|
|
Një poemë e Jean Genet-it, një dashuri e kohës së leximeve të rinisë, e hedh në skenë pas 16 vjetësh, solo, koreografin dhe balerinin me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj
Koreografi dhe balerini francez me origjinë shqiptare, Angelin Preljocaj, kërcen baletin "Akrobati" (Un funambule) shkruar nga Jean Genet (Zhan Zhënet 1910-1986). Ka interpretuar në Opera Comedie javës që shkoi, në kuadrin e Festivalit të Baletit në Monpelje, në jug në Francës.
Është një këngë dashurie e shkruar për një akrobat me fat tragjik, një tekst ku përsiatet për dashurinë, vdekjen dhe krijimin, të cilin Zhëneti ia kushtoi këtij njeriu, me të cilin ra në dashuri dhe që u vetëvra, duke ia lënduar keqazi shpirtin.
Kjo poemë që i përket kohës së leximeve të rinisë së Preljocajt, e ka kthyer koreografin në skenë në moshën 52-vjeçare për një solo 1 orë e 15', një spektakël që u shfaq 22-24 qershor në edicionin e 29-të Festivalit të Dancit në Monpelje, për të cilin vazhdon të flitet dhe të shkruhet jo vetëm në shtypin francez, por edhe atë amerikan.
"Akrobati" pati premierë në këtë festival ku morën pjesë 28 koreografë nga 10 vende të botës, të cilët kanë prezantuar 16 premiera botërore përballë 30.000 spektatorëve që të jenë aty deri më 4 korrik.
Preljocaj është konsideruar një e papritur e festivalit jo vetëm për shfaqjen e tij individuale, porse sapo bie perdja pas veprës së tij të fundit, gjithmonë do të ketë komente nga kritika, e cila ndalet dhe thotë se çfarë solli të re ky artist. Pse kjo vëmendje? Sepse Preljocaj kërkon në arte dhe nivele të tjera, ku baleti mund të përshtatet befasisht mirë.
Tek arti primitiv, letërsia orale, tek përrallat si "Borëbardha" (një nga koreografitë e tij të fundit) dhe legjendat që vijnë nga vendi i tij i origjinës si në rastin e "Dasmës". Po ashtu, kërkimi i tij shtyhet thellë në muzikë, duke sjellë nga ato thellësi elementë folklorikë dhe klasikë, aliazhe nga Ballkani dhe nga muzika kulte, nga Stravinski dhe Viladi ("Katër stinët").
Ky rishikim atletik është ndalur kësaj radhe tek kjo lirikë e shkruar gjysmë shekulli përpara. "Një tekst që të jep përshtypjen se po ecën përpara i zhveshur në një fushë beteje", - thotë koreografi, drejtor i Qendrës Kombëtare Koreografike i Aix en Provence. Ky koreograf, po t'i referohemi artikullit të dy ditëve më parë në "Los Angeles Times", me titull "Letër nga Monpeljeja, parajsa e një dashnori baleti", së fundi, së bashku me Ballet Preljocaj ka lënë pa mend spektatorët e UCLA's Royce Hall, me veprën "Borëbardha".
Por ishte hera e parë pas kaq shumë vitesh që Preljocaj shfaqet dhe shfaqet vetëm, një akt që mund të krahasohet me rrezikun në një tel akrobati.
Duke treguar për realizmin e "Akrobatit", koreografi kujton kohën kur studionte balet në Schola Cantorum, me Karine Waehner-in. Atëherë e kishte zakon ta lexonte dhe rilexonte këtë këngë dashurie kushtuar akrobatit Abdallah, lirikë që ai quan ekuivalente me "Letra një poeti të ri", të Rainer Maria Rilkes.
Në fakt, Zhëneti e ka shkruar këtë poemë më 1958-ën, kur vinte nga një periudhë fertile në krijimtarinë e tij poetike dhe dramaturgjike dhe shkonte drejt një rënieje shpirtërore e mendore, duke iu kërcënuar vetes me vetëvrasje.
Kështu, në vitin 1949, ky shkrimtar, ndër pak autorët kontroversalë solidë francezë të shekullit të njëzetë, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kishte përfunduar disa vepra, ndër të cilat drama dhe poema, ku në mënyrë të hapur trajtonte temën e homoseksualitetit dhe të kriminalitetit.
Pikërisht për këtë, më 1950, vepra e tij u ndalua në SHBA. Është koha kur Zhan Pol Satri i kushton një analizë të gjatë origjinës së tij si endacak dhe lindjes tek ai i një shkrimtari.
"Saint Genet" (1952) (Shenjtori Zhënet) titullohej, por që aq do ta prekte Zhënetin kjo analizë - Sartri ishte për të njëfarë kohe shok armësh, si aktivistë - sa nuk do të shkruante për pesë vitet e ardhshme.
Gjatë kësaj kohe ai dashurohet me akrobatin Abdallah. Pas një sërë aksidentesh dhe vetëvrasjes së Abdallahut më 1964-ën, Zhëneti bie në depresion, madje tenton të vrasë veten.
Këtë vepër poetike me këtë origjinë, Preljocaj e njeh mirë përmendësh, dhe vargje të saj ai reciton ndërsa kërcen në skenë.
Mediat franceze shkruajnë për "monologun e kërcyer të Angelin Preljocajt", (Le Monde) në atmosferën që krijon muzika e Çajkovskit dhe e Eliot Goldentalit. Këtë herë ai ka pasur mbështetjen e një partnereje të re, kostumografes dhe skenografes, Constance Guisset. I veshur me bluzë të bardhë dhe pantallona bezhë, ai lexon ndonjëherë tekstin e poemës.
Ai nuk i drejtohet ballazi publikut, flet në profil me një bashkëbisedues fiktiv, i ndodhur pas perdeve. Në premierë, publiku i Opera Comedie e ka ndjekur fillimisht në heshtje të thellë dhe në fund ka shpërthyer në duartrokitje.
Preljocaj e kishte zgjedhur këtë tekst jo vetëm ngaqë ngrihej prej rinisë së tij të hershme si një imazh ngushëllues, porse ai mendon që ky tekst "fiton një shkëlqim të habitshëm kur e sjell si duhet në balet".
E thënë ndryshe, sipas tij, gjithë qëllimi është që "ta mbërthesh tekstin pas vetes dhe të mishërosh fjalët. Në këtë kuptim, ka një ngjashmëri me veprimin konkret të solos: nëse bën një hap të gabuar, rrëzohesh!" Më tej koreografi shton: "Jam 52 vjeç, u bë kohë që nuk jam ngjitur në skenë, dhe në çdo shfaqje, s'më pritet.
Ideja që po kthehem në skenë më shkakton një lloj sëmbimi në zemër dhe në bark, është një dëshirë e habitshme...sado që dhe mbi të gjitha, kur më duhet të eci përpara i vetëm në zbrazëtirë."
Me "Akrobatin" ai do të kthehet sërish në shtator në Théâtre des Abbesses në Paris. Ndërkohë që trupa e tij kërcen sonte "Borëbardhën" në Château de Versailles.
Foto Getty Images
Qëndron i maskuar, poshtë flokëve ose në mëngët e gjata. Është sa një çamçakëz petë dhe nuk dallohet nga pedagogët....
Të huajt që hyjnë për një periudhë të shkurtër, si për vizita, biznes, turizëm, studim, duhet të provojnë se zotërojnë...
Lajmet 10 korrik - Ora 16 -
data/10-07-2009
Lajmet 10 korrik - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 10 korrik - Ora 13 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Komenti juaj