|
|
Banorët e ish-zonës së Bllokut pohojnë se zhurmat e lokaleve të natës u janë kthyer në stres. ISHP-ja: 50% e banorëve vuajnë nga pagjumësia
Jetojnë nën presionin e vazhdueshëm të ndotjes akustike (zhurmave), duke ua bërë jetën gjithnjë e më të vështirë. Ky shqetësim nuk u ndahet as ditën e as natën dhe prej vitesh u është kthyer në një makth, sepse nuk po munden të bëjnë gjumin të qetë. Ky është shqetësimi i banorëve të zonave më të zhurmshme të kryeqytetit, si zona e ish-Bllokut, 21-Dhjetori dhe zona të tjera, të cilat theksojnë për gazetën se kjo situatë është e padurueshme.
"Zhurmat po na stresojnë deri në çmenduri. Nuk mund t'i durojmë, se jemi të moshuar dhe të sëmurë",- pohon banorja e ish-zonës së Bllokut, Afroviti Ropi. Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik ka realizuar një raport për bezdisjen dhe çrregullimet e popullatës nga zhurmat, në zonat më problematike të Tiranës ku objekt studimi u bënë 275 familje.
Shqetësimi
Zhurmat i shoqërojnë në çdo moment. Madje edhe në orët e vona të natës, në vend që të flenë, janë të detyruar të dëgjojnë muzikë të lartë nga lokalet e zonës ku jetojnë dhe makinat që lëvizin në çdo moment, sidomos në zona të mbipopulluara. Ky problem po bëhet gjithnjë e më shqetësues, sidomos për banorët e kryeqytetit, ku nata kthehet pothuajse gjithë javës në një disko gjigante, pa u preokupuar aspak se banorët kanë nevojë edhe për qetësi.
"Jetojmë në një trysni zhurmash të vazhdueshme. Nuk na lënë të flemë gjithë natën. Jemi të moshuar dhe kjo situatë është e padurueshme për ne",- pohon banori i zonës së ish-Bllokut, Ropi Foto, duke shtuar se në zonën e tyre është e vështirë për t'u banuar, pikërisht për shkak të zhurmave.
Të njëjtin shqetësim shprehin edhe banorët e tjerë të kësaj zone, duke theksuar se janë ankuar shpesh në strukturat përgjegjëse për të marrë masa, por nuk është bërë asgjë deri tani. "Këtu nuk zbatohet asnjë limit. Dëgjojmë muzikë me zë të lartë deri në orën 4 të mëngjesit.
Edhe dita është e zhurmshme, kështu që prej vitesh nuk kemi kaluar asnjë natë të qetë në shtëpitë tona,"- pohon e moshuara Olimbia Kodra, banore e ish-zonës së Bllokut. Ndërsa bashkëshorti i saj, Kostandin Kodra, pohoi se vitet e fundit ka filluar t'i humbasë dëgjimi, ndaj e ndien veten më me "fat" se banorët e tjerë, sepse e përballon më shumë torturën e shkaktuar nga zhurmat. "Jam me aparat në vesh, siç e shikon, dhe e vendos sa herë dua të dëgjoj dikë kur flet. Në të kundërt e heq dhe nuk dëgjoj atë zhurmë të padurueshme që mbizotëron në zonën tonë",- pohon ai.
Raporti
Instituti i Shëndetit Publik mori në studim 275 familje në zonat më problematike nga zhurmat në qytetin e Tiranës. Në fakt, rezultatet dolën problematike, pasi pjesa më e madhe e banorëve ankohen nga zhurmat. "Ky studim tregoi se përqindja e popullatës së bezdisur nga zhurmat ishte 44 për qind, ndërsa përqindja e popullatës së bezdisur ishte 28 për qind dhe më alarmantja është se përqindja e popullatës me çrregullime të gjumit ishte 50 për qind",- bëhet e ditur në raportin e ISHP-së, duke shtuar se këto të dhëna janë shumë problematike dhe ndikojnë negativisht mbi shëndetin e popullatës.
275 familje janë marrë në studim në zonat më problematike nga zhurmat në qytetin e Tiranës
50 për qind e banorëve ankohen se vuajnë nga pagjumësia, për shkak të zhurmave, sipas ISHP-së
44 për qind e banorëve ankohen se janë shumë të bezdisur nga zhurmat, sipas ISHP-së
28 për qind e banorëve ankohen se janë të bezdisur nga zhurmat, sipas studimit të ISHP-së
Sipas specialistit të ISHP-së, Cicolli, zhurmat shkaktojnë nervozizëm, stres dhe deri në shurdhim, kur janë të forta
Specialistët: Zhurmat, ja pasojat mbi shëndetin
Nervozizëm, deri në shurdhim për zhurma shumë të forta. Këto janë pasojat ekstreme që shkaktojnë zhurmat. "Zhurmat, padyshim kanë efekte negative mbi shëndetin", - thotë specialisti i ISHP-së, Arti Cicolli. Sipas tij, zhurmat e theksuara dhe të vazhdueshme ndikojnë mbi shëndetin mendor dhe shkaktojnë efekte psikofiziologjike. Ndërkohë, zhurmat gjatë natës, sipas tij, tashmë të shtuara, ndikojnë në prishjen e gjumit, duke shkaktuar probleme për njerëzit. "Zhurmat, në shumë raste shkaktojnë edhe efekte mbi sjelljet me fqinjët dhe reagime patologjie", - thekson ai. Por, ajo që është më e dukshme, sipas tij, është se për shkak të zhurmave tej normave të lejuara mund të shkaktohet edhe shurdhim. Të ndodhur përballë këtij fakti, ai thekson se duhen marrë masa emergjente për t'u ardhur në ndihmë popullatës. "Kur shfaqet një risk që vë në rrezik shëndetin e popullatës, duhet të merren masa urgjente për mbrojtjen e shëndetit publik", - theksoi Cicolli, duke shtuar se masat për reduktimin e zhurmës në burim duhet të merren sa herë që është e qartë se mund të realizohet. Ndërkohe, ai theksoi se është e nevojshme fusha juridike e zhurmave, pasi mungon një ligj për ndotjen akustike. Sipas tij, duhet të vihet në zbatim një program me faza mbi reduktimin e zhurmës, sidomos në ambiente specifike, si shkolla, banesat, spitalet etj. e. bardhi
Monitorimi, zonat më të ndotura
Sipas monitorimit, ndotja akustike, në shumë pika të qyteteve rezulton mbi normat e lejuara nga Bashkimi Evropian. Kështu, Tirana, ndotjen akustike nuk e shënon vetëm në zonën e ish-Bllokut, ku zhurmat të ofrohen ditën dhe natën, por edhe në zona të tjera. Kulmi i zhurmave arrihet në zonën e Laprakës, me 73,8 dB (decibel) gjatë ditës, ndërkohë që normat e lejuara, sipas BE-së, duhet të jetë 55 dB ditën. Zona e dytë më e zhurmshme në kryeqytet është "Stacioni i Trenit", me 73,3 dB dhe vendin e tretë, sipas monitorimit, e zë kryqëzimi te "Selvia", me 72 dB. "Problematike, ndotja akustike është paraqitur edhe gjatë orëve të natës, sidomos në zonën e ish-Bllokut", - thotë Arti Cicolli, duke shtuar se edhe gjatë kësaj periudhe kohore, ndotja është mbi normat e BE-së.
Qëndron i maskuar, poshtë flokëve ose në mëngët e gjata. Është sa një çamçakëz petë dhe nuk dallohet nga pedagogët....
Të huajt që hyjnë për një periudhë të shkurtër, si për vizita, biznes, turizëm, studim, duhet të provojnë se zotërojnë...
Lajmet 10 korrik - Ora 16 -
data/10-07-2009
Lajmet 10 korrik - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 10 korrik - Ora 13 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Komenti juaj