|
|
Dhjetë vjet punë për të përgatitur botimin e dytë të përpunuar të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar
U hodh dje në qarkullim Fjalor Enciklopedik Shqiptar në dy vëllime, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Dhjetë vjet për këtë vepër, e cila vjen pas botimit të parë të fjalorit të vitit 1985. Prezantimi zyrtar është bërë dje në Akademi nga kryeredaktori i projektit, Prof. dr.
Emil Lafe, të cilit iu besua kjo punë në fund të vitit 1999. Ai e pat menduar si një repart riparimesh e shërbimesh me 4 persona - që do të rishihnin veprën e '85-ës - atë që do të duhej të ishte një kantier ndërtimi i vërtetë. Në këtë mënyrë metaforike, Lafe e ka parë të arsyeshme të shpjegojë vonesën e kësaj detyre mbi normën e lejuar.
Shefi i Redaksisë së Enciklopedisë, ka organizuar punën e mbi 1000 specialistëve, të cilët kanë punuar për hartimin e 7200 zërave, pra mbi 2000 zëra më shumë se fjalori i parë akademik i vitit 1985. Të dy vëllimet, me tirazh 3500 kopje, përbëjnë një histori të botës shqiptare, të zhvillimeve të saj dhe të dukurive të reja brenda saj dhe në trojet etnike, diasporën e vjetër dhe të re. E gjitha e përmbledhur në 3000 faqe.
Në një prononcim për "Shekulli"-n, pak kohë më parë, Prof. Lafe pohonte se ka pasur përpjekje për të ruajtur një model në ndërtimin e një zëri duke mbajtur parasysh: dhënien e figurave dhe ngjarjeve pa qëndrime emocionale, në mënyrë jo subjektive, dhe rishikimi në themel i atyre zërave që ishin zbukuruar për hir të demagogjisë dhe politizimit të 45 viteve; është hequr frazeologjia emocionale politike e kohës.
Të njëjtën gjë ai pohoi edhe dje. Fjalori enciklopedik shqiptar pasqyron historinë e kombit shqiptar në tërësi dhe të trevave të tij etnike, që nga lashtësia deri në vitet nëntëdhjetë.
Më gjerësisht janë trajtuar zërat që nga pavarësia e Shqipërisë dhe shpallja e saj shtet, më 28 Nëntor 1912, duke përfshirë fushat e arkeologjisë; historisë së lashtë, mesjetës, rilindjes, bashkëkohësisë; fushën e historisë së ushtrisë; e kulturës popullore; e letërsisë nën drejtimin e Prof. Jorgo Bulos; e gjuhësisë, e drejtuar nga Prof. Seit Mansaku; fusha e artit dhe e kulturës, e drejtuar nga Prof. Ferit Hudhri dhe Prof. Josif Papagjoni; e gjeografisë, e drejtuar nga Prof. Arqile Bërxholi dhe Prof. Farudin Krutaj; e arsimit, e drejtuar nga i ndjeri akad.
Bedri Dedja; e shtypit, e drejtuar nga Prof. as. Bashkim Gjergji; e sociologjisë dhe e filozofisë, nën drejtimin e Zija Xholit, e kështu me radhë zërat e fushave të tjera të ekonomisë, industrisë, ndërtimit e komunikacionit, të bujqësisë, të mjekësisë, kimisë.
Ka pasur edhe një këshill botues për këtë vepër, i përbërë nga akad. Ylli Popa (kryetar), Prof. Arqile Bërxholi, akad. Jorgo Bulo, Prof. Emil Lafe, akad. Luan Omari, akad. Kristaq Prifti, akad. Eduard Sulstarova.
"Jemi të vetëdijshëm se kjo vepër e realizuar në një kohë të cilësuar si periudhë tranzicioni, pasqyron aty-këtu dritëhijet e kësaj periudhe. Por ato do të përmirësohen në një botim tjetër jo aq të largët. Unë e përshëndes idenë e shprehur nga kryetari i ASHSH-së, akad.
Gudar Beqiraj, se veprimtaria enciklopedike do të jetë një fushë pune e përhershme e Akademisë së Shkencave", - tha dje Lafe. Dhe shtoi se kjo është "një vepër që na bën ta njohim më mirë dhe ta duam më shumë atdheun tonë, historinë dhe kulturën tonë, veten tonë."
Megjithatë, është herët për një vështrim kritik të veprës, nëse do të ketë ndonjëherë artikuj kritikë ndaj asaj, që kryeredaktori Lafe e cilësoi ngjarje e shënuar në jetën shkencore të vendit tonë, por edhe të shkencës e të kulturës shqiptare në tërësi; fryt i një pune të gjatë kolektive; arritje e rëndësishme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; dëshmi domethënëse e rolit të saj drejtues e organizues në veprimtarinë kërkimore-shkencore të vendit, të përgjegjësisë së saj shkencore kombëtare, të pavarësisë së kërkimit shkencor në kohën tonë dhe njëkohësisht, një dëshmi të aftësisë së kapaciteteve intelektuale, që janë formuar në strukturat e saj.
Sa e shënuar është kjo ngjarje në jetën shkencore të vendit, por edhe të shkencës e të kulturës në tërësi, sa i pjekur është ky fryt kolektiv; sa e rëndësishme dhe sa arritje e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; sa domethënëse dëshmia e rolit të saj drejtues e organizues në veprimtarinë kërkimore-shkencore të vendit, të përgjegjësisë së saj shkencore kombëtare dhe sa pavarësi intelektuale dhe aftësi e kapaciteteve intelektuale që janë formuar në strukturat e Akademisë së Shkencave, të gjitha merita, që është mirë që autorëve t'u njihen prej të tjerëve jo prej vetvetes.
Shekspiri në 12 variante
Vepra e dramaturgut anglez, Uilliam Shekspir (1564-1616), do të jetë për tri net në skena të ndryshme të Tiranës.
Janë studentët e vitit të tretë për regji në Fakultetin e Artit Dramatik, të cilët japin provimin e fundit të vitit akademik, për regji dhe mjeshtri aktori, me 12 fragmente nga 12 pjesë të këtij autori bazë të letërsisë dhe dramaturgjisë botërore. Shekspiri nuk është zgjedhje e tyre apo e pedagogëve që i drejtojnë Milto Kutali dhe Alert Çeloaliaj, por pjesë e programit universitar.
Në vitet paraardhës, studentët kanë ngjitur në skenë pjesë të dramaturgjisë antike greke. Këtë herë është një kolazh me fragmente nga vepra Uilliam Shekspir, të cilat do të luhen në skenën e "Black Box", në hollin e Akademisë së Arteve dhe në Teatrin e Metropolit.
Nesër, në orën 20:00, në skenën e Teatrit të Metropolit, është studentja Xheni Demi që shfaq një pjesë nga komedia "Ëndrra e një nate vere". Ndërsa të hënën, në orën 21:00, në hollin Akademisë së Arteve, studentja Orjana Cama prezanton skenën e intrigës në tragjedinë "Otello". Të njëjtën vepër ka zgjedhur edhe studenti Ervin Çela. Në të njëjtën orë, në "Black Box", ai prezanton skenën e vrasjes po nga "Otello".
Edhe studentët e tjerë të regjisë prezantojnë punën e tyre në "Black Box", me pjesë të zgjedhura nga veprat "Romeo dhe Xhulieta", "Makbethi", "Rikardi III", "Nata e dymbëdhjetë", "Shumë zhurmë për asgjë", "Hamleti", "Titus" dhe "Si ta doni".
Sipas studentes Oriana Cama, pjesët që kanë përzgjedhur studentët nuk do të lidhen në mënyrë logjike me njëra-tjetrën. Ajo shton se midis fragmenteve do të ketë pushim për të ndërruar skenat, të cilat bashkë me kostumet janë realizuar nga vetë studentët.
Ky është edhe provimi përfundimtar për studentë të vitit të tretë të fakultetit dramatik, ndërkohë që viti i katërt mbrojti diplomën pak ditë më parë me veprën "Rrethi. Tundimi për të qenë i mirë" (Der Kaukasische Kreidekreis) i dramaturgut gjerman Bertolt Brecht (1898-1956).
Studentët e vitit të fundit aktrim sollën nën regjinë e Altin Bashës një vepër, e cila nuk është ngjitur ndonjëherë as në skenën e Teatrit Kombëtar. Një rrëfim se si një vajzë nuk i bën dot ballë tundimit për të shpëtuar një foshnjë, duke rrezikuar edhe jetën e saj.
Recital kushtuar kompozitorit në 10-vjetorin e vdekjes
Për Gjon Simonin
Orkestra Simfonike e RTSH-së përkujton kompozitorin Gjon Simoni (1936-1999) në 10-vjetorin e vdekjes, ditën e enjte, në orën 20:30, në hollin Radio Tiranës, që mban emrin e tij.
Orkestra e RTSH-së dhe sopranoja Mimoza Kosturi ekzekutojnë pjesë të krijuara dhe të përpunuar prej tij, si "Ave Maria", "Dua më shumë Shqipërinë", "Romancë Perse" me tekst të Ane Sori (Francë), "Fryn Veriu, Popullore e përpunuar", me tekst të Poradecit, "Më jep ujë me dorën tënde", "Lule Bore" etj., të përpunuara nga Gjon Simoni si dhe "Simfonietta".
Gjon Simoni cilësohet si krijuesi i shkollës moderne të orkestracionit shqiptar dhe një nga shtyllat e krijimit të muzikës së lehtë. Nderohet me çmimin "Artist i Merituar" në vitin 1999, vit në të cilin ndahet edhe nga jeta.
Qëndron i maskuar, poshtë flokëve ose në mëngët e gjata. Është sa një çamçakëz petë dhe nuk dallohet nga pedagogët....
Të huajt që hyjnë për një periudhë të shkurtër, si për vizita, biznes, turizëm, studim, duhet të provojnë se zotërojnë...
Lajmet 10 korrik - Ora 16 -
data/10-07-2009
Lajmet 10 korrik - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 10 korrik - Ora 13 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
te lexosh artikuj te k'till eshte me te vrtet bukur, tashme edhe ne kemi nje eciklopedi reale.
Ju lumtë akademikë! Të lumtë Akademi! Ky është një lajm i mirë, i gëzuar dhe shpresojmë se do të na gëzoni me vepra të tjera, jashtë politikës së ditës, por të ndriçoni të shkuarën e largët, të djeshmen jo të largët dhe të sotmen pa anime. Kjo është shkenca që na nevojitet.
Rrofshi!
Me vjen shume mire qe pas shume koohe, e kemi edhe ne nje Enciklopedi. Popujt tjere kishin shume me heret, megjithate kam kenaqesine qe e degjoj kete LAJM
Se pari dua tju pergezoj si gazete pasi ne asnje tjeter per mbi dhjet vjet nuk mund te gjej informacion kaq te pasur per kulturen dhe trashegimine shqiptare.Rubrika juaj eshte e pasur dhe plot dashuri per Shqiperine.Shkrimin per botimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar e lexova dhe me shtyn qe te shkoj ta blej.Ne bibloteken time te shtepise une kam botimin e vitit 1985 per te cilin mund te them me keqardhje se nuk u ka hyre ne pune femijve te mi ne shkolle deri me sot.Nuk dua ti bej komente Fjalorit te vitit 1985 as te diskutoj punen e akademikeve te asaj kohe por i detyruar me duhet te them se me shum vend ze nje antar i byros politike i PPSH se sa nje personalitet kombetar,kjo edhe per ata qe pranonte sistemi.Besoj se mund te perfaqsohemi me dinjitoze edhe tek kombet te tjere me Fjalorin e ri.
Me respekt per ju.
Edi,Vlore.