarit të Komunës Tregan, Durim Çekrezi, kanë nisur investimet në infrastrukturën rrugore, në kanalizime, në furnizimin me ujë të pijshëm, në rritjen e sipërfaqeve të gjelbëruara dhe në mbjelljen e pemëve dekorative. Sipas tij, tashmë pushteti lokal ka vetëm një synim: ta transformojë këtë zonë me destinacion kurativo-turistik, gjë që ka filluar në mënyrë të natyrshme nga vetë bizneset.
Vetëm këtë vit në Llixha do investohen 100 milionë lekë, duke përfshirë një rrjet kanalizimesh për ujërat e zeza me sistem filtrimi duke pasur si qëllim mosdëmtimin e ujit dhe të faunës së mrekullueshme të kësaj zone. Çekrezi thotë gjithashtu se Plani i zhvillimit për zonën ka si objektiv transformimin nga një zonë kurative në një zonë të mirëfilltë turistiko-kurative në 15 vitet e ardhshme.
Por ajo që të bën më shumë përshtypje në këtë zonë, është se "pronarët" e ujit janë banorët e jo shteti, pasi nuk ka një ligj për të dhënë në shfytëzim këtë ujë dhe sigurisht për të investuar paratë e përfituara në shërbim të infrastrukturës dhe të përmirësimit të ndjeshëm të shërbimit, sidomos atij mjekësor në këtë zonë.
Gjithçka i është lënë spontanitetit dhe investitorët më të mëdhenj pasi kanë kuptuar botën e biznesit dhe të konkurrencës, kanë investuar vetë në shërbime dhe kushte për të qenë konkurrentë dhe të preferuar në tregun e shërbimit kurativ të llixhave.
Por, edhe pse kjo zonë është e shpallur me vendim qeverie zonë turistike, deri tani nuk është parë asnjë investim që t'i shërbejë vërtet së ardhmes turistike. Investimet realizohen pa plan dhe shpesh në kohë fushatash pa reflektuar në përmirësimin e infrastrukturës së kësaj zone.
Natyra i ka falur shumë Elbasanit duke i dhënë ujëra të rralla dhe me vlerë të madhe kurative, teksa u mbetet njerëzve të ndërtojnë dhe t'i shërbejnë kësaj pasurie, që i shërben shëndetit dhe mirëqenies.
Llixha e Elbasanit, si morën vëmendjen e mbretit Ahmet Zogu
Uji çudibërës i llixhave mori vëmendjen në fillim të shekullit të kaluar edhe të mbretit të athershëm të shqiptarëve, Ahmet Zogu. Ky i fundit kërkoi të sillej një specialist nga Çekosllovakia, vendi që njihej mjaft për shfrytëzimin e ujërave termale.
Mjeku i sjellë në Elbasan ka bërë një vlerësim mjaft dobiprurës për këto ujëra të përcaktuara si shëruese për një mori sëmundjesh. Në përfundim të studimit të ujit u renditën edhe sëmundjet, të cilat mund të kurohen nga uji i llixhave.
Dokumenti që qarkullon mes drejtuesve të hoteleve dhe të banjave termale në llixhë u jep atyre edhe prestigjin e gati 80 viteve më parë kur ky studim u realizua dhe i dha famë këtij uji.
Në dokumentin që është shumëfishuar dhe mbahet në çdo hotel, nëpërmjet dialektit gegërisht tregohen edhe me fjalë popullore disa sëmundje të cilat janë shqetësim edhe sot.
Ky dokument shkruan: "Naltmadhenia e Tij, Mbreti Jone, Zogu I sikurse interesohet për marëvajtjen e Shqipnis, denjoi me u interesua për ujnat minerale, me famë shëruese, të Llixhës s'Elbasanit edhe urdhënoi Qeverin me sjellë në vend specialistin me famë Ing. Dr Beno Ëinter, drejtorin e Banjës së Marienband-it të Çekoslovakis.
Ky si bani analizën e duhun, u këshillue edhe me mjekë e specialistë të kësaj dege, dhe u gjet se këto ujna janë nga ma të rrallat në botë për fuqinë shërruese të tyne, sikurse e tregon raporta që pason:
Goutte(Sëmundje e gjymtyrve të durve e të kamave. 2. Congestion (Mbëhstjelle të gjakut në nji vend të trupit si në mëlçi të zezë. 3. Calcusbiliaires (ndodhej gurësh në tëmthin e mulçisë së zezë. 4. Hemorroidet 5. Sëmundje të organeve të frymëmarrjes (nefezi) 6. Rematizëm e randë e vjetër. 7.
Sëmundje të gjymtyrëve dhe deformime të tyre. 8. Dhimbje nervash, në nji pjesë trupi ose në të gjithë trupin, ose të kokës. 9. Rematizëm sëmundje nervoze. 10. Të marronit gjymtyrësh shkaktue nga reumatizma e sëmundjete të lidhjeve. 11. Anemi (kur mjekimi me hekur nuk ka sjellë dobi mjafton të pijë ujë llixhe).
Annexites
Gjith mjekimet bahen me këshillat që i jepen të sëmurve prek doktorit të psaçëm që asht emnue prej qeveris si cili kurdoherë gjindet tek banjat. Sikurse dihet shërohen të gjitha llojet e sëmundjeve të lëkurës".
Qëndron i maskuar, poshtë flokëve ose në mëngët e gjata. Është sa një çamçakëz petë dhe nuk dallohet nga pedagogët....
Të huajt që hyjnë për një periudhë të shkurtër, si për vizita, biznes, turizëm, studim, duhet të provojnë se zotërojnë...
Lajmet 10 korrik - Ora 16 -
data/10-07-2009
Lajmet 10 korrik - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 10 korrik - Ora 13 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Komenti juaj