Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Regjistrimi në gjimnaz, me prindër për dore

Dritan Laci | 23/06/2009 | Edukimi | komentet 1 KOMENT | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Arsimi i mesëm, regjistrimi në shkolla, jo më në shtator, por në fund të muajit qershor


Shkollat e specialiteteve, publikohen datat e dorëzimit të dokumenteve dhe të konkurseve


Regjistrimet në gjimnazet publike, shkollat artistike apo ato sportive, nuk do të kryhen më në fillimin e vitit shkollor, por menjëherë pas përfundimit të sesionit të provimeve të lirimit. Ministria e Arsimit ka vendosur të ndryshojë, duke nisur nga ky vit shkollor, skemën tradicionale të regjistrimit në arsimin e mesëm.


Regjistrimi në arsimin e mesëm do të hapet më datë 29 qershor dhe do të mbyllet me datë 10 korrik. Nxënësit do të kenë dy javë kohë për të përgatitur të gjithë dokumentet e nevojshëm, për bërë regjistrimin në ciklin parauniversitar.


E veçanta e regjistrimeve të këtij viti është se çdo nxënës që do të regjistrohet në arsimin e mesëm, duhet të jetë i shoqëruar në momentin e regjistrimit nga njëri prej prindërve. "Arsyeja e marrjes së këtij vendimi, - sqarojnë në shkolla, - lidhet me njohjen nga ana e prindërve e të drejtave që gëzojnë fëmijët dhe detyrimet që ata kanë në shkollë".


Regjistrimi në shkollat e mesme do të bëhen në bazë të ndarjes territoriale dhe jo kundrejt dëshirës së nxënësve. Vendimi i dalë nga drejtoritë arsimore do të vlejë për të gjithë drejtoritë e shkollave, ndërsa pas afatit të fundit të caktuar, nuk do të lejohet regjistrimi i asnjë nxënësi në arsimin e mesëm.


Për të kryer regjistrimin nxënësi duhet të paraqesë në sekretarinë e shkollës, ku do të vazhdojë të ndjekë arsimin e mesëm, dëftesën e shkollës 9-vjeçare. Drejtues të shkollave kujtojnë se dorëzimi i dokumentit që vërteton përfundimin e ciklit 9-vjeçar duhet të bëhet në prani të njërit prej prindërve, i cili duhet të ketë me vete mjet identifikimi.


Pranimet në shkollat profesionale, gjuhëve të huaja, si edhe seksionet dygjuhëshe italiane, do të bëhen me konkurs. Në shkollat sportive konkurset do të zhvillohen deri më datën 10 gusht, ndërsa në shkollat artistike dhe koreografike, testimet do të kryhen nga data 24-28 gusht. Ministria e Arsimit ka vendosur që afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve në shkollat e specialiteteve të jetë data 15 korrik.


Për të marrë pjesë në konkurs, kandidatët duhet të dorëzojnë në sekretaritë e shkollave përkatëse: fotokopje të noterizuar të dëftesës së lirimit, të firmosur në Drejtorinë Arsimore Rajonale, certifikatë lindjeje me fotografi të vulosur nga shkolla, ku kandidati ka marrë dëftesën e lirimit, si edhe kërkesë për degën që do të studiojë.

Akademia e Arteve, shpallen datat e konkurseve

Nuk ka ende një ndarje specifike, por ajo që mësohet është se periudha e konkurseve të pranimit në Akademinë e Arteve, do të jetë nga data 16 deri më 31 korrik. Lajmi konfirmohet nga vetë burime zyrtare pranë Akademisë së Arteve, të cilët tashmë presin shkresën e Ministrisë së Arsimit për të përcaktuar datat e konkurseve për secilin nga fakultetet, përkatësisht atë të Artit Skenik, të Arteve të Bukura dhe të Muzikës.


Këtë vit akademik mendohet të marrin pjesë në konkurset e pranimit rreth 600 konkurrentë, ndërsa numri i vendeve në dispozicion do të jetë 300 të tillë. Në ndryshim nga vitit i kaluar, këtë vit konkurset e pranimit në Akademinë e Arteve do të pësojnë një sërë ndryshimesh, të cilat do të synojnë rritjen e kërkesave ndaj konkurrentëve.


Kështu, duke filluar nga ky vit, konkurset e Kompozicionit, Muzikologjisë dhe Dirigjimit, do të bashkohen në një të vetëm, me konkursin për Pedagogjinë Muzikore, ndërkohë që në vitet e kaluara, tri degët e para kishin gjithsecila konkurs më vete.


Rektori i Akademisë së Arteve, Petrit Malaj, shpjegoi për gazetën "Shekulli" se ndryshimet në kompozicion dhe dirigjim janë bërë për disa arsye, ku ajo që ai theksoi më shumë, është cilësia e dobët e studentëve që kanë nxjerrë këto konkurse në vitet e kaluara



 

1 KOMENT

ore ore lule bore ju lutemi te vini me prind për dore.

Komenti juaj

 

Universiteti "Skënderbej", anullohet konkursi i pranimit

Universiteti Ushtarak pezulloi pesë ditë para testit fizik, zhvillimin e konkursit. Konkurentët: Duam paratë e shpenzuara Komanda e justifikon vendimin...

Arkitektura, shtyhet një muaj konkursi

Konkursi i Arkitekturës nuk do të zhvillohet në muajin korrik, por do të jepet në tri ditët e fundit të...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj