Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Furtuna përmbyt Tiranën, 30 makina në ujë

Shekulli | 02/07/2009 | Kronike | komentet 0 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Dëme të mëdha materiale në kryeqytet. Era e fortë dhe reshjet e dendura të shiut përmbytën banesa dhe thyen pemë


Njëzet minuta shi i rrëmbyer, i shoqëruar me erë të fortë, mjaftuan ditën e djeshme, për të fundosur në ujë një pjesë të mirë të kryeqytetit. Reshjet e dendura të shiut filluan në mesditë dhe shkaktuan dëme të mëdha materiale.


Dëmi më i madh i shkaktuar u konstatua në parkingun privat pranë "Këndit të Lodrave", në Bulevardin "Bajram Curri". Ngritja e ujërave mbi nivelin e kolektorit, si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme të përroit të Lanës, bëri që në pak minuta, parkingu ku ndodheshin të parkuara rreth 30 makina, të përmbytej, duke mos u dhënë asnjë shans drejtuesve të automjeteve të mundësonin largimin e tyre.


Niveli i ujit në parkingun e përmbytur, sipas specialistëve të ndërhyrjes së shpejtë, u konstatua të ishte mbi 2 metra. Rajmond Metalla, drejtues i një prej mjeteve të përmbytura në parking, tha për gazetën "Shekulli", se automjeti i tij tip "Opel", pothuajse kishte dalë jashtë përdorimit.


Me sytë nga makina, së cilës i dukej vetëm pjesa e sipërme e kabinës, Metalla e pa si shumë të vështirë kthimin e mjetit në gjendje normale. Ai konfirmoi se nuk ndodhej në parking në çastin e përmbytjes. "Mësova për përmbytjen nga persona të tjerë dhe u ktheva menjëherë në vendin ku kisha parkuar. Makina ka kushtuar 6 milionë lekë dhe pothuajse është dëmtuar tërësisht.


Tapiceria i ka dalë jashtë përdorimit, po kështu edhe paketa elektronike dhe motori, për mos të folur më pas për llumin që ka brenda, që i ka dëmtuar filtrat." Vetëm për riparimin e makinës drejtuesi të mjetit i duhet të shpenzojë një shifër të përafërt prej 5 milionë lekësh. "Me aq para sa duhen për të riparuar makinën, as nuk ia vlen fare të bësh një gjë të tillë, pasi aty-aty është kostoja që është blerë", - sqaroi më tej ai.


Dëmi që mendohet se është shkaktuar në parkingun pranë "Këndit të Lodrave", llogaritet të jetë të paktën në shifrën e 500 milionë lekëve. Në parking, në momentin e përmbytjes, krahas makinave modeste për nga vlera, ndodheshin të parkuara edhe makina luksoze, me vlerë deri në 50 mijë euro.


Drejtues të operacionit për heqjen e ujërave nga parkingu, pohuan për gazetën "Shekulli", se do t'iu duhej të paktën 12 orë për të kthyer gjendjen në normalitet. Fati i mirë është që, në momentin e përmbytjes, në brendësi të automjeteve të parkuara, nuk ndodhej asnjë person, gjë që mundësoi edhe shmangien e dëmeve të mundshme në njerëz.


Era e fortë shkul pemët në bulevard


Dëmtime të konsiderueshme janë konstatuar dje edhe në zona të tjera të Tiranës. Era e fortë, që shoqëroi motin mesditën e djeshme, shkuli nga vendi pjesë të kurorës së pemëve në rrugët e kryeqytetit. Dëme u evidentuan fillimisht në "Parkun Rinia", në anë të bulevardit "Dëshmorët e Kombit", ku u panë thyerje të pishave, madje edhe shkulje të pemëve.


E njëjta situatë u konstatua edhe në bulevardin "Zhan D'ark", ku për fat të mirë, rënia e pemëve, përveç dëmeve materiale, nuk është shoqëruar me dëme në njerëz. Reshjet e djeshme nuk kanë lënë pa prekur edhe shumë banesa në kryeqytet. Me kova në duar, njerëzit janë munduar të vendosin situatën në kontroll, ndërkohë që ndihma e mjeteve të specializuara ka ardhur me shumë vonesë. Të njëjtin fat kanë pasur edhe katet e nëndheshme të objekteve më të larta në kryeqytet, e njohur si "Qendra Tregtare Europiane" në Tiranë, e cila ka pësuar përmbytje si pasojë e reshjeve.

 

Komenti juaj

 

"Shqipëria në moshën e internetit" pajis me kompjutera hajdutët

ELBASAN/ Vetëm përgjatë këtij viti, pesë shkolla kanë përfunduar nën shënjestrën e vjedhësve ELBASAN - Pajisja e shkollave me kompjutera...

Emigranti, gjobë tregtarit, dy në kërkim

Gazmend Hamidi, 50 vjeç, i sapokthyer nga Gjermania, kërkoi 2 milionë lekë para nga shitësi i mallrave ushqimore Pas...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj