|
|
24 orët e fundit para mitingut përmbyllës të fushatës së opozitës së majtë, ishin fundi i duhur për t'i vënë notën sjelljes autokratike të pushtetit, që ka instaluar në Shqipëri Kryeministri Berisha.
Dërgimi i qindra policive të të gjitha reparteve, sjellja harbute ndaj punëtorëve dhe përfaqësuesve politikë të opozitës, vetëprangosja idiote e një polici poshtë kamionit të ngarkuar me logjistikë, dhe, më në fund, lirimi i shëtitores publike prej levave të pushtetit, ishin vula e kësaj fushate zgjedhore të gjatë dhe të mundimshme për opozitën, por edhe vula e kësaj qeverie që po afrohet në deadline-n e pushtetit fisnor që ka mbjellë.
Ky spektakël diktatorial ndodhi, për fat të keq, në qendër të Tiranës, para zyrave të Kryeministrisë, nën vështrimin tinëzar të shefit të qeverisë, fshehur pas perdeve të dritares.
Ky njeri mori një pushtet të pamerituar katër vite më parë. Dhe, me sa duket, do na e provojë deri minutën e fundit këtë gjë, madje edhe nën sytë e gjithë botës, që ka sjellë vëzhgues më shumë se kurdoherë në zgjedhjet që duhet të ishin më të qetat, më të lirat dhe më demokratiket.
Ajo që ndodhi në bulevardin e Tiranës ishte shumatorja e asaj fushate të egër, armiqësore, të shoqëruar me akte dhune dhe vandalizëm shtetëror; një fushate ku u përdor në mënyrën më të pacipë dhe agresive makineria qeveritare dhe miliardat e taksapaguesve shqiptarë.
Nisi diku në provinca dhe fshatra të humbur me grisje posterash dhe djegie flamujsh të partive të opozitës dhe përfundoi në mënyrë të turpshme me dirigjimin e një maskarade skelash, që ndërtonin dekorin e festës së fitores të së majtës.
Njësoj si në atë rrëfimin e famshëm, Kryeministri është lakuriq. Duartrokitjet e trukuara nuk na bëjnë dot të harrojmë as atë Berishën e parë të pas vitit '92, që sundoi si udhëheqësi më autokrat i një vendi të ish-Lindjes Komuniste dhe që instaloi, ndryshe nga shumë vende të tjera ish-socialiste, një regjim hibrid; de jure, demokraci parlamentare dhe de facto, një regjim monist, ku vendin e dikurshëm të PPSH-së e kish zënë PDSH-ja (ironikisht, partia e parë opozitare ndaj komunizmit në dhjetor '90-të).
Bota mbarë, ashtu si zgjedhësit shqiptarë, ishin pardje dhe dje dëshmitarë të atij regresi politik dhe demokratik që ka pësuar vendi në këto vite të risundimit të autokratit.
Shqipëria po ndryshon, dhe, kjo, falë shqiptarëve që po e paguajnë më shtrenjtë se asnjë komb tjetër tranzicionin pafund drejt një shteti demokratik dhe modern.
Por, Berisha nuk ka ndryshuar. 13 vite më parë, nga zyra e tij presidenciale, Berisha urdhëronte vjedhjen e zgjedhjeve të 26 majit dhe dy ditë më pas, dhunimin fizik të opozitës në sheshin "Skënderbej".
Dje, në vend të policëve të Agim Shehut ishin policë të tjerë, po sërish të nënshtruar ndaj urdhrave verbalë të zyrës kryeministrore. Policia e Shtetit, ashtu si gjatë gjithë kësaj fushate, dje nuk e kaloi testin, atë test që me shumë mund dhe përpjekje ishte kaluar në zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005 dhe zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007.
Policia e Shtetit e lejoi veten të shndërrohet në polici të pushtetit.
E la veten të ribëhet vegël në duart e një të sëmuri, që, gjithsesi, nuk do mundet të ndalë ndryshimin që kërkojnë shumica e shqiptarëve. Dje, ai pati kurajën të përsëritë reminishencat e një pushteti diktatorial, të një partie-shtet, që kërkon ta mbajë peng këtë vend edhe për një mandat tjetër.
Simbolika e vendit që gjeti opozita për të organizuar mitingun përmbyllës është e qëlluar. Shumë afër selisë, nga ku për katër vjet u projektua dhe zbatua strategjia e nëpërkëmbjes së dinjitetit të një shoqërie që po e risheh veten si në dhjetor '90-të, përpara nevojës urgjente për ndryshim; shumë afër vendit ku një Kryeministër dhe klani i tij, është në grahmat e fundit të një pushteti abuziv, që nuk u ngrit për të mirën e përbashkët, por për një grusht njerëzish, të cilët kanë kurajën të na kërkojnë të çojmë dëm edhe 4 vjet të jetës sonë.
"Ndihmoni nënën time të shpëtojë nga krizat. Mjekët kërkojnë vetëm...
Temperaturë të lartë, këputje trupore dhe diarre: këto janë disa...
Lajmet 10 korrik - Ora 16 -
data/10-07-2009
Lajmet 10 korrik - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 10 korrik - Ora 13 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Komenti juaj