|
|
Procesi ka ngecur pavarësisht ndërhyrjes së KQZ-së për ndryshimin e komisionerëve. Pritet përfundimi sot i numërimit
SHKODËR - Bushati vazhdon herë të numërojë e herë të ndërpresë këtë proces në KZAZ nr. 41. Ndryshimi i anëtarëve nga ana e KQZ-së mbrëmjen e së martës nuk rezultoi pozitive për rifillimin e procesit, duke bërë që një gjë e tillë të shtyhej deri në orën 04:20 të mëngjesit të së mërkurës e më tej të shtyhej në orën 10. Edhe në orët e vona të mbrëmjes, qendra e rrethuar me policë ka vazhduar të jetë në vëmendje për shkak të problemeve të herëpashershme.
***
Pas rreth 34 orësh ndërprerjeje ka rifilluar procesi i numërimit të votave në KZAZ nr.41, me qendër në Bushat të qarkut të Shkodrës. Por mosmarrëveshjet mes anëtarëve të rinj, të ndikuara dhe nga ndërhyrjet e kandidatëve për deputetë, kanë bërë që numërimi i votave të mos fillonte dhe madje kanë shkaktuar tension në sallën ku ndodhen tetë tryezat e numërimit të votave të kësaj zone zgjedhore, ku nuk kanë munguar as debatet mes palëve. Anëtarët e KZAZ nr.41, përfaqësues të PD-së, kërkuan verifikimin e mandateve të përfaqësuesve të PS-së, çka ka bërë edhe shtyrjen e mëtejshme të procesit. Situata në mesnatë është acaruar dhe nga akuzat e kundërakuzat të kandidatëve për deputetë të PS-PD, që akuzonin njëri-tjetrin për prishje e sabotim të procesit. Në mjediset e VNV-së së zonës nr.41 kanë qenë të pranishëm jo vetëm kandidatë të dy krahëve, por dhe persona të paautorizuar që bënin presion verbal, madje dhe fyenin anëtarët e KZAZ-së. Një tjetër problem që pretendohej nga palët dhe që pengonte fillimin e procesit ishte dhe plotësimi me nga 5 persona i grupeve të numërimit, e cila nuk mund të bëhej pasi nuk ishin të pranishëm të gjithë, ndërsa kërkohej të fillohej njëherësh në tetë tryezat.
Situata ka vazhduar të jetë pa zgjidhje deri në orën 04:20 të së mërkurës kur KZAZ ka vendosur të mbyllet VNV ku akoma nuk kishte filluar numërimi i asnjë kutie dhe të hapej në orën 09:00.
Në orën 10 të së mërkurës përsëri KZAZ nr 41 është mbledhur dhe pas debateve lidhur me numrin e domosdoshëm të anëtarëve të grupit të numërimit të votave në çdo tryezë dhe konsultimeve me përfaqësues e vëzhgues të OSBE-ODHIR-it që ndiqnin procesin, ka vendosur që numërimi të fillojë dhe me nga tre anëtarë të grupeve të numërimit të pranishëm.
Në orën 12:15 minuta ka filluar puna në 5 nga 8 vendet e numërimit të votave me nga 3 numërues në to.
***
Jashtë ambienteve të VNV nr.41 policia nuk ka lejuar të qëndrojnë njerëz të paautorizuar dhe nga pozicioni i ndërtesës ku bëhet numërimi i votave të zonës zgjedhore nr 41, postblloku dhe shiriti përkatës i vendosur, nuk ka lejuar që këta persona të afroheshin pranë VNV-së. Gjatë mesnatës, jashtë këtij territori në Bushat ka pasur grumbullime personash përkrahës të dy palëve, që tensiononin situatën duke folur me zë të lartë dhe sharë forcat politike dhe personat përfaqësues të tyre. Megjithatë nuk është shënuar ndonjë incident dhe gjatë paradites së të mërkurës nuk ka pasur grumbullime të tilla, por që kanë rifilluar sërish pasditen e së mërkurës. Brenda ambienteve të VNV të zonës 41 janë mjaft persona, vëzhgues dhe kandidatë për deputetë të forcave të ndryshme politike, ku gjatë paradites së të mërkurës numri i tyre është rritur. Kjo, pasi njëri krah politik duke qenë në minorancë njerëzish pranë tyre gjatë natës ka marrë masa për të pasur dhe ai përkrahësit e tij gjatë numërimit të votave.
***
Ambienti ku ndodhet VNV 41 është një ndërtesë e amortizuar, me lartësi të madhe pasi ka qenë magazinë prodhimesh bujqësore, me dritare të vogla e të larta, pa xhama, me plastmas në vend të tyre dhe me mungesë të theksuar ajrimi. Kjo ka ndikuar në procesin e ngadaltë të numërimit të votave. Në KZAZ nr.41, diferenca mes votave të PD-së dhe PS-së, është: PD ka rreth 2225 vota më shumë. Ka përfunduar numërimi i votave në KZAZ nr.40 të Bashkisë së Shkodrës, ku në përfundim kemi PD 21 345 vota dhe PS 10 446 vota. A.D.
Sherr brenda VNV-së, ndërhyn policia
Në orën 22:00 të mbrëmjes së të mërkurës, gjatë procesit të numërimit të votave të komunës së Velipojës, pati një acarim mes një vëzhguesi të PS-së dhe kryetarit të komunës Velipojë, i cili ishte në cilësinë e vëzhguesit të PD-së. Mësohet se ishin numëruar pesë kuti dhe ndërkohë po numërohej kutia e gjashtë, ndërsa dy vëzhguesit nisën konfliktin mes tyre lidhur me faktin se kujt i përkiste fleta e votimit që po numërohej dhe nëse duhej shpallur ose jo e pavlefshme. Një gjë e tillë bëri që kreu i KZAZ-it, Ndue Doda, i cili i përket Partisë Socialiste të kërkojë ndërhyrjen e policisë, e cila ka nxjerrë jashtë të gjithë personat që ndodheshin në VNV, duke përfshirë këtu kandidatët, vëzhguesit, si dhe të gjithë të tjerët. Më pas janë lejuar të futeshin brenda vetëm personat e autorizuar. Vëzhguesit e OSBE-ODHIR-it kanë qenë të gjithë në lëvizje gjatë gjithë kohës, duke mbajtur shënim gjithçka që ka ndodhur. Bëhet e ditur se deri në orët e vona të mbrëmjes kishin mbetur pa u numëruar edhe 15 kuti, të cilat shpresohet se do të përfundojnë mëngjesin e sotëm, në rast se nuk do të ketë ndërprerje të tjera.
Pranohet kërkesa e avokatëve se biznemeni që goditi gazetarin nuk përbën rrezikshmëri shoqërore dhe se nuk mund të largohet jashtë...
Në seancën e djeshme, prokurorët dhe avokatët gjatë pyetjes së të penduarit debatuan për dëshmitë e tij dhe procedime të...
Lajmet 19 Nëntor - Ora 16 -
data/19-11-2009
Lajmet 19 Nëntor - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 18 Nëntor - Ora 16 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Komenti juaj