|
|
Një e shtunë për t'u mbajtur mend në Teatrin Kombëtar. Thomas Bernhard dhe komedia "Forca e Zakonit" ranë si një kometë në qiellin e Teatrit.
Shfaqje tepër të veçantë pamë të shtunën e kaluar në Teatrin Kombëtar: "Forca e zakonit", komedi nga Thomas Bernhard, e vënë në skenë nga regjisori austriak Christian Papke.
Hapja: një dhomë e madhe e mbushur me pluhur, me një sënduk ku flenë vegla muzikore, me një tavan të ulët, mbytës, që dukej sikur e mbanin shpatullat e fuqishme të Arben Derhemit, paraskena e mbushur me këpucë të vjetra dhe dy persona që dialogojnë para sëndukut: drejtuesi i një cirku a një orkestre dhe një zhongler.
Dialogu është i gjatë, tensionues, i vështirë për t'u ndjekur. Spektatori që kërkon një fabul, një ndodhi, mëson në rastin më të mirë: grupi i drejtuesit të cirkut do të luajë të nesërmen në Augsburg "Kuintetin e troftave".
Natyrisht që pakkush në sallë e di se ky kuintet për piano dhe harqe është një vepër e Franz Schubertit (e dëgjon këtë emër më vonë) dhe askush nuk mund të përfytyrojë nën "Kuintetin e Troftave", togfjalësh që përsëritet plot 39 herë, diçka më shumë se një peshk troftë.
Në të vërtetë kuinteti e mban këtë emër ngaqë Schuberti u frymëzua në kompozimin e tij nga poezia "Trofta" e një poeti sot krejt të harruar. Edhe më shumë se trofta shqiptohej fjala "kolofon", e cila, sikurse e mësova më pas, vjen nga emri i një qyteti antik grek ku nxirrej kjo rrëshirë e veçantë, e cila përdoret sidomos për të lyer qimet e kalit të harkut për violina, viola etj.
Kolofonin (ku është kolofoni? kërkoje kolofonin! kolofon rezervë, më bije kolofoni nga dora, kolofon në kuti smeraldi), që përmendet në pjesë 48 herë, e kishin dëgjuar dhe e njihnin me siguri vetëm ata persona muzikantë që do mund të jenë ndodhur atë mbrëmje në sallë, madje ka të ngjarë syresh vetëm instrumentistët e veglave me harqe.
Gjatë këtij dialogu midis aktorëve Vasjan Lami dhe Neritan Liçaj pashë disa herë njerëzit para meje të shikonin njëri-tjetrin, sahatin, celularin mos u kishte ardhur ndonjë sms, dikë e zuri vapa, një tjetër kolla.
Ndjesia e përgjithshme ishte: ç'po thonë këta? Më bëhej sikur spektatorët do ngriheshin të iknin njëri pas tjetrit. Mirëpo përsëri ishte diçka që ua mbante vëmendjen: ndriçimi i ngrohtë si prej shekulli 18, harmonia e objekteve në skenë, interpretimi i aktorëve që e kishin me tërë mend atë që të tjerëve u dukej absurde.
Pastaj herë-herë ndonjë mençuri nga ato që Thomas Bernhard i lëshon si shigjeta, për shembull: "Gjithmonë do gjendet njëri që shkatërron gjithçka nga pakujdesia apo nga ligësia" ose "I sëmuri dhe sakati sundojnë botën" ose "gjith'ç'ndodh, ndodh me neveri. Jeta, ekzistenca të neveritshme".
Nga pikëpamja e njeriut që s'merr vesh ç'bëhet, pjesa u shpëtua kur filloi të lëvizë e të kërcejë në skenë Mbesa e drejtuesit të cirkut (Sueda Hoxha), e sidomos kur zuri nga kolltumbat dhe akrobacitë e tjera të mrekullueshme Klouni (Elton Çefa).
Në skenë hyri lëvizja dhe ritmi, tavani dalëngadalë po ngrihej dhe frymëmarrja po çlirohej, tani edhe fëmijë po të kishte në sallë, të cilët nuk kuptonin jo më kuintet e kolofon po as Augsburg ose Nyrenberg, nuk do të kishin asnjë arsye pse të largoheshin.
Por nuk ishte vetëm puna e të pamësuarit të publikut tonë me teatrin absurd ose gjysmë-surreal, ishte edhe mosnjohja e shkrimtarit Thomas Bernhard tek ne ajo që e bëri pjesën "Forca e Zakonit" të bjerë si një kometë në qiellin e Teatrit Kombëtar. Në Austri, por jo vetëm në Austri, edhe në Gjermani, Francë etj., sapo përmend letërsinë austriake të pas viteve 60 do përmendësh Thomas Bernhard dhe Peter Handke, tani vonë edhe Elfriede Jelinek.
E më shumë se sa një klasifikim letrar, emri Bernhard lidhet me një qëndrim shumë të qartë: me ankthin njerëzor, me pesimizmin e thellë, me kotësinë e hakatjeve të njeriut përballë vdekjes ("nëse kemi ndonjë synim në jetë, ai është vdekja" ose "sa qesharake e bën gjithçka vdekja"), me përbuzjen e konvencioneve letrare, me përbuzjen e nacionalizmit, të shtetit, të ndërhyrjes së tij në jetën e shkrimtarit. Bernhardi pati dhe vazhdon të ketë në Austri namin e "folendotësit": ky është një zog i veçantë që ka për zakon të fëlliqë folenë e vet.
E pra Bernhardi, sikurse dhe Helmut Qualtinger ose Elfriede Jelinek - në mënyrë të ngjashme si Frisch e Dürrenmatt në Zvicër - janë shkrimtarët që shajnë atdheun, që "jetojnë mirë aty" dhe pastaj i nxjerrin atij namin e keq nëpër botë. Janë me famë shprehje të Bernhardit për bashkëkombasit e tij si: "austriakët janë pjella të agonisë", "Austria është një shtet katolik-nacionalsocialist" etj.
Veçse këto thënie janë të personazheve të tij, nuk mund të fajësohej autori për to dhe në këtë lajthitje ranë edhe disa protagonistë të jetës politike në Austrinë e viteve 80, si kancelarë, ministra, kryetarë bashkish, duke arritur gjithmonë efektin e kundërt, rritjen e emrit të Bernhardit. Fama e shkrimtarit dhe skandali publik arritën deri aty, saqë premiera e dramës "Sheshi i Heronjve" (sheshi ku austriakët patën brohoritur Hitlerin në mars 1938) u desh të shfaqej nën mbrojtjen e policisë.
Të gjitha këto hollësi e shumë të tjera nga jeta e këtij njeriu dhe shkrimtari kaq të veçantë nuk janë të gjitha doemos të nevojshme për publikun e teatrit shqiptar, megjithatë perceptimi i premierës së të shtunës do të kishte qenë i ndryshëm sikur asaj t'i kishin paraprirë botime nga vepra e shkrimtarit ose forma të tjetra popullarizimi.
Të njihej për shembull jeta e shkrimtarit e mbushur me trauma: fëmijë ilegjitim që nuk e njohu kurrë të atin (i vetvrarë pas gjasave, në kohën kur Thomas Bernhardi ishte 9 vjeç), nëna që e dërgoi në një internat nacional-socialist një vit më vonë, pasi u martua vetë, gjyshi shkrimtar, babai i vërtetë shpirtëror, që e la edhe ai herët; pastaj sëmundjet e shumta që nisën me tuberkulozin e mushkërive qysh në moshën 19-vjeçare e një numër sëmundjesh të tjera që e shoqëruan gjatë gjithë jetës. Vështirësitë në frymëmarrje bie fjala, ishin vendimtare në stilin e të shkruarit, në fjalitë me kate e me përsëritje të shumta.
Por këtu luajti rol të veçantë edhe lidhja e fortë e Bernhardit me muzikën, violina, njohja e thellë e muzikës klasike, sidomos e periudhës së barokut; zhvillimi e rikthimi i të njëjtave tema brenda të njëjtit tregim, së njëjtës skenë apo dhe të njëjtit paragraf lidhen pikërisht me këtë muzikë.
E këto elemente ishin karakteristike edhe në pjesën "Forca e zakonit" e cila e befasoi për mos thënë e shastisi publikun me kthimin e rikthimin e situatave kaq banale sa "kërkon kolofonin" ose "klounit i bie kësula".
Më duket e panevojshme që të kërkohen alegori ose mesazhe të mëdha prej dramës në fjalë si p.sh. metafora e diktatorit (drejtuesi i cirkut) që dhunon prej 20 vjetësh trupën e tij me një x-numër, sikurse gjen alegoritë bie fjala në dramat e Brehtit (Trusti i Lulelakrës, Mbreti i lypsarëve etj.) ose të Dürrenmattit (Franku V drejtor banke, Zonja plakë prostituta hakmarrëse), pra sikurse jemi mësuar të shikojmë në Teatrin Kombëtar. Komunikimi që zhvillon Bernhardi është i një lloji tjetër: ai është shumë i ngjashëm me muzikën, sepse rrjedh e shkumbëzon gjithë kohën, përdor temat që thamë, paralele e rikthyese, sikurse dhe kontrapunktet.
Në pjesën "Forca e zakonit", ashtu si rëndom në veprën e tij, ky komunikim riprodhon banalitetin dhe idiotësinë e komunikimit të përditshëm njerëzor.
Sidomos idiotësia/leshtësia (gjerm. Dummheit, angl. stupidity) e jetës moderne, në sferat e larta të shtetit, të kulturës, në media dhe bisedat e përditshme, është temë qendrore e Bernhardit. Ky stupiditet, që nuk duhet përkthyer kurrsesi "marrëzi", përshkonte fund e krye edhe "Forcën e zakonit".
Dhe ajo që të bën shumë përshtypje është teknika e shkrimtarit: mu në mes të një dialogu banal që flet për një ofertë nga Bordoja, për një kësulë që bie ose për një jelek të ndotur, vijnë sentenca filozofike si: "Përvoja tregon se nëse dikush zvarritet për një kohë të gjatë mbi dyshemenë e ndotur, ndotet" ose:
"Organet e të menduarit janë instrumente të ngjizjes së botës dhe organe gjinore të natyrës/ Harmoni të pjesshme, mbi to ngrihet gjithçka" ose: "Me të bërë pak emër njerëzit kërkojnë para dhe respekt/ përherë e më shumë para përherë e më shumë respekt/ Artistët kërcënojnë me artin e tyre dhe ec e mos e quaj poshtërsi këtë po deshe... Artistët e skenës por në përgjithësi gjithë artistët kërcënojnë me artin e tyre pa kurrëfarë skrupulli".
Pikërisht në këto momente njerëzit zgjoheshin, bëheshin të vëmendshëm: shkurt regjisori dhe aktorët e kishin arritur atë që deshën, duke përçuar krahas fluksit krijues, llucës së jetës të përditshme, edhe majat e mendimit të dramaturgut.
Mund të bëhet këtu objeksioni: pse duhen njohuritë paraprake për një shkrimtar? Në qoftë se pjesa dhe regjia janë të mira, ato duhet të komunikojnë me publikun. Objeksioni do të ishte i drejtë, vetëm se duhet të mbajmë parasysh prapambetjen e madhe që ka teatri ynë në veçanti dhe jeta jonë kulturore në tërësi kur i krahasojmë me simotrat e tyre europiane.
Avangardat e shekullit 20 njihen te ne fare pak dhe në mënyrë rastësore, skena e TK mund të pushtohet për muaj të tërë, duke diktuar pastaj shijen e publikut, nga një pjesë realiste e viteve '40, ku siç është shkruar në këtë gazetë një pjatë supë ka brenda supë të vërtetë dhe telefoni përdoret për të telefonuar nga njëra anë e skenës në tjetrën.
Në këtë vështrim ishte ideja më e mirë që Thomas Bernhardi zbriti në Tiranë bashkë me një regjisor austriak, besnik ndaj tekstit dhe të mençur në zgjidhjet e tij (po kujtoj vetëm zgjidhjen e goditur të tavanit që ngrihet dalëngadalë si një çlirim prej gjithë makthit të Kuintetit të Troftave, çlirim që në të vërtetë duhet të jetë vdekja), sikurse ishte nga ky vend dhe skenografi, të cilët harmonizuan pastaj pa vështirësi me koreografin Gjergj Prevazi.
Natyrisht dhe me aktorët, Vasjan Lamin në radhë të parë, i cili e luajti pjesën e tij me lehtësinë e maestros si të vinte drejt e nga Burgtheateri, por nuk binin më poshtë as Liçaj e Derhemi, për ato role që kishin, të cilët i luajtën pa kursyer asgjë nga vetja e tyre.
Një e shtunë për t'u mbajtur mend në Teatrin Kombëtar.
Qëndron i maskuar, poshtë flokëve ose në mëngët e gjata. Është sa një çamçakëz petë dhe nuk dallohet nga pedagogët....
Të huajt që hyjnë për një periudhë të shkurtër, si për vizita, biznes, turizëm, studim, duhet të provojnë se zotërojnë...
Lajmet 10 korrik - Ora 16 -
data/10-07-2009
Lajmet 10 korrik - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 10 korrik - Ora 13 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Eshte nder i madh per artdashesit shqiptar te shikojne nje veper te Thomas Bernhard.
Une per vete kam pasur rastin te shoh nje veper te tij ne " Burgtheater" ne Vjene. Gjeja qe me ra ne sy ishte, ndersa klasa aristokratike e Vjenes te krekosur ne veshje te tille te shek. 19 shijojne shampanje ne ambjentin hyres te theatrit he u duhet te ballafaqohen gjate shfaqjes me nje ironi dhe me nje percmim publik qe i ben Bernhard kesaj klase per aktivitetin e saj gjate luftes se dyte boterore.
Po te me pyesesh edhe ne ora kater te mengjesit, edhe ne jam ne gjendje gjysme komatoze, cili eshte shkrimtari i juaj i preferuar,pergjigja ime,sakaq do t'ishta:Thomas Bernhard.
Nje stil i vecante, i paimitueshem, marramendes nga perseritja e frazave si nje spirale rreth nje ideje,qe te thith me ne fund si nje dredhe... Asgje nuk i shpeton analizes se pakompromis e te mprehte, sikur te mbante nje bisturi ne dore, te shkrimtarit:politikanet, te prishur secili me shume se tjetri,mjeket me sharlatanizmin e tyre, arsimtaret me rigjiditetin e tyre qe me shume shkaterrojne sesa ndihmojne femijet,gjyqtaret me padrejtesite e tyre,artistet e shkrimtaret me etjen e tyre per para,te pasurit te pacipe, te varferit, Atdheu, kjo ide palezetshme ...te gjithe.Kur e lexon , ke pershtypjen te jesh futur ne nje ring,ku pa pushim, merr goditje sa me forta sa per te te zgjuar nga amullia, sa per te pyetur veten: qenkam edhe une, ne c'mediokritet paskam rene!
E gjithe kjo, nese ke sadopak humor te ben te qeshesh,te qeshesh me ze madje, e cfare eshte me me rendesi te Cliron, te cliron nga budallalleku qe te(na) rrethon...Shqiptaret dhe cdo njeri ka nevoje per shkronjat e Bernhardit, andaj u gezova qe teatri i tij po luhej ne Tirane...
Jam i sigurte qe ndikimi i tij do vije edhe ne letersine shqipe, siq ka rene te shkrimtari i ri Idlir Azizi, romani i fundit i te cilit" Kater ose nje film i fundit mbi komunizmin tone" (Zenit 2009), ne shume aspekte ma qon mallin e stilit e shkrimeve te Thomas Bernhard