|
|
Dy liderët për Reuters shprehin qëndrime të kundërta në lidhje me raportet me FMN
Berisha angazhohet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rama skeptik për standardet e zgjedhjeve
Agjencia e lajmeve Reuters i ka kushtuar hapësirë të rëndësishme zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri. Kjo agjenci ka vënë përballë dy liderët kryesorë në vend, Sali Berishën dhe Edi Ramën të cilët kanë ndarë pikëpamjet e tyre për zhvillimet e fundit në vend. Të dy drejtuesit e forcave kryesore politike kanë dhënë qëndrimet e tyre të kundërta mbi standardet e këtyre zgjedhjeve dhe marrëdhënieve me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Agjencia Reuters shkruan se ish- vendi komunist ka përjetuar një rritje të fortë ekonomike në vitet e shkuara, duke rënë nën pesë për qind rritje, vetëm njëherë në dekadën e fundit. Por sipas saj, vendi ndodhet nën presion, me rënien e eksporteve. "Shqiptarët që jetojnë jashtë dërgojnë më pak para në shtëpi dhe çështje të tjera të ekonomisë botërore ndikojnë vendin.
Tashmë ekonomistë dhe shqiptarë të zakonshëm të intervistuar këtë muaj thonë se vitet e rritjes së fortë ekonomike në ish-vendin stalinist duket se po vijnë drejt fundit",- thuhet në reportazhin e Reuters.
Sipas agjencisë, qeveria ka hedhur para për ndërtimin e rrugëve për të ndihmuar ekonominë dhe kostot e larta të punëve publike mund të shtyjnë qeverinë e re të kërkojë ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, siç ka bërë Serbia dhe Bosnja gjatë muajve të fundit. Por PD dhe PS janë të ndara rreth kredive të mundshme të FMN-së për të ndihmuar ekonominë shqiptare.
Sipas Reuters, Berisha është kundër një kredie nga FMN dhe thotë se çdo paketë e rreptë FMN-je mund të nxisë shqetësimet në vend. "(Unë i kam treguar FMN-së) pse qeveritë hezitojnë të punojnë me ju?
Edhe kur janë në nevojë të madhe. Së pari, frikëson njerëzit e biznesit, është një sëmundje, sapo vjen doktori dhe jep diagnozën, dhe ajo nuk është e dobishme për biznesin",- tha Berisha për agjencinë e lajmeve Reuters. Ndërkohë që PS ka kritikuar pozicionin e qeverisë në lidhje me FMN-në.
Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, thotë për Reuters se do të nisë menjëherë bisedimet me FMN nëse fiton në fund të muajit, në atë që sondazhet tregojnë se mund të jetë një garë e fortë rreth drejtimit të ardhshëm të vendit.
"Ne jemi totalisht kundër vendimit të qeverisë për tërheqjen nga programi të asistencës së FMN-së dhe sepse ne absolutisht kemi nevojë për ndihmën dhe prezencën e Fondit",- tha Rama.
Standardet
Dy drejtuesit e forcave kryesore në vend kanë ndarë mendime të kundërta për standardet e zgjedhjeve në vend.
Agjencia Reuters e hap reportazhin e saj duke treguar se Shqipëria shpreson të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme më 28 qershor, i cili është një parakusht për vendin post-komunist në rrugën për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, pasi zgjedhjet e mëparshme dështuan në zbatimin e standardeve ndërkombëtare.
Partia kryesore e opozitës, PS, nuk beson se qeveria do të jetë e aftë të mbajë premtimin e saj, por partia qeverisëse, PD deklaron se do të zhvillojë zgjedhje të ndershme.
Kryeministri aktual dhe udhëheqësi i Partisë Demokratike, Sali Berisha, thotë se qeveria e tij do të bëjë gjithçka që mundet për të siguruar që zgjedhjet të jenë paqësore dhe të ligjshme në vendin me 3.3 milionë banorë.
"Në pikëpamjen time, këto do të jenë zgjedhje me standarde ndërkombëtare dhe plotësisht të lira dhe të ndershme për aq sa është në duart e qeverisë. Qeveria do të bëjë më të mirën",- tha Berisha për Reuters. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk i beson deklaratat e qeverisë se do të organizojë zgjedhje të ndershme.
"Nëse i referoheni raporteve të OSBE/ODIHR Shqipëria ka patur disi të lira dhe të ndershme, por nëse i referoheni standardeve të Bashkimit Evropian, Shqipëria nuk ka patur kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme si normalisht në BE. Shpresa e madhe ishte të kishim këtë herë, por kjo nuk duket",- thotë Rama.
Qeveria miraton pagesën e shtëpive të palegalizuara, në vlerën 80%, me letra me vlerë. Pjesa tjetër paguhet me para TIRANË-...
Qeveria miraton vendimin që i lejon punonjësit e nëntokës që të dalin në pension në moshën 60- vjeç TIRANË- Mosha...
Lajmet 10 korrik - Ora 16 -
data/10-07-2009
Lajmet 10 korrik - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 10 korrik - Ora 13 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Komenti juaj