|
|
Tueni për gazetarinë dhe çështje të tjera
Ishte një kohë turbullirash. Njerëzit ishin thirrur nën armë, lufta vazhdonte dhe zemrat e të gjithëve i digjte zjarri i shënjtë i patriotizmit. Daullet gjëmonin, bandat buçisnin, revolet e fëmijëve kërcisnin, dhe fishekzjarret fishkëllenin e pëlcisnin; në të katër anët, sa të zinte syri, mbi pullaze e ballkone valonte e shkëlqente nën dritën e diellit një pyll me flamure.
Çdo ditë, vullnetarët e rinj marshonin përmes bulevardeve të gjërë, të gëzuar e të pashëm, me uniformat e reja, ndërsa baballarët, nënat, motrat dhe të dashurat e tyre kryelartë, i përshëndetnin me zëra të ngashëryer nga ndjenja e gëzimit; çdo natë populli i mbledhur nëpër mitingje, dëgjonte, duke mbajtur frymën, fjalime patriotike që ndiznin zemrat e njerëzve dhe ndërpriteshin herë pas here nga duartrokitjet e stuhishme, ndërsa lotët rrëshqisnin tatëpjetë faqeve; nëpër kisha priftërinjtë luteshin për flamurin dhe për atdheun e tyre dhe i faleshin Perëndisë së Luftës, duke kërkuar ndihmën e tij për çështjen e tyre të drejtë me fjalime të ethshme që preknin zemrat e dëgjonjësve.
Ishte me të vërtetë një kohë plot gëzim e gjallëri dhe ndonjë gjysmë duzine njerëz kokëkrisur, që u orëvatën të flisnin kundër luftës dhe të hidhnin ndonjë fije dyshimi mbi drejtësinë e saj, morën menjëherë një paralajmërim të rreptë e të mërishëm, sa e gjetën me vend t'ua mbathnin këmbëve për të shpëtuar kokën dhe të mos e përsëritnin më atë marrëzi.
Erdhi dhe mëngjesi i së dielës, - të nesërmen, batalionet do të niseshin për në front; kisha ishte e mbushur plot, vullnetarët kishin ardhur aty me fytyrat e tyre djaloshare të ndezura nga ëndrrat e luftës, - vegimet e përparimeve të shpejta, çastet para sulmit, vërshimet e sulmit, llapëtitjet e shpatave, shpartallimi i armikut, rrëmuja, shtëllungat e tymit, ndjekja këmba këmbës dhe dorëzimi. Pastaj kthimi në shtëpi, si heronj, fytyrëreshkur, të pritur me brohori, të stolisur me dekorata, të zhytur në detin e artë të lavdisë!
Së bashku me vullnetarët qëndronin të dashurit e tyre, kryelartë, e të gëzuar dhe të zilisur nga fqinjët dhe miqtë e tyre, që nuk kishin bij e vëllezër të përcillnin në fushën e nderit për të korrur fitore për flamurin, ose të rast të kundërt, të jepnin jetën si me le. Kisha filloi; së pari u lëçit një tropar për luftën nga Dhjata e vjetër; pastaj u bë falja e parë e pasuar nga ushtima e një organi, që tundi themelet e kishës, dhe menjëherë të gjithë u ngritën me sy të përlotur e zemër të ndezur dhe lëshuan këtë lutje të bujshme:
"O zot i tërëllahtarshëm! Ti që
jep urdhër! Le të gjëmojë
trumbeta dhe le të shkrepëtijë
shpata jote!"
Pastaj filloi falja e gjatë. Askush nuk mbante mend një falje kaq të nxehtë, prekëse dhe me fjalë aq të bukura. Thelbi i lutjes ishte që Zoti mëshirplotë e mirëdashës të vinte dorën mbi ushtarët tanë të rinj e fisnikë, t'i ruante, t'i ndihmonte, t'i qetësonte e t'u jepte zemër për vepra patriotike, t'i bekonte, t'i mbronte në çastin e betejës dhe në kohë rreziku t'u jepte dorën e tij të fuqishme, t'i bënte të fortë e besnikë dhe të pathyeshëm në sulmet e përgjakshme; t'i ndihmonte të dërmonin armikun, dhe t'u jepte nder e lavdi të pasosur flamurit dhe kombit...
Një i panjohur në moshë të kaluar hyri brenda dhe eci, me hap të ngadalshëm e pa zhurmë, përmes hajatit, me sy të mbërthyer tek prifti, veshur me një pallto të gjatë që i arrinte deri në fund të këmbëve, kokëjashtë, me flokë të thinjur e të pakrehur, që i binin gjer mbi shpatulla, me fytyrë të thatë e të verdhur jashtë masës sa dukej si i vdekur.
Ai vazhdonte të ecte në heshtje ndërsa të gjithë sytë e të pranishmëve e ndiqnin me çudi; pa ndalur ai arriti deri afër priftit dhe qëndroi duke pritur. Prifti, me qepalla të mbyllura, pa vënë re praninë e tij, vazhdonte lutjet e mallëngjyeshme dhe më në fund e mbylli me këto fjalë të shprehura nëpërmjet një thirrjeje të ethshme:
"Bekoi o Zot, armët tona dhe falna fitoren, Ti o Zot i Madh, Ati dhe mbrojtësi i flamurit dhe i atdheut tonë!"
I panjohuri e zuri përkrahu, i bëri shenjë të largohej mënjanë, - gjë që prifti i mahnitur e bëri, - dhe ai hipi në vendin e tij. Vështroi për disa çaste turmën e hutuar, me sy të qetë ku dukej një dritë lemerie; pastaj e një zë të mbytur tha:
"Unë vij nga Froni i lartë, - kam sjellë një mesazh nga Zoti i Tërëfuqishëm!" këto fjalë ranë si bombë mbi të pranishmit; i panjohuri, në rast se e ndjeu këtë nuk e vuri re. "Ai dëgjoi lutjen e shërbëtorit të tij, bariut tuaj, dhe do t'jua japë atë që kërkoni në rast se dëshëroni edhe pasi unë, lajmëtari i Tij, t'ju kem shpjeguar kuptimin e saj, domethënë kuptimin e plotë.
Shërbëtori i Perëndisë dhe i juaji, bëri lutjen. Po a u mendua mirë për këtë? A është kjo një lutje e vetme? Jo, nuk është një ajo është dy, njëra u shpreh dhe tjetra jo. Po që të dyja arritën në veshin e Atij që dëgjon të gjitha lutjet; të folura e të pafolura. Mbaheni mend këtë dhe mendohuni mirë.
Në rast se kërkoni një bekim për veten tuaj, keni mendjen që padashur, në të njëjtën kohë, të mos kërkoni mallkim për fqinjin tuaj. Në qoftë se kërkoni një bekim që të bjerë shi për bimët tuaja që kanë nevojë, në këtë mënyrë ju ndofta kërkoni edhe një mallkim për bimët e fqinjit tuaj, të cilat nuk kanë nevojë për shi dhe mund të dëmtohen.
Ju keni dëgjuar lutjen e shërbëtorit tuaj, atë pjesë që ka shprehur ai. Unë jam porositur nga Perëndia t'ju shpreh me fjalë pjesën tjetër, atë pjesë të cilën prifti si edhe ju, e kërkuat në heshtje nga thelbi i zemrës. Vallë pa e ditur, pa e menduar? Zoti beson se ishte kështu! Ju i dëgjuat këto fjalë: "Na fal fitoren o Zot i Madh!" Kjo mjafton. E tërë lutja e shprehur përmblidhet në këto fjalë kuptimplote.
Për këtë s'ka nevojë të zgjatemi. Kur u falët për fitoren ju kërkuat pa i shprehur edhe pasojat e saj, të cilat do të vinë doemos se nuk mund të shmangen. Në veshin e Perëndisë arriti edhe pjesa e pafolur e lutjes suaj. Prandaj ai më dërgoi mua që t'jua vë në dukje me fjalë. Dëgjojeni!
O Zot! At' i ynë! Patriotët tanë të rinj, idhujt e zemrave tona po nisen për në luftë, - qëndro pranë tyre! Zemrat tona do ta lënë qetësinë e ëmbël të vatrave të dashura dhe do të shkojnë pas tyre për të shkatërruar armikun.
O Zot o Perëndia jonë, ndihmona neve t'i copëtojmë me bomba e t'i ndehim ushtarët e armikut në qefinet e përgjakur; ndihmona t'i shtrojmë fushat e tyre të bukura me kufomat e zbehta të patriotëve të vrarë, ndihmona të mbytim buçimën e topave me ulërimat e të plagosurve të tyre të cilët të përpëliten nga dhembjet, ndihmona t'i sheshojmë shtëpitë e tyre me stuhi të zjarrta; ndihmona të shtrydhim zemrat e të vejave të tyre të pafajshme dhe dhembje të pashërueshme; ndihmona t'i lëmë rrugëve pa strehë me gjithë fëmijë, të bredhin të çakërdisur nëpër gërmadhat e vendit të tyre të shkretuar, të leckosur, të uritur e të etur, të lozë me ta afshi i nxehtë i diellit të verës dhe era e acartë e dimrit, të sillen vërdallë me shpirt të copëtuar e të pocaqisur nga roptisjet, duke t'u lutur Ty që t'i strehosh në varr, gjë që Ti do t'ua mohosh, për hirin tonë, që të adhurojmë o Zot i Madh, t'u shuash shpresat, t'u nxish jetën, t'u zgjatësh rrojtjen e idhur e endacake, t'i raskapitësh, t'ua vaditësh rrugën me lotët e tyre, t'ua ngjyesh dëborën e bardhë me gjakun e këmbëve të tyre të copëtuara! I kërkojmë këto në emër të dashurisë që kemi për Atë i Cili është Burim i Dashurisë dhe ngushëllim e shok besnik i të gjithë atyre që kërcënohen nga mjerimi dhe kërkojnë ndihmën e Tij me përulësi e zemër të penduar.
Amen...
(Pas një heshtje). Për këto jeni falur ju, në qoftë se i dëshëroni ende, flisni! Lajmëtari i të Plotëfuqishmit ju pret.
Të gjithë besuan se ai ishte njeri i çmendur, sepse ato që tha nuk kishin asnjë kuptim!
Qëndron i maskuar, poshtë flokëve ose në mëngët e gjata. Është sa një çamçakëz petë dhe nuk dallohet nga pedagogët....
Të huajt që hyjnë për një periudhë të shkurtër, si për vizita, biznes, turizëm, studim, duhet të provojnë se zotërojnë...
Lajmet 10 korrik - Ora 16 -
data/10-07-2009
Lajmet 10 korrik - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 10 korrik - Ora 13 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Komenti juaj