|
|
Festivali Ndërkombëtar i Teatrit, në dhjetëvjetorin e tij sjell në Shqipëri pesë trupa të huaj. Për herë të parë vjen teatri turk. Shqiptarët, përsëri problematikë. Asnjë trupë. Bualoti: Vitin tjetër do të ketë çmime
Datëlindja e 10-të e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit "Butrinti 2000", nuk do të jetë një datëlindje kushedi çfarë për një jubile. Nuk do të ketë të ftuar specialë apo gjëra të ngjashme në këtë lloj apo të papritura të këndshme. Këtë e bën të ditur drejtori i këtij festivali, Alfred Bualoti, i cili thotë se programi i këtij edicioni nuk do të jetë ndryshe nga ai i viteve të mëparshme.
Festivali nis mbrëmjen e 11 korrikut, në orën 21:00, me interpretimin e grupit muzikor "Imperial Quintet", nën drejtimin e kompozitorit shqiptar Vladimir Kotani.
Nata e dytë ngjit në skenë trupën teatrore "Koreja". Aktorët italianë sjellin në skenë e Butrintit një version të tragjedisë "Trojanet", të Euripidit.
Pjesa e quajtur "Pasioni i grave të Trojës", me regji të Salvatore Tramacere-s, është përpjekur, sipas Bualotit, t'i sjellë trojanet në ditët e sotme. Trupa që vjen nga qyteti i Leçes, ka në mes saj edhe artistin shqiptar Admir Shkurtaj, i cili shoqëron aktorët në fizarmonikë.
Në natën e tretë festivali prezanton një teatër grek, që pothuajse në asnjë edicion nuk i ka munguar Butrintit. Është trupa nga Athina, "Politistiko Somateio Roes". Zgjedhja e regjisores Sofia Spyratou, i përket tragjedisë antike greke, njërës prej veprave më të kërkuara edhe nga teatri kontemporan. Është tragjedia e "Elektrës" së Sofokliut, në stilin e një dance theatre-i.
E vetmja trupë që flet shqip në këtë festival - si gjithmonë probleme me përfaqësimin e teatrit shqiptar nga Shqipëria - është trupa nga Kosova. Më saktësisht, bashkëpunimi mes teatrove "Dodona" dhe "Sythi". Është regjisori Fadil Hysaj ai që ka bashkuar artistët e të dy trupave në tragjedinë "Fedra", të dramaturgut francez Jean Racine.
Sipas Bualotit, kjo është e vetmja shfaqje që flet shqip në këtë edicion të 10-të të Festivalit të Butrintit dhe që, në njëfarë mase, mund të konsiderohet edhe si përfaqësuesja e teatrit shqiptar.
"Nuk e gjykuam të arsyeshme praninë e një trupe teatrore shqiptare (TK apo lokale), sepse asnjë nga shfaqjet e vitit të kaluar nuk i përmbush parametrat e festivalit dhe të skenës së Butrintit", - thotë Bualoti. Ai përmend praninë e "Trojaneve" të vjetshme, produksioni i Teatrit Kombëtar si një pjesë që i përshtatej skenës së teatrit antik të Butrintit.
Për herë të parë në Shqipëri, në kuadër të këtij festivali, vjen një trupë nga Turqia. Është Teatri i Qytetit të Izmirit, i cili prezantohet me pjesën "Dervishi dhe vdekja". Regjisori Narullah Tuncer sjell një dramatizim të romanit me të njëjtin titull të autorit boshnjak, Mesa Selimovic, i sapopërkthyer në shqipe nga gazetari Ben Andoni, (gati gjysmë shekulli pas botimit të parë).
Festivalin e mbyll bashkëpunimi franko-rumun, "Kënga e këngëve", një pjesë që ka për autore dhe regjisore rumunen Catalina Buzoianu. Bualoti thotë se "Kënga..." fut në skenë një orkestër që do të shoqërojë me muzikë drejtpërdrejt aktorët.
Problemi i gjuhës është zgjidhur nëpërmjet titrave për çdo shfaqje. Drejtori i festivalit siguron se përkthimi do të jetë në lartësinë e duhur.
Bualoti thotë se ky edicion është shumë i varfër për të qenë një jubile, për shkak të financave të reduktuara që i ka akorduar Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve.
"Mungesa e financimeve na ka kushtëzuar për shumë gjëra. Madje, nuk kemi përfshirë në festival edhe disa vepra të rëndësishme të dramaturgjisë botërore, si "Rikardi III" të teatrit rumun "Bulandra", "Makbethin" bullgar dhe "Trojanet" e Sarajevës". Sipas tij, shifra prej 6 milionë lekë (të rinj), që i ka akordua Ministria për të dytin vit radhazi, është e pamjaftueshme për të realizuar një festival të tillë ndërkombëtar.
Qysh kur është krijuar në vitin 2000, si një produksion privat i Qendrës Kombëtare të Teatrit Mesdhetar, ky festival ka pasur përherë mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.
Në këto dhjetë vite nuk kanë munguar as rastet kur ky festival është financuar plotësisht nga Ministria me shifra që shkojnë mbi 10 milionë lekë. Një vlerë që nuk të lë indiferent as sot për mënyrën se si ka funksionuar mbështetja nga Ministria e Kulturës e projekteve kulturore si sipërmarrje private.
Katalogu i festivalit do të pasqyrojë edicionet e mëparshme me historikun e pjesëmarrjes së trupave dhe fotografitë e performancave të tyre në skenën antike, në 180 faqe gjithsej.
Megjithatë, sipas Bualotit, festivali do të vazhdojë të ecë përpara edhe me këto financa të vogla. Madje shton se, vitin e ardhshëm, "Festivali i Butrintit", për herë të parë në historinë e tij mund të shpërndajë çmime. "Bëhet fjalë për dy çmime, të cilët nuk kërkojnë prezencën e një jurie ndërkombëtare dhe që nuk kanë një kosto të lartë. 'Çmimi i publikut dhe Çmimi i Kritikës'",- përfundon ai.
Impresionizëm në Muzeun Kombëtar
Piktori, Dhimitër Prifti, çel në Muzeun Kombëtar një ekspozitë vetjake. Punët e tij do të qëndrojnë në muze 5-15 korrik.
Piktori nga qyteti i Fierit, prej vitesh punon dhe jeton në Kanada, ku drejton edhe galerinë e arteve "Galaxy Fine Art". Ai cilësohet si një piktor impresionist, i cili krijon kryesisht në dy teknika: në vaj dhe në akrilik.
Qëndron i maskuar, poshtë flokëve ose në mëngët e gjata. Është sa një çamçakëz petë dhe nuk dallohet nga pedagogët....
Të huajt që hyjnë për një periudhë të shkurtër, si për vizita, biznes, turizëm, studim, duhet të provojnë se zotërojnë...
Lajmet 10 korrik - Ora 16 -
data/10-07-2009
Lajmet 10 korrik - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 10 korrik - Ora 13 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Komenti juaj