|
|
Tueni për gazetarinë dhe çështje të tjera
Kafshët, natyrisht flasin me njëra-tjetrën. Për këtë s'mund të ketë pikë dyshimi: po shumë pak njerëz mund ta kuptojnë gjuhën e tyre. Unë kam njohur vetëm një njeri që e kuptonte gjuhën e kafshëve.
E njëjta sepse më tha vetë që e kuptonte. Ai ishte një burrë në moshë mesatare, një minator zemërmirë, që kishte banuar shumë vjet në një qoshe të vetmuar të Kalifornisë, nëpër male e pyje dhe kishte studiuar jetën e fqinjëve të tij të vetëm, të bishave dhe të zogjve sa besonte se ishte në gjendje të kuptonte çdo fjalë që thoshin. Ky quhej Xhim Bejker.
Sipas Xhim Bejkerit, disa kafshë kanë një arsim të kufizuar, përdorin fjalë fare të thjeshta dhe, dhe vetëm rrallë përdorin krahasime apo figura; ndërsa disa lloj kafshësh të tjera, kanë një fjalor të pasur, dhe fjalët i përdorin me shkathtësi, si pasojë, këta të fundit flasin shumë. Atyre u pëlqejnë fjalët. Ata i njohin meritat e prirjes së tyre, prandaj kanë qejf t'ua tregojnë të tjerëve.
Bejkeri thoshte se, pas një shqyrtimi të gjatë e të kujdesshëm, ai kishte arritur në përfundimin se grifshat ishin folësit më të mirë që kishte gjetur ai midis zogjve dhe kafshëve. Ai thoshte: Grifshat dinë më tepër se të gjitha krijesat e tjera. Ato kanë më shumë mend dhe ndjenja se çdo krijesë tjetër. Dhe ta dini, që grifsha mund të shprehë me fjalë çdo gjë që ndjen.
Dhe jo me gjuhën e zakonshme, po me të dredhur, me fjalë aq të shumta sa mund të mbushësh libra, - bile duke përdorur metafora sa u ngrihen pendët përpjetë! Sa për zotërimin e gjuhës, nuk do të gjeni kurrë një grifshë që të ngecet për fjalë.
Asnjeri nuk ka gjetur një grifshë të tillë. Ato i derdhin fjalët si ujët kur llëket! Ka dhe diçka tjetër. Unë kam vënë re shumë dhe nuk kam parë asnjë zog, lopë ose kafshë tjetër që ta përdorë gramatikën aq bukur sa grifshat. Ju mund të më thoni se edhe macet dinë ta përdorin gramatikën.
Macet vërtet e përdorin, po ato duhet t'i ndezësh. Vërini macet natën më ndonjë qoshe që të grisin lëkurën e njëra-tjetrës dhe do të përdorin gramatikën aq bukur sa mund të të mbërthejnë nofullat si tetanosi.
Njerëzit e paditur mendojnë se ajo s'është gjë tjetër veçse një zhurmë që bëjnë macet kur zihen, por nuk është ashtu; ajo është sëmundja e gramatikës së tyre. Unë nuk kam dëgjuar veçse rrallë që grifsha të flasë pa gramatikë, dhe kur ndodh një gjë e tillë ajo turpërohet tamam si njeriu. E ndërpret menjëherë muhabetin dhe fluturon.
Ju mund ta quani grifshën zog. Mund të jetë ashtu deri në një farë mase, sepse ka pendë dhe ndofta nuk ka fe; po nga të tjerat ajo është aq njerëzore sa jini dhe ju. Dhe jua them unë përse: Dhurata, ndjenjat, instinkti dhe interesat e grifshave janë përhapur në çdo vend.
Grifshat nuk kanë më tepër parime se sa anëtarët e kongresit. Grifsha mund të gënjejë, mund të vjedhë, mund të mashtrojë, mund të tradhtojë, dhe katër nga të pesë zotimet, ajo do t'i përsëritë. Shenjtëria e një zotimi është diçka që nuk mund të hyjë në kokën e grifshës. Po ka dhe një tjetër; grifshat marrin më shumë zotime se minatorët.
Ju pandehni se edhe macet marrin zotime. Edh ato mund të marrin, po pa bëhu thirrje grifshave për një punë që kërkon të gjitha fuqitë e tyre, pastaj fol ç'është macja përpara tyre! Mos më flisni më, unë e di fare mirë këtë çështje. Po ka edhe një gjë tjetër. Për sa i përket qortimit të mirë, të urtë e të ngadalshëm, grifsha ua kalon të gjitha krijesave njerëzore dhe hyjnore.
Po grifsha bën gjithçka bën edhe njeriu. Ajo mund të qajë, mund të qeshë, mund të turpërohet, mund të arsyetojë, të bëjë plane dhe të bisedojë; ajo ka qejf të mbajë nëpër gojë, të bëjë skandale; ajo di të bëjë humor dhe e kupton kur bën marrëzira, ashtu siç e kupton dhe ti; ndofta më mirë. Tani do t'ju tregoj disa ngjarje të vërteta nga jeta e grifshave.
Kur fillova të kuptoj për herë të parë gjuhën e grifshave pa gabim, më ndodhi diçka interesante. Shtatë vjet më parë, njeriu i fundit përveç meje, u largua nga kjo krahinë. Ja ku është shtëpia e tij, qysh atëherë ka mbetur bosh; shtëpi prej trarësh me çati dhogash, vetëm një dhomë e asgjë tjetër pa tavan dhe pa pasur asgjë midis trarëve dhe dyshemesë.
Një të diel, kisha dalë e rrija përpara kasolles sime bashkë me macen; ngrohesha në diell, sodisja kodrat e bukura, dëgjoja vetëm shushurimën e fletëve të pemëve dhe mendohesha për familjen time atje larg në Shtetet, nga e cila nuk kisha marrë ndonjë lajm qysh prej trembëdhjetë vjetësh, kur një grifshë erdhi e qëndroi mbi atë shtëpinë kundrejt meje duke mbajtur në gojë një lende e më tha:
- Tungjatjeta; më duket se kam gjetur diçka.
Kur hapi gojën për të folur, lendja i ra nga goja dhe natyrisht u rrokullis tatëpjetë çatisë, po ajo s'çau kokë. E kishte mendjen te gjëja që kishte gjetur.
Ajo ishte një vrimë nyje në çati. Grifsha ktheu kokën mënjanë, mbylli një sy dhe syrin tjetër e vuri tek vrima, si nuse e lalës; pastaj vështroi tej këtej me sytë e saj të ndritshëm, bëri nja dy përpëlitje krahësh, - në shenjë kënaqësie, nënkuptohet, - dhe tha:
- Duket si vrimë, tamam si vrimë, më plaçin sytë në mos është vrimë. Pastaj ngriti edhe njëherë kokën dhe vështroi përsëri, vështronte me kujdes dhe me gëzim. Rrahu krahët, lojti bishtin dhe tha:
- Oh, jo nuk është ndonjë gjë e majme, kështu duket! S'paskam fat! Është tamam një vrimë e përsosur! Pastaj fluturoi e zbriti përposh, mori lenden, u ngjit sipër përsëri dhe e hodhi brenda në vrimë duke vajisur kokën nga prapa me një buzëqeshje hyjnore; në këtë kohë, shtangu befas në vend duke përgjuar, dhe nënqeshja e fytyrës iu shua pak nga pak duke u zëvendësuar me një shprehje habie. Pastaj tha: "Unë nuk e dëgjova të bjerë".
I vuri syrin vrimës përsëri dhe vështroi për një kohë të gjatë; doli nga ana tjetër e vrimës dhe i vuri syrin përsëri. E studioi një copë herë, pastaj filloi nga hollësitë, bariti rreth e rrotull vrimës dhe vëzhgoi përbrenda nga çdo pikë e rrethit. Asgjë. Qëndroi në majë të çatisë duke u menduar dhe pasi kruajti një çast kokën me këmbën e saj të djathtë, më në fund, tha:
- Është shumë e madhe për mua; do të jetë edhe shumë e thellë; unë nuk kam kohë të vij rrotull saj, më duhet të shkoj në punë; më duket se është mirë aty, prandaj po shkoj. Kështu fluturoi, solli një lende tjetër, e hodhi brenda në vrimë dhe u mundua ta shihte kur të binte përposh duke vënë syrin në vrimë me të shpejtë, po qe tepër vonë.
E mbajti syrin atje ndonjë minutë; pastaj ngriti kokën, psherëtiti e tha: "E humba; më duket se s'e marr dot vesh këtë punë; megjithatë do t'i përvishem edhe një herë". Solli edhe një lende tjetër dhe bëri çmos që ta shikonte kur binte brenda, por nuk mundi, e tha: "Të tillë vrimë nuk kam parë kurrë ndonjëherë; mendoje është krejtësisht vrimë e një lloji të ri". Pastaj filloi të zemërohet.
U mendua një copë herë duke baritur poshtë e lart mbi kulmin e çatisë, duke tundur kokën dhe duke murmuritur me vete; po ndjenjat e saj u tronditën menjëherë, u nxi në fytyrë dhe filloi të mallkojë. Nuk kam parë shpesë që të sillet n'atë mënyrë për një gjë kaq të vogël.
Bariti deri tek vrima, vështroi edhe një herë ndonjë minutë, pastaj tha: "Ti qenke një vrimë e thellë, e gjatë dhe e madhe, po unë kam vendosur të të mbush dhe më vraftë perëndia në mos kam për të të mbushur edhe sikur të më duhen njëqind vjet."
Sa tha këto, u zhduk fluturimthi. Nuk mund të kesh parë ndonjë zog, qysh kur ke lindur, që të punojë n'atë mënyrë. Iu shtrua punës si zezaku, dhe mënyra me të cilën i hidhte lendet brenda në vrimë për nja dy orë e gjysmë, ishte një nga pamjet më tërheqëse dhe më të çuditshme që kam parë. Nuk ndalonte as sa për t'i hedhur një sy vrimës, po vetëm i lëshonte dhe nisej për të marrë të tjera.
Më në fund, u kapit kaq shumë sa mezi lëvizte krahët. Erdhi edhe një herë, e kërrusur dhe e djersitur si një bardhak me akull, hodhi lenden në vrimë dhe tha: "Tani më duket se të mbusha!" Pastaj u ul për të parë. Më besoni, kur ngriti kokën përsëri ishte verdhur nga zemërimi e tha: "Kam hedhur aty brenda aq lende sa të ushqeja familjen për tridhjetë vjet dhe nuk shoh asnjë shenjë prej tyre".
Mezi mblodhi fuqitë e u zvarrit deri në kulm dhe mbështeti kurrizin pas oxhakut; pastaj mblodhi veten dhe filloi të qetësohet. Këtu pashë se ajo që më dukej mua në minierë si një poshtërim, qenkësh një parim themelor. Aty pari kaloi një grifshë tjetër, dhe kur e pa shoqen e saj që po kryente këtë punë, u kthye për të pyetur si shkonte.
E kapitura ia tregoi fill e për pe, duke i thënë: "Ja ku është vrima dhe në rast se nuk më beson mua, shko e shiko vetë". Kështu shoqja e saj vajti dhe e pa vetë, pastaj u kthye dhe tha: "Sa lende më the se ke hedhur brenda?"
- Jo më pak se dy ton - tha e rraskapitura. Grifsha tjetër vajti e vështroi përsëri. Dukej sikur nuk e bënte dot hesap, pastaj lëshoi një krakavitje të fortë dhe tri grifsha të tjera çatisën.
Ato të gjitha e shqyrtuan vrimën, e pyetën me radhë të rraskapiturën, e cila ua shpjegoi të gjithave, dhe e pleqësuan punën së bashku duke dhënë aq shumë mendime sa do të kishte dhënë edhe një grup njerëzish.
Pastaj thirrën grifsha të tjera. Thirrën aq shumë, sa i tërë vendi u mbush me grifsha. Duhej të ishin nja pesë mijë grifsha; të tilla krakavitje, shamata e mallkime, nuk kemi dëgjuar kurrë.
Çdo grifshë vinte syrin në vrimë dhe jepte nga një mendim më të ngatërruar se shoqja e mëparshme për të fshehtat e asaj vrime. Edhe shqyrtuan mirë e bukur edhe shtëpinë.
Dera ishte gjysmë e hapur, dhe një grifshë plakë shkoi më në fund e qëndroi mbi të duke vështruar përbrenda. Natyrisht, ajo e zbuloi menjëherë të fshehtën. Lendet ishin shpërndarë mbi dysheme. Ajo përpoqi krahët dhe lëshoi një krakavitje. "Ejani këtu", u tha. "Ejani të gjitha; ajo budallaçka qenka rraskapitur për të mbushur një shtëpi me lende".
Të gjitha u vërsulën tatëpjetë si një re dhe, duke qëndruar një nga një mbi derë, u shkulën së qeshuri kaq shumë për këtë budallallëk të shoqes së tyre, sa ranë njëra pas tjetrës përdhe të zalisura.
Më në fund, u vërvitën ndonjë orë rreth shtëpisë, mbi pullaz dhe nëpër pemët, duke cërcëritur rreth kësaj çështjeje, tamam si njerëz. Është e kotë pra të më thoni se grifshat nuk dinë të bëjnë shaka, unë i njoh më mirë. Dhe i mbaj mend mirë. Ato prunë këtu grifsha nga të gjitha anët e Shteteve të Bashkuara për të parë vrimën, gjatë tre muajve të verës. Prunë edhe zogj të tjerë.
Dhe të gjithë e panë atë, me përjashtim të një kukuvajke, e cila erdhi nga Nova Skotia për të vizituar Jo Semiten, dhe u kthye pa e parë. Ajo tha se atje s'ka asgjë për të qeshur. Po edhe në Jo Semite s'gjeti gjë për të qeshur.
Qëndron i maskuar, poshtë flokëve ose në mëngët e gjata. Është sa një çamçakëz petë dhe nuk dallohet nga pedagogët....
Të huajt që hyjnë për një periudhë të shkurtër, si për vizita, biznes, turizëm, studim, duhet të provojnë se zotërojnë...
Lajmet 10 korrik - Ora 16 -
data/10-07-2009
Lajmet 10 korrik - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 10 korrik - Ora 13 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Përshëndetje "Shekulli".Jam lexues i rregullt juaji,por kam një vërejtje:-A mund t'më thoni kur Mark Tweni ka shkruar shqip,se nuk shoh tek ju emërin e përkthyesit?Nuk besoj që të vuani sindromën e kohës që kaloi:atëherë qenë penalizuar disa përkthyes.Nuk kishin të drejtë të vinin as emërin.
Përparim Hysi,1 korrik 2009
SALI BERISHA E KA CPERKTHYER.