|
|
Romani "Siddhart'ha", i nobelistit gjerman Hermann Hesse, gërmon në shpirtin e njeriut.
Vepra e Hermann Hesse-s në viset shqiptare ka mbetur pothuaj e panjohur. Në Shqipërinë diktatoriale ai mund të jetë konsideruar autor i rrezikshëm, sepse në pothuaj të gjitha romanet e tij predikon refuzimin e dogmave dhe i jep kurajë njeriut të jetë i guximshëm dhe jo-oportunist. Në Kosovë nuk di pse s'është përkthyer (përveç romanit "Nën rrotë").
Ndonjë ndalesë nga ana e sistemit jugosllav nuk ka ekzistuar; fundja në Jugosllavinë e Titos janë përkthyer romane edhe më të "rrezikshme", si "Procesi" i Kafkës.
Sidoqoftë, në kuadër të edicionit të romaneve të botuara nga "Koha Ditore" gjendet edhe romani "Siddhart'ha", i Hermann Hesse-s, nobelistit gjerman, i cili një pjesë të mirë të jetës e kaloi në Zvicër, më saktësisht në kantonin e Tiçinos, atje ku gërshetohen freskia zvicerane dhe ngrohtësia mesdhetare.
"Siddhart'ha" konsiderohet vepra më e lexuar e shekullit 20-të. Nuk ka ndonjë shifër të saktë mbi tirazhin e veprës në mbarë botën.
Supozohet të jetë mbi 100 milionë copë. Sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Japoni Hesse është autor i masave të gjera. Në vitet '60-të "Siddhart'ha" u shndërrua në libër kult të gjeneratës së hipive, e cila notonte kundër rrymës, luftonte konservatorizmin shoqëror dhe përbuzte luftën në Vietnam.
Suksesi i veprës së Hesse-s mund të shpjegohet lehtë: pas dy luftërave botërore njerëzit kërkonin orientim dhe këtë e gjetën në romanet e Hesse-s, si "Siddhart'ha" dhe "Ujku i stepës".
Duke kërkuar vetveten
"Siddhart'ha" është një rrëfim me elemente të filozofisë indiane dhe për herë të parë u botua në vitin 1922. Hesse përshkruan rrugëtimin e brahmanit të ri, Siddhart'ha dhe mikut të tij, Govinda.
Duke kërkuar atmanin, vetveten e përkryer, brahmani shndërrohet në saman - domethënë në një asket dhe lypës. Në këtë rrugë atë e ndjek edhe Govinda. Më vonë Siddhart'ha vëren se jeta si saman nuk do ta shpjerë atë në cak. Bashkë me Govindën ai udhëton te Gotama, një Budë i njohur.
Pasi nuk mund ta pranojë predikimin e tij për jetën, Siddhart'ha niset në një udhëtim të gjatë, duke e braktisur Govindën. Siddhart'ha bëhet tregtar për të përballuar shpenzimet për shërbimet e kurtizanes Kamala, e cila i mëson atij artin e dashurisë, ndërkohë që pasaniku i madh, Kamasvami, e ndihmon të bëhet i pasur dhe i pushtetshëm.
Pas disa viteve, Siddhart'ha ndihet i lodhur nga jeta dhe i zbrazur në shpirt.
Ai braktis Kamalën dhe gjen prehje te trapari Vasudeva. Nga zërat e lumit, Siddhart'ha kupton fshehtësinë e metamorfozës së përjetshme, dallon harmoninë dhe tërësinë që buron nga shumëllojshmëria.
Këtu heroi i romanit arrin përsosmërinë. Këtu Siddhart'ha takon përsëri Kamalën. Me vete ajo ka një fëmijë, i cili është pagëzuar me emrin e të atit, Siddhart'ha. Kamala vdes pranë lumit, Siddhart'ha (prindi) kujdeset për fëmijën.
Pas mospajtimeve, djaloshi ndahet nga i ati. Në vendin ku është takuar për herë të parë me Kamalën, Siddhart'ha bindet se duhet të heqë dorë nga fëmija për të ndjekur rrugën e tij. Më vonë kjo ndarje ia vret ndërgjegjen dhe ai fillon t'i rrëfehet traparit Vasudeva.
Në gjithë këtë konflikt reflektohet jeta e Siddhart'ha-s si fëmijë, si i ri dhe si plak.
Në tablonë e fundit, Hesse i takon edhe njëherë shokët e dikurshëm: Siddhart'ha dhe Govinda, të përsosurin dhe kërkuesin. Në ditarin e tij Hesse shkruan se ky roman ishte rezultat i studimit intensiv, mbi 20-vjeçar, të Indisë nga ana e tij.
Për lexuesit, ndoshta është me rëndësi të shpjegohen edhe aludimet në tekst: Kamala është sinonim i Perëndisë indiane të dashurisë, Kamasvami është Kama, Perëndia e dëshirave, i cili Siddhart'ha-s ia plotëson të gjitha dëshirat materiale. Interesimi i Hesse-s për kulturën indiane buron nga shtëpia e prindërve: i ati i tij kishte qenë misionar në Indi.
Ose shkrimtar, ose asgjë!
Hermann Hesse u lind më 2 korrik 1877 në Calë të landit Baden-Württemberg (Gjermani). Që në moshë të re ai kishte shpallur moton e tij jetësore: "Ose shkrimtar, ose asgjë tjetër," - ndonëse prindërit dëshironin që ai të bëhej prift. Hesse iku nga një manastir evangjelist dhe punoi librar në Bazel të Zvicrës.
Pas suksesit me romanin e parë "Peter Camenzind", ai u martua dhe u shpërngul afër Liqenit të Konstancës. Në vitin 1911 Hesse ndërmori një udhëtim nëpër Indi. Vdekja e të atit dhe sëmundja e skizofrenisë e gruas së tij i shkaktuan Hesse-s një krizë të rëndë nervore.
Për pasojë ai iu nënshtrua trajtimit psikoterapeutik. Në pranverë të vitit 1919 Hesse u shpërngul në Montagnola, pranë Liqenit të Luganos në Zvicër. Në vitet vijuese, në këtë lokalitet piktoresk, Hesse shkroi pjesën më të madhe të veprave.
Famën botërore e fitoi me romanin "Ujku i stepës", në të cilin paraqet konfliktin e brendshëm të njeriut modern. Harry Haller, heroi i romanit, në të vërtetë është vetë Hermann Hesse, i cili nuk mund të përcaktohet mes botës mendore dhe asaj qytetare.
Hesse është padyshim njëri prej shkrimtarëve më të nderuar me çmime. Në vitin 1946 ai mori çmimin "Goethe" të qytetit të Frankfurtit dhe çmimin "Nobel" për letërsi. Më vonë pasuan mirënjohje nga Gjermania (Hesse nga viti 1921 ishte shtetas zviceran) dhe nga Franca.
Qyteti i tij i lindjes, Calëi, e shpalli qytetar nderi, ashtu siç vepruan edhe autoritetet e komunës Montagnola në Tiçino, në vitin 1962. Pak ditë pas datëlindjes së tij të 85-të, Hesse vdiq më 9 gusht 1962 në Montagnola.
Më 2 korrik 1997, komuna e Montagnolës hapi një rrugë shtegtimi të quajtur "Nëpër gjurmët e Hermann Hesse-s", e cila është e pajisur me tetë tabela në gjermanisht, italisht dhe anglisht, me citate të shkrimtarit.
Etapa e fundit e rrugës të shpie nëpër një mal dhe përfundon te varrezat S. Abbondio. Këtu gjendet varri i thjeshtë i Hermann Hesse-s. Muzeu lokal i Montagnolës organizon në kantonin e Tiçinos udhëtime në vendet, të cilat Hesse i ka vizituar dhe i ka pikturuar.
Specialistët e mjedisit ngritën dje sërish shqetësimin për parametrat jo të mirë ujorë që ka ujëmbledhësi i Bovillës. Ata pranuan...
Një operacion i rrallë i kryer nga mjekët e QSUT-së, ka sjellë një pamje të re për 18-vjeçaren. Mjekët: "Ishte...
Lajmet 17 korrik - Ora 11 -
data/17-07-2009
Lajmet 17 korrik - Ora 10 -
data/30-08-2008
Lajmet 17 korrik - Ora 09 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Komenti juaj