|
|
Botohen postmortum kujtimet e regjisorit Viktor Gjika. Në "Vit pas viti", regjisori rrëfen momentet që i kanë ngelur në kujtesë në më shumë se gjysmë shekulli jetë
"Vit pas viti", kaq thjesht i ka quajtur kujtimet e tij regjisori Viktor Gjika, të cilat publikohen pak muaj pas vdekjes. Libri u prezantua dje në Teatrin e Operës dhe të Baletit nga familjarët. Gjika, i ndarë nga jeta në mars të këtij viti, nuk arriti të shohë të botuar kujtimet e tij.
I vënë poshtë nga sëmundja, ndërpreu shkrimin e tyre në vitin 1992. Punën e papërfunduar, dy javë përpara se të largohej nga jeta, ia besoi shkrimtarit Teodor Laço, i cili plotësoi 17 vitet e tjera të kujtimeve. Kapitujt e mbajnë përsipër numrat e viteve, 1937, 1944, 1954, 1990 ....
Kujtimet nisin më 23 qershor 1937, ditë në të cilën Viktor Gjika vjen në botë. Këtë ditë e përshkruan i bazuar në kujtimet e familjarëve, por mënyra se si e ka rrëfyer është aq e çlirët, sa duket sikur me të vërtetë e kujton atë ditë.
Me shfletimin e faqeve kalojnë dhe vitet. Për çdo të tillë Gjika e ka nga një kujtim. Në vitin 1944, në moshën 7-vjeçare, ai e kujton kështu luftën: "...Ajri ishte i mbushur me atmosferë tjetër dhe askush nuk mund ta ndiente atë më mirë se hundët tona të vogla. Vinte era partizanë.
Ata tentuan që mbrëmjen e datës 23 tetor (1944) të hynin në Korçë nga mëhalla e Shën Triadhës, por gjermanët ishin të fortifikuar nga ajo anë dhe u shkaktuan partizanëve disa të plagosur...".
Po në të njëjtin vit, Gjika takohet për herë të parë me filmin. Një takim ku më shumë i bën përshtypje kinemaja si ndërtesë, sesa filmi. Madje, i ka bërë aq shumë përshtypje drita e bardhë që projektohet në ekranin e madh, sa e përshkruan me detaje: "Po filmi nuk më la përshtypje të thellë.
Jo, ai ishte i zakonshëm me ca telefona të bardhë e ca zonja gjysmë të zhveshura. Kur u ndezën dritat, atëherë u mahnita dhe u besova fjalëve se "Majestiku" është vërtetë kinemaja më e madhe në Ballkan... Pa lëre pastaj kabinën e mekanikut ku projektohej filmi!
Një magji e vërtetë! Disa dhëmbëza të vegjël që futeshin në brimat e filmit dhe drita që projektohej përmes dy dritareve të vogla e mbërrinte në ekranin e bardhë, bënin magjinë e madhe! U ktheva në shtëpi i tronditur. Kisha njohur diçka të re e madhështore që nuk do të më ndahej gjithë jetën."
Viti 1966 është një vit i rëndësishëm në karrierën e Gjikës. Për herë të parë prezantohet si bashkëregjisor me Dhimitër Anagnostin, me filmin "Komisari i dritës". Në kujtimet tregon për mënyrën se si u prit filmi nga publiku dhe shtypi i kohës, më tepër se sa kujtimet nga koha e xhirimeve. "Filmit ia dolëm mbanë.
Ai u shfaq si premierë më 16 korrik 1966, në Rrëshen. Vetë reagimet e bujshme të shikuesve të shumtë, si edhe të gazetarëve në shtypin e përditshëm, vërtetuan se ne e kishim fituar betejën e parë dhe më të vështirën". Më pas regjisori do të realizonte dhe filma të tjerë si "I teti në bronz", në të cilin jep përshtypjet për aktorët e sapozbuluar, Yllka Mujo dhe Mevlan Shanaj.
Ndërsa premierën e "Yjet e netëve të gjata" e kujton: "Zv. ministri i Kulturës, Mantho Bala, u kthye nga vizita në Kinë dhe kërkoi urgjentisht të shihte edhe një herë filmin që ai vetë kishte vlerësuar.
Kur mbaroi projeksioni, ai bëri 13 vërejtje, ku kërkohej të shkurtoheshin disa nga planet dhe episodet më të bukura. Gjithashtu, u kërkua të shtohej edhe një episod i ri, ku te Pashakoja duhej të vinte për ngushëllime vetë komisari, episod që mua nuk më pëlqeu."
Në vitin 1977, vit në të cilin realizon "Njeriu më top", Gjika shkruan: "Edhe gjatë këtij viti u xhiruan 11 filma, por jo aq me peshë sa të vitit të shkuar. Po fillonte të ndihej trysnia e "planit" që na detyronte të futnim në prodhim edhe skenarë të rëndomtë e regjisorë të papërvojë..."
Më 1982-shin, Gjika realizon një nga filmat historikë që ka hyrë në historinë e kinemasë shqiptare: "Nëntori i dytë". Mes vështirësive për realizmin në një kohë shumë të shkurtër të filmit, i cili duhej të shfaqej në 70-vjetorin e pavarësisë, ai kujton: "Sandër Prosi kishte dalë nga spitali vetëm për të realizuar figurën madhore të Plakut të Vlorës.
Për këtë rol pati shumë pretendentë, që nga Sulejman Pitarka e deri te Mirush Kabashi, por edhe sot unë jam i bindur se askush më mirë se Sandri nuk do të kishte realizuar Ismail Qemalin në atë nivel artistik që na e dha Sandër Prosi".
Pas viteve '90-të, Gjika, në "mungesë të skenarëve për filmat me metrazh të gjatë,"- siç edhe shkruan - do t'i kushtohej dokumentarit. Deri në vitin 2006 realizon 26 të tillë, mes të cilëve edhe syresh që u dedikohen figurave të historisë së Shqipërisë, si Fan Noli dhe Ismail Qemali.
Në 250 faqet e "Vit pas viti", janë përfshirë edhe disa kujtime të miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve si Dhimitër Anagnosti, Timo Flloko Nasho Jorgaqi etj.
Një mbrëmje kushtuar Gjon Simonit
Orkestra Simfonike e RTSH-së përkujton kompozitorin Gjon Simoni (1936-1999) në 10-vjetorin e vdekjes, nesër në orën 20:30, në hollin e Radio Tiranës, që mban emrin e tij. Orkestra e RTSH-së dhe sopranoja Mimoza Kosturi ekzekutojnë pjesë të krijuara dhe të përpunuar prej tij si "Ave Maria", "Dua më shumë Shqipërinë", "Romancë Perse", me tekst të Ane Sori (Francë), "Fryn Veriu, Popullore e përpunuar", me tekst të Poradecit, "Më jep ujë me dorën tende", "Lule Bore", etj., të përpunuara nga Gjon Simoni, si dhe "Simfonietta". Gjon Simoni cilësohet si krijuesi i shkollës moderne të orkestracionit shqiptar dhe një nga shtyllat e krijimit të muzikës së lehtë. Nderohet me çmimin "Artist i Merituar", në vitin 1999, vit në të cilin ndahet edhe nga jeta.
"Kolonel Zogu", në shtator vjen në Tiranë
Alfred Trebicka ka shfaqur para pak ditësh në Elbasan premierën e tragjikomedisë "Kolonel Zogu", të cilën do ta ngjisë në skenën e TK-së në muajin shator. Pjesa e dramaturgut bullgar, Hristo Boiçev, është një komedi e zezë, ku stigmatizohet mendësia e Europës Lindore dhe në veçanti ajo e Ballkanit, pas rënies së komunizmit, pa lënë pas hipokrizinë e mbështetjes së Perëndimit në vendosjen e demokracisë në këtë pjesë të Europës. Trebicka e sjell "Kolonel Zogun" në interpretimin e aktorëve Romir Zalla, Marin Orhanasi, Erjona Kakeli, Salsano Rrapi, Ledio Lako, Roland Saro etj.
Grabitësi Al Pacino, në Marubi
Aktori Al Pacino shfaqet nesër në orën 19:00, në kinemanë e Akademisë "Marubi", me një nga rolet e parë të karrierës. "Day Dog Afretnoon", i regjisorit Sidney Lumet, e sjell Pacinon në rolin e grabitësit të bankave Sonny Wortzik. Filmi, prodhim i vitit 1975, zgjat 125 minuta, është në gjuhën angleze dhe shoqërohet me titra në anglisht.
Java në kinema
Në kinema "Millenium", së shpejti mbërrin filmi "Obsessed", i regjisorit Steve Shill. Drama ka për protagoniste këngëtaren Beyonce Knowles, dhe aktorët Idris Elba, Ali Larter dhe Jerry O'Connell. Ndërkohë, në këtë kinema vazhdojnë projeksionet e sagës së katërt të "Fast and Furious".
Në sallën e "Imperial" shfaqet premiera "The last house on the left", e regjisorit Dennis Iliadis. Një film horror, i cili rrëfen historinë e dy adoleshenteve që torturohen dhe përdhunohen mizorisht nga një bandë psikopatësh.
Mizoria e tyre përballet me hakmarrjen e familjarëve të të rinjve. Po në këtë kinema vazhdon të shfaqet filmi "Oskar" i 2009-ës, "Slumdog Millionaire", i regjisorit britanik Danny Boyle.
Qëndron i maskuar, poshtë flokëve ose në mëngët e gjata. Është sa një çamçakëz petë dhe nuk dallohet nga pedagogët....
Të huajt që hyjnë për një periudhë të shkurtër, si për vizita, biznes, turizëm, studim, duhet të provojnë se zotërojnë...
Lajmet 10 korrik - Ora 16 -
data/10-07-2009
Lajmet 10 korrik - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 10 korrik - Ora 13 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Kur do të mësojnë gazetarët e kulturës që nuk thuhet "postmortum", por "post mortem"? Fjala latine "mors" (vdekja) është e gjinisë femërore, prandaj akuzativi është "mortem".
Latinisti